E Shtunë, 31 Tetor 2026

Java 24, transferta per kryesuesitTirana e Dinamo kanë dy transferua të vështira në Ballsh e në Vlorë. Vllaznia, “autokritika” rifillon në Fier. Në “Ruzhdi Bizhuta” derbi Elbasani-Shkumbini nën masa të rrepta policore

“Dita e verës” shtyu për 24 orë ndeshjet e javës së 24-t të Kategorisë Superiore, por tetë skuadrat e mëdha, patën një ditë më shumë në dispozicion për t’u çlodhur pas betejave (ende problematike) të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë. Në pritje të një verdikti përfundimtar të Komisionit të Disiplinës, për të mësuar emrat e dy gjysmëfinalistëve të tjerë përveç Tiranës e Shkumbinit, 12 ekipet e Superligës kanë hesape për të larë me njëra-tjetrën në kampionat, kur kanë mbetur edhe 10 javë për t’u luajtur nga përfundimi i sezonit 2008-2009. Tirana kryesuese (44 pikë), Vllanzia (42), Dinamo (41), Shkumbini (37), Besa (33) e Teuta (32) do të luajnë në tranfertë me Bylisin (22), Apoloninë (24), Flamurtarin (26), Elbasanin (26), Partizanin (25) e Lushnjën (19).

BYLIS-TIRANA
Numri 1 i bankinës së Bylisit, Hysen Dedja, beson se skuadra e tij do të shfaqi ndaj Tiranës, ato vlera që paraqiti edhe në barazimin pa gola kundër Vllaznisë në Shkodër një javë më parë. Dedja e konsideron rezultatin pozitiv ndaj bardhebluve të mundshëm, pavarësisht se ballshiotët do të jenë në fushë pa lojtarin e dymbëdhjetë, i cili ka qenë gjithnjë mbështetësi kryesor i Bylisit në çdo ndeshje. Bylisi nuk ka asnjë mungesë. Tirana, që në fazën e parë barazoi në Ballsh nuk e mendon kurrsesi të dalë pa pikë të plota. Diferenca në pikë midis dy skuadrave, ku Tirana ka grumbulluar dyfishin e Bylisit: 44:22, ose +22 pikë nuk jep shumë garanci për bardheblutë.

APOLONIA-VLLAZNIA
Apolonia luan kundër Vllaznisë në shtëpi pa shikues dhe me një “faturë” prej katër humbjesh resht, të cilat rëndojnë shumë në zonën e ftohtë të Superligës. Shkodranët, falë dhe “shërbimit inteligjent” të tyre me një lëvizje të zgjuar janë sërish favoritë në dy fronte, edhe pse fillimisht atë në Kupën e Shqipërisë e kishin humbur me Dinamon. Vllanzia barazoi në Shkodër me Bylisin, por në Fier nuk kanë ndërmend të falin fierakët, ndaj të cilëve fituan në fazën e dytë në “Loni Papuçiu”. “Autokritika” e tyre synon të nisë nga Fieri.

FLAMURTARI-DINAMO
Me Eqerem Memushin në bankinë (trajneri i tretë sezonal), Flamurtari nuk ka fituar ende ndeshjen e parë, dhe pikërisht një nga takimet e përfunduar me rezultat negativ është ajo kundër Dinamos në Vlorë, të humbur 0-2. Dinamo mbërrin në Vlorë pas katër fitoreve rresht në kampionat dhe vetëm 3 pikë larg Tiranës së vendit të parë. Trajneri i bluve Muça synon përsëritjen e fitores, edhe pse ka në dispozicion në vijën e parë vetëm Plakun e Sefën (Bakaj është i pezulluar).

ELBASANI-SHKUMBINI
Dita e verës dhe derbi i prefekturës së Elbasanit shtynë për 24 ora kampionatin shqiptar. Të dy skuadrat patën fate të ndryshme në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë: Elbasani u eliminua (duke djegur përfundimisht sezonin), ndërsa Shkumbini kaloi (pa probleme rregulloreje) drejt katër më të mirave. Peqinasit, të cilët ëndërrojnë për herë të parë Europën, do të bëjnë ç’është e mundur të mos dalin pa pikë nga Elbasani. Në takimin e fundit në “Ruzhdi Bizhuta” ndeshja u mbyll 1-1, me protagonist Gentian Stojkun, i cili shënoi golin për Elbasanin dhe autogolin në favor të Shkumbinit.

PARTIZANI-BESA
Partizani (ende jo i sigurt si gjysmëfinalist i Kupës) do të përballet të dielën me synimin për të dalë pa pikë nga përballja në “Qemal Stafa” me Besën e Kavajës. Humbja 3-2 me Teutën në minutën e fundit të takimit e impenjon më shumë skuadrën e kuqe për të rigjetur fitoren. Në dy përballjet sezonale me Besën, të kuqtë barazuan në Kavajë (0-0) dhe fituan në Tiranë (1-0). Kavajasit ende janë optimistë se mund të zënë një vend në Europë, pavarësisht se diferenca e tyre me Dinamon e vendit të tretë është jo pak, por -8 pikë.

TEUTA-LUSHNJA
Pas dy fitoreve rresht në kampionat, Teuta synon një vend në zonën evropiane. “Djemtë e detit” barazuan në takimin e fundit kundër Lushnjës (1-1) në “Niko Dovana”, ku veçohet kartoni i kuq i portierit të Teutës, Vashaku. Djemtë e Starovës janë të vetëdijshëm, se në fazën e fundit të kampionatit është shumë më vështirë të luash me skuadrat që luftojnë për mbijetesë, se sa kundër atyre që janë të renditura më lart në klasifikim.

Kategoria Superiore
Java 24, 15.03.2009

Bylis*-Tirana         (Çekaj)
Apolonia*-Vllaznia    (Hoxha)
Partizani-Besa        (Latifi)
Flamurtari-Dinamo     (Jareci)
Elbasani-Shkumbini    (Taullai)
Teuta-Lushnja        (Pashaj)
* Ndeshjet zhvillohen pa shikues
- Takimet nisin në orën 15:00

RENDITJA
1.Tirana        44   
2.Vllaznia        42
3.Dinamo        41
4.Shkumbini    37
5.Besa        33
6.Teuta        32
7.Elbasani        26
8.Flamurtari    26
9.Partizani    25
10.Apolonia    24
11.Bylis        22
12.Lushnja        19

E Diele, 15 Mars 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›