E Diel, 1 Nëntor 2026

Absurdi i kohës absurde

Dikush, duke dëgjuar një referimin tim në Kuvend të romanit "Absurdi" të K.Kostës, mund ta ketë menduar thjesht si mani të referuesit për të cituar një vepër a diçka tjetër në funksion të asaj që do të argumentojë, pavarësisht sa lidhet argumenti në fjalë me veprën e cituar. Por nuk është kështu. Qëllimi im ishte i plotë dhe në përputhje me mbresat që më la "Absurdi". Sa e vërtetë është kjo, unë edhe njëherë, siç e bëra në sallën e Kuvendit, do ta këshilloja të lexohej ky roman, se do të ishte absurde nga ana ime që të kuptohej "Absurdi" i Koços në këtë shkrim modest. Megjithatë, nuk është ky qëllimi im në këto dy rreshta që po marr përsipër të shkruaj. As të nxis të tjerët të lexojnë atë që dua unë, për të kuptuar atë që kam dashur të them. Jo, sinqerisht, jo. Unë do të dëshiroja të shprehja mbresat e mia, thjesht si një lexues, të cilin vepra në fjalë e tundoi të shprehë lirshëm dy-tre mendime, pa pretenduar për një shkrim profesional të karakterit të kritikës letrare. Duke qenë një lexues i shumë veprave të K.Kostës, do të nënvizoja që në fillim se duke shkruar këto mendime nuk kam ndërmend të bëj avokatin e vlerave të prozës së tij (ky autor i madh i prozës shqiptare nuk ka fare nevojë për të), pasi ato e kanë kaluar provimin e guximit artistik që në atë kohë kur ky guxim fshihej nën jorgan, duke qëndruar si vepër monumentale në kohë, dhe jo më tani kur liria e të shkruarit në disa raste është kthyer në bumerang të vlerave artistike e që ka nxjerrë zbuluar shumë autorë të tjerë. Në këtë këndvështrim, në kuadër të analizës që dua të bëj, mund të qëndronte çdo roman i tij, por unë zgjodha pikërisht "Absurdin" dhe për një arsye të thjeshtë. Përpos vlerave, për të cilat do mundohem të them diçka, është pikërisht titulli i cili më bën të filloj përshtypjet e mia. Përveç idesë që autori hedh nëpërmjet absurdit të tij, jo vetëm duke e argumentuar këtë nëpërmjet titullit, por përmes përshkrimit të një absurditeti të përshkruar me kaq mjeshtëri në këtë roman, që do t‘ju bënte mirë ta lexonin, si atyre të rinjve që nuk e kanë njohur këtë kohë absurde, dhe ju duket akoma më absurde si mund të ketë jetuar një absurditet i tillë, ashtu dhe atyre të tjerëve që e kanë jetuar dhe e kujtojnë me neveri si një pjesë të neveritshme të jetës së tyre... por, më shumë me atë kategori njerëzish, që ndonëse e kanë jetuar, kështu dhe më keq, mohojnë ekzistencën e këtij absurdi kaq të egër dhe mizor, që shkatërroi mijëra jetë, që vrau Gavrilët me shokë, i cili bëri që nënat e tyre të enden të marrosura në kërkim të sandalleve të varura të bijve të tyre, që me mijëra Shosho e të tjerë të degjenerohen deri në atë shkallë, sa të spiunojë vëllai vëllanë, gruaja të shoqin, miku mikun e tij dhe mbi të gjitha këto të ngrenë në piedestal atë që autori e thotë me forcë: Krijimin e njeriut të ri, fabrikimin e peposhëve, të cilët për shumë vjet mbretëruan mbi fatet e shokëve të tyre dhe pse jo enden dhe sot krenarë në peposhezimin e tyre. Dhe pikërisht për sa thashë më sipër, do të filloja të rendisja disa nga përshtypjet e mia personale për këtë roman, duke filluar pikërisht me figurën e Peposh Buzatit. Natyrisht një lexues i romanit do të më tërheqë vëmendjen, duke më kujtuar se heroi kryesor është vetë autori me jetën e tij po kaq