Abilekaj: Kërkesa për dorëheqjen e Ballukut e çliron Ramën, opozita duhet të synojë rrëzimin e kryeministrit

Analisti Enton Abilekaj, i ftuar në emisionin “Trialog” në RTSH, u shpreh se ndonëse zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është marrë e pandehur nga SPAK, beteja e vërtetë e opozitës duhet të jetë me Kryeministrin Edi Rama.
“Nëse bie Rama, bie qeveria. Nëse bie Balluku, i jepet kohë Ramës,” argumentoi Abilekaj.
Sipas analistit, duke kërkuar vetëm dorëheqjen e Ballukut, opozita indirekt po e “çliron Ramën” nga presioni politik. Ai theksoi se opozita nuk duhet të ndërhyjë në luftën e brendshme brenda Partisë Socialiste, por duhet të kërkojë dorëheqjen e Kryeministrit.
Abilekaj shprehu besimin se aktualisht nuk ka qeveri më të lehtë për t’u rrëzuar sesa kjo e Ramës, për shkak të skandaleve të përditshme. Megjithatë, për të arritur këtë, ai theksoi rëndësinë e rinovimit brenda Partisë Demokratike.
Analisti tha se “objektivat politike ndërtohen vetëm pas rinovimit të drejtimit të PD-së”. Ai gjithashtu kritikoi mungesën e veprimit në të kaluarën, duke përmendur se opozita nuk pati nevojën për analizë nga raporti i OSBE/ODIHR-it, duke thënë se, në realitet, raporti i OSBE/ODIHR-it e lehtëson barrën e opozitës, por se ishte e nevojshme të rinovohej më parë.
/rtsh.al/