Abissnet Superiore në RTSH: Tirana barazon me Vllazninë, Bylisi thyen Elbasanin

Janë luajtur dy ndeshjet e fundit të javës së 17-të të “Abissnet Superiore”, Tirana ka barazuar 1-1 me Vllazninë, ndërsa Bylisi ka arritur një fitore 3-2 përballë Elbasanit.
Në “Selman Stërmasi”, në klasiken e futbollit shqiptar, skuadra bardheblu e nisi mjaft mirë duke kaluar në avantazh me një 11-metërsh të kthyer në gol nga Rafa. Megjithatë, reagimi i shkodranëve nuk vonoi duke vendosur barazpeshën po me një 11-metërsh të kthyer në gol nga Balaj.
Në fundin e pjesës së parë skuadra kuqeblu kishte mundësinë e artë pëër të kaluar në avantazh, por Balaj nuk arriti të mposhtë Tafas nga pika e bardhë.
Përfundon 1-1 me Tiranën që mbetet në fundin e tabelës në kuotën e 9 pikëve, ndërsa Vllaznia në vend të 4-ët me 27 pikë.
Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të ditës, Mustapha ka dhuruar spektakël në “Adush Muça” me tre gola të shënuar për skuadrën e Bylisit në fitoren 3-2 përballë Elbasanit. Për verdheblutë golat u shënuan nga Loukili dhe Tsague.
Me këtë fitore ballshiotët ngjiten në kuotën e 18 pikëve, në vend të 7-të. Elbasani në vend të dytë me 32 pikë.