absurde sa gjithë absurditeti i shkruar në 289 faqet e tij. E pranoj këtë, por nuk e di pse më pëlqen ta filloj pikërisht nga Peposh Buzati. Jo aq për vendin që zë në roman, që natyrisht autori e ka vënë në qendër të të gjithë absurditetit që ai merr përsipër të paraqesë, por më shumë për vendin që peposhët dhe shokët e tij zënë në jetën e secilit prej nesh, jo vetëm atëherë kur kishin rrufetë e Zeusit në dorë, por dhe tani kur ndoshta enden rrugëve të Tiranës (pse jo dhe të pushtetit dhe të politikës), duke kronikuar të shkuarën e tyre, jo vetëm pa një ndjenjë turpi dhe përgjegjësie apo të një kërkimi falje publike, por në ndonjë rast dhe duke mbrojtur me një krenari të nënujshme të shkuarën e tyre kur të bënin gjëmën. Sepse është pikërisht Peposhi me shokët e tij një nga mbresat më të forta që më la ky roman, i cili më detyroi dhe për atë thirrje (provokim miqësor) për lexim që ju bëra kolegëve të mi në Kuvend apo në grupin parlamentar. Peposh Buzati është një figurë më se reale, e qëmtuar me mjeshtërinë e autorit deri në hollësi, është pikërisht pjella e asaj shoqërie perverse që krijoi figurën më perverse, që kurrë ndonjëherë shoqëria shqiptare nuk e kish jetuar, njeriun e ri, qenien e re, hidrën e nënujrave. Që kur kërkonte të drejtën e studimit, qysh kur ishte student, që kur mohoi të shpëtonte shokët e tyre të cilët po mbyteshin, që me vështrimet epshore që i hidhte shoqes së klasës e deri sa u bë i madh dhe i plotfuqishëm, kur përdhunonte me moralin e tij të përdhunuar këdo që i dilte përpara, ai u fabrikua si një qenie pa moral, pa fytyrë, pa trup, pa gjymtyrë, por thjesht si një Peposh, që siç e thotë autori: u fry, u bë i madh, sa dhuna dhe paturpësia.

2. Ajo që autori nëpërmjet "Absurdit" të tij e jep të qartë dhe pa ekuivoke, është se kjo shoqëri e re, e cila në pamje të parë të duket e shthurur, perverse, që përdhunon, vret, internon (dukuri këto të cilat i sheh sot nën këndvështrimin e absurditetit të asaj kohe) e parë në syrin e kohës që është jetuar, është dhënë plot vërtetësi dhe e shkruar bukur dhe drejtpërdrejt, të jepet si një gjë normale, e ndërtuar me mjeshtëri, me cinizëm njëkohësisht, me atë që lufta e klasave të bëhej moto e jetës, që peposhët t‘i mbajë në qafë, që leja e cila duhej të merrje nga kryetari i këshillit të të dukej normale. Pra, gjithçka e studiuar, gjithçka e ndërtuar, gjithçka e fabrikuar që njeriu i ri i peposhëve të të sundonte deri në ndjenjat e tua, qofshin dhe këto seksuale. Në synim të kësaj zhveshjeje morale dhe njerëzore është pikërisht dhe zhveshja ekonomike që iu bë fshatarit tonë me tufëzimin. Një nga pikat që autori e përshkruan me forcë, me dhimbje, që e ktheu një vend me ulcer. Pra, ajo kohë që sot duket absurde, po ndërtonte njeriun e ri, të shkishëruar nga shokët e vet, pa pronë e brekë në bythë, po me moral të lartë, me frikën e spiunimit nga shoku që kishe pranë, me të fejuarën që nuk të lënë ta takosh deri sa ta përdhunojnë, duke të shkruar dhe letra me gabime ortografike, me sandallet e Gavril Beshos të varura nën një pemë, që duke u dridhur nga era të dukej se të pëshpëritnin: Kështu do e pësojnë të gjithë ata që dalin kundra këtij pushteti, apo me vetë personazhin kryesor, që të gjitha ndjenjat e tija i kishte të fshehura, qoftë dashuritë (Gavrilin, Beten, Suzin) apo urrejtjet (Peposhtë dhe