Abdija, një “Vieira i bardhë” shqiptar te SienaTe klubi italian i Sienës, aty ku më parë kanë luajtur dy nga futbollistët shqiptarë më të famshëm në Itali, Riza Lushta (1951-1953) e Erjon Bogdani (2005-2006), po rritet me “shpejtësinë” e një ta

Te klubi italian i Sienës, aty ku më parë kanë luajtur dy nga futbollistët shqiptarë më të famshëm në Itali, Riza Lushta (1951-1953) e Erjon Bogdani (2005-2006), po rritet me “shpejtësinë” e një talenti të lindur, shqiptari Benkert Abdidja.
Mediat lokale italiane e kanë përshkruar shpesh shqiptarin si një “Patrik Vieira i bardhë” i bardhezinjve të Sienës U-17, kjo për ngjashmërinë fizike trupore (Abdija është 1.84 cm), qëndrueshmërinë, gjestet sportive e agresivitetin në lojë të 16-vjeçarit.
“Është një lojtar që bie menjëherë në sy për lojën e tij në mesfushë. Ka hap të madh dhe një stil të vetin të pasimit, ku mbizotërojnë topat e gjatë nga krahët. Duket i lindur për të qenë një lojtar i suksesshëm, gjithmonë nëse do të punojë seriozisht në të ardhmen”, - tha për “Albania-sport.com”-n, menaxheri i njohur shqiptar i FIFA-s me banim në Itali, Sokol Haxhia.
“E kam ndjekur në aksion në disa ndeshje dhe duket që reflekton personalitet në lojë. Për më tepër që dhe në bisedat me trajnerin e tij Mishel de Feudis, ky i fundit e çmon tepër rolin e tij në skuadër, duke e vlerësuar si një nga lojtarët më të ardhme te Siena. Të njëjtën mendim për Abdinë ndan dhe preparatori atletik i skuadrës”, - thekson Haxhia, një njohës i shkëlqyer i futbollistëve të rinj shqiptarë në Itali.
“Në kategoritë e ndryshme të moshave ka shumë të rinj shqiptarë, që të befasojnë me teknikën e cilësitë e tyre futbollistike dhe që kanë tërhequr vazhdimisht vëmendjen e menaxherëve të huaj”, - shton Haxhia, i cili menaxhoi me sukses edhe transferimin e Brian Filipit, sulmuesit të talentuar të Ravenës, por në pronësi të klubit të njohur të Palermos.
Sipas Haxhisë, mesfushori Abdija është në vëmendje të disa klubeve, që vazhdimisht dërgojnë skauterit e tyre në ndeshjet kampionateve të moshave në Itali. “Nuk është çudi që Abdija të kapërcejë menjëherë disa shkallë në ekipet e moshave, pasi ekipe si Siena e kanë në politikën e tyre promovimin e lojtarëve të talentuar”, - përfundoi agjenti i FIFA-s, Sokol Haxhia.
SKEDA
BENKERT ABDIJA
Datëlindja: 22.08.1993
Gjatësia: 184 cm
Roli: Mesfushor
Ekipi: Siena U-17, Itali
E Diele, 15 Mars 2009