E Shtunë, 31 Tetor 2026

20 Shkurti, kurora e artë e lëvizjes studentore

BISLIM AHMETAJ

Brezi studentor i viteve 90 ka krenarinë dhe privilegjin historik që  pati fatin, kurajën, guximin, zgjuarsinë dhe potencialin human ti   dhuronte vendit të tij, kombit të vet, dy ngjarje të mëdha, të sintetizuara në dy data që krahasohen me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në 1912-n apo Aktin e Shpalljes së Pavarësisë të pjesës tjetër të kombit, Kosovës në 2008-n. 8 Dhjetorin, ditën e madhe të lirisë dhe 20 Shkurtin, shembjen e miteve të diktaturës. Këto dy data në kiminë e tyre kanë aq vlerë sa nuk mund të kenë çmim. Personazhet realë, studentët e brezit 90, vajza e djem nga të katër anët e Shqipërisë ishin dhe mbeten aq modestë, sa në shumicë zgjodhën të  mbetën anonim, ata pak të tjerë që vazhduan të merren me politikë apo me jetë publike spikasin me të njëjtat vlera që shfaqën në dhjetor të 90-s, apo në shkurt të 91-shit, edhe pse dy kampet e mëdha të politikës nuk i kanë fort për zemër dhe zgjedhin mes tyre ndonjë kokërr sa për të treguar lidhjet e forta që kanë me maternitetin ku lindën.
8 Dhjetori, lëvizja që çoi në legalizimin e pluralizmit politik, do të mbetej si një fëmijë epileptik pa 20 Shkurtin. Do të ishte pluralizëm steril dhe i shtirur, do të ishte njëlloj si propaganda e udhëheqësit të fundit komunist të Shqipërisë, që proklamonte socializmin krijues dhe rrugët e reja e të pashkelura të marksizmit, nëpër të cilat duhet të shkonte vendi ynë që të vazhdonte të ndriçonte botën. Pluralizëm politik me buste të diktatorit në sheshet kryesore të qyteteve dhe qendrave të kooperativave që më vonë do quheshin komuna. Pluralizëm politik, kur në të gjitha zyrat dhe hollet e institucioneve të shtetit nga Kryeministria dhe deri tek njësia më e ulët administrative vazhdonte dhe vezullonte portreti i diktatorit e bustet e tij të betonit. Deri më 20 Shkurt bustet dhe portretet e diktatorit ishin hequr vetëm nëpër shtëpitë e njerëzve të lirë, që duhet thënë se nuk përbënin shumicën në atë kohë dhe për fat të keq as sot e kësaj dite sjanë maxhorancë dhe, kjo vonesë, pasojë e brutalitetit dhe trysnisë ekstreme që kishte ushtruar diktatura e Enver Hoxhës mbi bashkëkombësit e vet.
Ishte koha bosh kur partitë politike që po mbinin pas 8 Dhjetorit, në programet e tyre kishin ekonominë e lirë të tregut dhe vlerat e lirisë, në një kohë kur ligjet, aktet nënligjore dhe rregulloret vazhdonin të ishin të tejmbarsura me ideologjinë e marksizmit krijues të injorantëve servilë të Byrosë politike.
Edhe pse vendi po përjetonte rilindjen dhe besimin te vlerat e lirisë dhe demokracisë në shkolla dhe pikërisht edhe në universitete, n렠 vendin ku u shemb diktatura, mësohej historia e lavdishme e diktatorit, çdo tekst edhe ai i fiziologjisë së bimëve, edhe ai i anatomisë së sëmundjeve ndër njerëz ishte pagëzuar e sendërtuar me mësimet e partisë dhe udhëheqësit të saj, diktatorit hoxha.
Ishte koha kur shumica e institucioneve me peshë të këtij vendi mbanin emrin e diktatorit, emrin e tij e mbante edhe Universiteti i Tiranës. Ishte koha kur po jetonim dy kohë, dy epoka brenda të njëjtave qenie. Nga dhjetori i 90-s deri më 20 Shkurt ishte koha bosh, koha zero.
Ne që kishim guxuar të shembnim diktaturën, jetonim nën hijen e saj, nën bustet e betonta, të bronzta të diktatorit, ishte kohë absurdi. Dhe këtë absurditet ata, studentët e brezit 90, smundën ta tolerojnë, më 5 shkurt në Institutin e Lartë Bujqësor rinisi etapa e dytë e lëvizjes studentore. U shpall greva e përgjithshme dhe kërkesat e saj, një prej të cilave ishte mbyllja e Shkollës së Partisë në Laprakë dhe kthimi i ambienteve të saj ILB-s, që pas kësaj greve do të behej Universiteti Bujqësor i Tiranës.
Pas tri ditësh, më dt. 8 shkurt do vinte solidariteti i Universitetit të Tiranës që mbante emrin e diktatorit, pastaj gjithë Shqipëria ishte në Qytetin Studenti, në qytetin e shenjtë të lirisë. Foltoret në amfiteatrin e Universitetit Bujqësor dhe në Qytetin Studenti ishin shkollat e para të gojëtarisë dhe fjalimeve publike. Në shkurt, studentët ishin më të kthjellët, më të qartë, më të pjekur, më të kujdesshëm, më të pamanipulueshëm dhe kjo pjekuri u sintetizua në grevën e parë legale të urisë, që ishte mbajtur ndonjëherë në Shqipëri, e them legale se greva urie ishin mbajtur në burgjet e diktaturës, por që të gjitha kishin përfunduar me zgjatje dënimesh apo me ekzekutime të atyre që i kishin mbajtur apo organizuar.
Ato 50 orë ngujim të mbi 700 vajzave dhe djemve, të atyre pak pedagogëve që u solidarizuan dhe iu bashkuan grevës së parë legale të urisë në Shqipërinë që po rilindte, janë orët që çliruan vendin nga topitja, nga absurdi, nga mitet e diktaturës. Janë orët që shembën statujat dhe idhujt e turpit, janë orët që u çelën sytë shqiptarëve, janë orë të paharrueshme të sakrificës, guximit, kurajës qytetare të brezit studentor të viteve 90, brez me të cilin kombi shqiptar do të krenohet njëlloj si me brezin e rilindësve tanë, që shpallën pavarësinë e vendit në 1912-n. Uria e parë legale mbeti një monument i pashoq, edhe për faktin se është e vetmja grevë që i arriti dhe i tejkaloi plotësisht qëllimet dhe kërkesat e saj.
Pas 20 Shkurtit janë bërë me dhjetëra greva urie me kërkesa të drejta dhe të padrejta, por asnjëra prej tyre ska mundur të ketë përkrahje aq popullore dhe ti realizojë në mënyrë shteruese kërkesat e saj si greva e urisë së brezit studentor 90.
*Kryetar i grupimit DHJETOR 90″

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›