shokët e tij), ashtu dhe gjithë mllefin e tij e shfryn me disa poezi të pabotuara dhe me Katrinën që i erdhi në derë. Te të gjithë këta soshot, stomatologen, Betën, Katrinën apo të shoqin e të tjerë e të tjerë, ndjen dhimbshëm atë që një nga personazhet e thotë plot dhembje: "Popullit po i mësojnë poshtërimin...". E gjitha kjo jepet dhe njëherë në figurën episodike të profesorit gjatë mbledhjes për arratisjen e Gavrilit... Ajo fytyrë do të ishte gravurë e një epoke. E një Regjimi Komunist të papërfytyruar... Dhe jo pa qëllim herë pas here dhe në mënyrë të përsëritur (gjë që autori e përdor shpesh dhe synim të përcaktuar) jepet dhe ajo fabrikuesja e njeriut të ri, mësuesja e këtij populli të poshtëruar, projektuesja dhe ndërtuesja e këtij ABSURDI të madh, e pakrahasueshme dhe e vetmja në llojin e saj. Në këtë pikë do të nënvizoja diçka. Është meritë e K.Kostës, një term të ri: Partia e komunistëve thotë ai që trumpeton "se do të triumfoi i plotë Socializmi i Komunizmit tonë". Pikërisht ky ndryshim gramatikor, jo i paqëllimtë i Koços, shpreh në thelb atë falsifitet të propagandës së asaj kohe, të Partisë së gjithë popullit, duke reduktuar atë dhe duke e përsëritur herë pas here, si një parti të disa peposhëve, si një parti e asaj pakice që me dhunë, terror fizik e psikik, me fabrikime spiunësh dhe njerëzish të rinj, me fishekzjarrë e gënjeshtra të shkëmbit të granitit mbi Adriatik, me Burrele e Spaçe, çadra plazhesh të ngritura mes bunkerësh, me këngë e valle që hidhnim në gojë të ujkut, me vila të bukura buzë detit që ishin vetëm për ata, me dy pula por pa gjel që të mos i jepej fshatarit as kokrra e vezës... me të gjitha këto dhe absurditete të tjera të këtij lloji, të mbanin për shumë dekada këtë popull nën thundër dhe kërbaç...

Kjo shoqëri e tillë ngriti në art spiunët dhe fabrikimin e tyre. Në këtë këndvështrim, vepra në fjalë bën një "Autopsi" të spiunit, e spiunimit përmes vlerësimit dramatik, se "Spiunimi është bërë dobësi kombëtare te ne". Ajo jep të qartë, si në një peizazh ku përshkruhet gjithçka me hollësi, se deri ku shkonte ky lloj absurditeti, deri në çfarë shkalle tentakulat e "nënës" që polli njeriun e ri shkonin në popull, duke prekur të gjitha shtresat që tek ata të zellshmit, shokët e peposhëve, apo të atyre që merrnin rrogën për këtë punë e deri tek ata... turma... stomatologia etj., duke shkuar deri te Shoshoja, një nga figurat më të realizuara artistikisht. Shoshoja i penduar, i vrarë shpirtërisht për gjithçka që ka bërë në jetë, i vetëvrarë fizikisht, por i vrarë në psikologjinë e tij vite më parë, është mishërim i atij cenimi të rëndë moral, njerëzor, fizik që iu bë deri në bërthamë popullit të thjeshtë, atij që e duartrokiste në marshimet e 1 Majit, pjellën e fatkeqësisë së tij, një Shosho i detyruar të spiunojë vëllain e tij, i urtë në mendimet e veta, vëzhgues i imët i jetës që e rrethon, kritik i shpikjes më të madhe të vetëvrasjes së një populli: tufëzimit, një Shosho që në fund të fundit mbeti siç kishte qenë gjatë gjithë jetës së tij, i pafuqishëm të shkojë kundër dhunimit të vetvetes, duke e mbyllur këtë jetë të sunduar nga të tjerët me vetëvrasjen, që përsëri ishte akti i tij i fundit i nënshtrimit të tij, nënshtrim ndaj fatit, nënshtrim ndaj një pamundësie tjetër jetese veç asaj që i shtyn peposhët dhe shokët e tij.

