Abraham firmos për Vllazninë

Gasper MARKU- Dita e premte ka shënuar firmosjen e tretë zyrtare për kampin kuqeblu. Listës së Vllaznisë i është shtuar edhe futbollisti me ngjyrë Abraham. Lojtari që luan në krahun e majtë të repartit të mbrojtjes, ka firmosur në orët e mesditës së sotme një kontratë zyrtare me presidentin e Vllaznisë Valter Fushaj, afati i të cilës është për një periudhë një vitë e gjysëm. Gjatë dy-tre ditëve të fundit, ai është parë të stervitet përkohësisht në përbërje të ekipit të Dinamos. Por, pasi nuk ka gjetur akordin me blutë dinamovitë, si dhe ato të Tiranës dhe Elbasanit, që kanë qënë të interesuar për të, Abraham ka zgjedhur Shkodrën.
Firma zyrtare
I shoqëruar nga menaxheri i tij Kosta Grillo, Abraham, ka qëndruar për rrethë dy orë në zyrën e presidentit Fushaj, ku pas studimit mirë e mirë të propozimeve dypalëshe, ka ardhur edhe mirëkuptimi në firmosjen e kontratës zyrtare, e cila e veshë Abrahamin për një vitë e gjysëm kuqeblu.
Nigeriani Abraham është i njohur në futbollin shqiptar, pasi më parpara ka luajtur për tre skuadra, Elbasanin, Dinamon dhe Tiranën, me të cilat ka fituar titullin kampion. Pikërisht këtë fakt ka shfrytëzuar Abraham duke deklaruar në prezantimin e tij se edhe në Shkodër ka ardhur për të fituar një titull tjetër kampion.
Prononcimi i Abraham“Unë jam mësuar me tituj kampion. Kam fituar tre të tillë, prandaj kam besim që edhe me Vllazninë do ta fitoj një të tillë”, është shprehur me një shqipe krejt të pastër Abraham.
Duke vijuar të flasë për mediat, pasi më parë ka pozuar, fillimisht veçmas me uniformën e Vllaznisë si dhe menaxherin e tij Kosta Grillo, e më pas edhe presidentin e Vllaznisë Valter Fushaj, Abraham, ka bërë të ditur se ka lënë pas dëmtimin, dhe tashmë është i gatshëm për t’i shërbyer Vllaznisë. Megjithatë, ndoshta edhe për arsye të vonesës, por, që mund të ketë brenda edhe një mundësi më shumë kohore në rikuperimin e tij, Abraham, nuk është përfshirë fare në planet e ndeshjes Vllaznia-Besa që do të luhet në orën 13.00 të ditës së shtunë. Ai nuk ka marrë pjesë fare sot në seancën stervitore të Vllaznisë, ndërkohë që sipas tij, bashkimi i tij me skuadrën pritet të bëhet ditën e hënë në seancën e radhës së skuadrës shkodrane.
Fushaj: Abrahaham, shansi i VllaznisëPërfshirjen e nigerianit Abraham, presidenti i Vllaznisë e ka quajtur me shans për skuadrën që ai financon. “Fakti që ai ka fituar tre tituj me skuadrat e tjera, na bën të mendojmë që këtë shans do të na e sjellë edhe tek ne”, ka theksuar Fushaj, duke i shtuar edhe pak nota humori. Numri një i kuqebluve, ka shtuar se i njehë mirë vlerat e këtij futbollisti dhe se ka besim të plotë se prania e tij në krahun e majtë të repartit të mbrojtjes do të jetë një përforcim shumë i madhë për këtë repart. Abraham, do të zëvendësojë malazezin Jasiç që deri tani ka luajtur në këtë rol, forma e të cilit ka pasur luhatje në fushën e lojës. Megjithatë, i pyetur nëse Jasiç do të largohet me ardhjen e Abrahamit, ka pohuar se ai do të vijojë të jetë pjesë e Vllaznisë si një alternativë më shumë për teknikun Josa.
Fushaj, për Balën…
Gjatë ceremonisë së prezantimit të futbollistit nigerian Abraham, presidenti i Vllaznisë Valter Fushaj ka folur edhe për çështjen “Bala”, duke bërë të ditur se klubi shkodran ka hequr dorë përfundimisht nga tratativat e blerjes së tij. Në fakt, pas një oferte të bërë ndaj, që për Fushaj ishte bindëse që Balaj të pranonte të rivishej kuqeblu, gjërat ndryshuan shumë shpejt, ku tashmë, duket se Tirana është shtëpia e re e sulmuesit të talentuar shkodran. Sipas Fushajt, një nga arsyet që Vllaznia u tërhoqë në tratativat për të marrë Balajn në skuadër, është edhe fakti që klubi kuqeblu ka një marrëdhënie shumë të mirë me presidencën e klubit turk Gerçerbirigli, dhe se një rimarrje e Balës së srishmi në Shkodër pasi ia kishte shitur gjashtë muaj më parë këtij klubi, edhe mund të paragjykohej nga homologët e tyre si një abuzim ndaj kësaj çështje.
Ndërkohë, ashtu siç është thënë edhe në ditët e mëparshme, klubi Vllaznia, ishte në pritje edhe të blerjes së kroatit Ivan Parlov, një futbollist ky që luan në rolin e organizatorit për NK Zagreb, e cila do të konsiderohej edhe blerja e fundit e Vllaznisë për këtë merkato dimërore, por, që sipas të gjitha gjasave, merkëtoja dimëroee e kuqebluve do të mbyllet këtu, ku pas durrsakut Bledar Hodo dhe shkodranit Xhevahir Sukaj, së fundmi I shtë shtuar edhe nigeriani Abraham.
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Premte, 21 Janar 2011