Një dyshe që do t‘i shikoja të pandarë, pavarësisht se njëri tregon në kohë reale historinë e tij, ndërsa tjetri vjen nëpërmjet revokimit të jetës së tij tashmë të shuar, është dyshja e personazhit kryesor që tregon dhe Gavrilit. Personazhi kryesor, ose autori i tregimit, në qoftë se do ta quajmë të tillë, nëpërmjet gjuhës që ka zgjedhur autori, të rrëfimit në vetën e parë, vjen i afërt dhe i plotë në autorrëfimin e asaj cope jete që e lidh me Gavrilin, por dhe me Peposhin. I sinqertë në pastërtinë e tij, nuk arrin të besoj tek e keqja e Peposhit, deri sa ai ia pohon cinikisht hapur dhe aty ai shpërthen, thyhen kufijtë e dyshimit brenda vetvetes, urren, mohon, vëzhgon... por si shumë të tjerë, i pafuqishëm të kundërshtojë, hesht, pret lejen e kryetarit të këshillit për të takuar të fejuarën, shkruan ndonjë poezi, thyhen pa dashur portretin e udhëheqësit dhe i tromaksur fsheh copat e thyera deri sa i japin fshehurazi një tjetër. Ne figurën e tij shohim fatin e shumë të tjerëve, që vërtet nuk u bënë spiunë, as provokatorë, por të trembur shtynë jetën e tyre nën peposhët. Nuk i duartrokitën, por as i kundërshtuan. Dëgjonin me respekt mendimet rebele të Gavrilit, por nuk i thanë hapur ato, shkruanin poezi fshehurazi dhe nuk i botonin. Në fund ai vetë pohon: Mjerë populli i nënshtruar, thashë me vehte. (përsëri me vehte)... I përulur, mendova me dhimbje. Në anën tjetër Gavrili me sandalet e tij të varura në një pemë. Një simbolikë tepër e bukur dhe e dhënë me zgjuarsi nga autori. Sandale që lëkunden nga era, sandale që flasin, sandale që duan t‘u tregojnë të gjithëve për të zotin e tyre, sandale njerëzore që nëna i shkul nga pema për t‘i puthur djersën e të birit, sandale që peposhët i varin nëpër pemë për të mbjellë frikën e të tjerëve ndaj fatit të atij që ngre krye, sandale që binin në fshat dhe thashethemet e rastit, për Gavrilin e vrarë te Mali me Guva, apo Gavrilin e pavrarë që do e binin në fshat të fliste. Një makinë e rëndë propagande që thyente eshtra të vdekurish, zemra nënash, shpirtra fshatarësh të rrënuar nga tufëzimi, tru të qullosur nga ideja e krijimit të njeriut të ri, trupa të përdhunuar, mësuese fshati të frikësuara nga thirrjet e kukuvajkave... Një vlerë e rëndësishme e këtij romani, për mua, qëndron dhe në faktin se autori është shumë i drejtpërdrejtë në ato që shkruan, pa ekuivoke dhe dyshime, i qartë në idetë dhe i thjeshtë në mënyrën se si t‘i servir ato. E shkruar në formën e një autotregimi, ai bie shumë mjeshtërisht në rrëfimin e tij gjithçka të ndodhur në kohë dhe vende të ndryshme, apo me personazhe të ndryshme (gjë që në pamje të parë të duket e palidhur). Me filozofinë e përgjithësimit të së mirës apo të keqes, Gavril Beshua vjen nga personazhe të ndryshëm, por që i lidh e përbashkëta e Gavrilit. Ashtu si Peposh Buzatin, që jo pa qëllim e sjell Shoshoja, Katerina, apo shoku i tij i fëmijërisë, tani montator. Kjo lidhje vendngjarje, kohë, ngjarje e personazhe të ndryshëm, për mua është në funksion të konsolidimit të gjithë idesë së romanit, që jo më kot lidhet dhe me titullin, të paraqitjes të një absurdi të madh, të ngritur e të konsoliduar në një kohë absurde, por me sa gjykoj unë, do të ishte akoma më absurde, që e parë nga këndvështrimi i sotshëm, ajo kohë të quhej thjesht një absurditet tashmë i kaluar. Nga ana tjetër, kritika letrare dhe politika postdiktatoriale i ka një borxh të madh kësaj vepre dhe këtij autori, për të cilat personalisht do të shprehem në promovimin e romanit "Nata e Sofie Kondilit", (80 kopje të të cilit i kam dhuruar në dashamirësit e librit në Vlorë), që së bashku me një grup shkrimtarësh e lexuesish vlonjatë do të zhvillojmë së shpejti.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›