E Diel, 1 Nëntor 2026

Amy: "Hoqa dorë prej drogës. Tani dua të nis një jetë të re me bashkëshortin

Pasi ka kaluar tre muaj në Karaibe, Amy Winehouse është rikthyer në Londër. Ka blerë një shtëpi të re në Bernet, në veri të Londrës, pak metra larg prindërve dhe shumë larg turmës së paparacëve. Natyrisht që nuk ka harruar të rregullojë edhe pamjen e jashtme, të cilën e kishte "braktisur" gjatë pushimeve. Ajo njoftoi gjithashtu se pas dy muajsh, pikërisht më 26 maj do të organizojë një koncert të madh në Londër. Edhe pse është transferuar larg paparacëve, është e kotë, sepse Amy-n e ndjekin ngado që shkon. E denoncuar për rrahjen e një fansi, Amy ka kërkuar falje për veprimin e saj, ndërkohë që mbeten ende të pazgjidhura problemet bashkëshortore me Blake Fielder-Civil.

Amy kush jua këshilloi ishullin Santa Luçia, në Karaibe?

Dëshiroja të bëja disa ditë pushime pranë detit, të ushqehesha mirë dhe të merrja veten fizikisht. Kështu që zgjodha një hotel të bukur, me një pamje të mrekullueshme përpara dhe qendër masazhesh. Çdo ditë zgjidhja një lloj trajtimi, bëja sauna, masazh me gurë të nxehtë dhe më pas joga. Notoja ose luaja tenis edhe pse nuk jam aq e zonja.

Qarkullojnë disa foto tuajat ku trupi juaj duket katërkëndësh...

Ndoshta njerëzit nuk e dinë se para se të bëhesha e famshme frekuentoja gjithmonë palestrën, kështu që nuk e kam të vështirë të filloj stërvitjen fizike. Më pëlqente të bëja shumë ushtrime në plazh. Çdo ditë pas orës 16:00 bëja ushtrime nën drejtimin e një instruktori. Duhet përqendrim, sepse janë ushtrime të vështira që tonifikojnë të gjithë muskujt e trupit.

Vërtet keni hequr dorë nga droga?

Po, krejtësisht. Qëkur shkova në Karaibe, nuk kam konsumuar më as heroinë, e as droga të tjera. Jam shumë mirë. Në hotelin ku qëndroja pijet alkoolike ishin të përfshira në çmim dhe të them të vërtetën ndonjë natë edhe kam pirë, por mendoj se nuk ka asgjë të keqe kur je me pushime.

Si janë marrëdhëniet me bashkëshortin?

E dua ende Blake, madje shumë dhe dëshiroj që të vijë të jetojë me mua në shtëpinë e re. Nuk do të lejoj që të ndahemi, sepse ne jemi bërë për njëri-tjetrin. E pranoj se jam argëtuar me dikë që njoha në Santa Luçia, por ishte diçka kalimtare, siç bëjnë të gjithë kur janë me pushime. Unë dua vetëm Blake, asnjë tjetër. Nuk dëshiroja të kthehesha në Londër, sepse ai ishte në burg. Do të më kishte pëlqyer ta merrja me vete në Santa Luçia, sepse aty kemi qenë edhe për muajin e mjaltit dhe e di se e adhuron atë vend. Të shohim se çdo të ndodhë.

Pse bletë një shtëpi të re?

Dua të filloj gjithçka nga zero në një vend të ri, larg nga qendra e Londrës, ku për paparacët qëndrojnë pas portës së jashtme të shtëpisë dhe të fotografojnë çdo lëvizje timen. Dëshiroj gjithashtu, që të jetoj në fshat pranë prindërve të mi. Mendoj se do të bëj një jetë të shëndetshme.

Duhet të jetë e vështirë për ju të përfundoni nëpër faqet e para të gazetave, të cilat komentojnë çdo kilogram tuajin dhe çdo tatuazh të bërë në krahë...

Më shqetëson vetëm fakti që fotografitë mund t‘i shohin prindërit e mi dhe jam e bindur që ato ndihen keq. Ndërsa mua normalisht nuk më bëjnë përshtypje.

Atë kohë e keni hedhur pas krahëve?

Po, kam qenë vërtet keq dhe im atë më jep ende këshilla. U futa në telashe, por nuk do ta bëj kurrë më.

Keni marrë ndonjëherë leksione këndimi?

Po, kur kam qenë në shkollë me nxënës të tjerë, por asnjëherë nuk kam marrë mësime private. Gjithmonë më ka pëlqyer të shkruaj poezi, por herën e parë që muzikova një tekst ishte 15 vjet para, kur po jepja provimin e muzikës. Më kujtohet që mendova se ishte diçka shumë e thjeshtë, por nuk e dorëzova provimin, kështu që mora dobët.

Si e krijoni një këngë?

Nisem nga një emocion, por duke e thënë kështu nuk duket shumë e ëmbël, apo jo? Ndonjëherë nisem nga një emocion, nga një poezi ose nga një melodi që kam në kokë. Zakonisht akordimi me kitarë është i fundit. Për shembull, para se të nxirrja këngën "Rehab", isha në rrugë me Mark Ronson dhe këndova refrenin me zë të lartë. Në fakt nuk ishte shaka, por një provë.

I kënduat edhe pjesën që thotë "no no no"?

Po, të gjithë këngën, njësoj siç është në disk. Nuk ishte e vështirë. Në fund të fundit tregoj atë që shtëpia ime diskografike (e drejtuar nga ish-menaxheri i "Spice Girls" Simon Fuller) dëshironte që të bëja: të dizintoksikohesha.

Është e vërtetë që keni një karakter të vështirë?

Në fakt dëgjoj vetëm vajzën që kam brenda meje. Qëkur isha 15 vjeçe, prindërit e mi e kuptuan se do të bëja atë që doja dhe kështu ndodhi.

Dikur ju keni thënë se mund ta braktisni muzikën për të krijuar një familje...

Muzika do të jetë gjithmonë pjesë e jetës sime, por jo domosdoshmërisht duhet t‘ua shesh të tjerëve. E dua muzikën, por do të më pëlqente të kisha edhe një familje, që është gjëja më e rëndësishme për mua. Por nuk do të thotë se jam gati ta ndërtoj menjëherë tani. Për momentin brenda meje kam një tjetër album.

Kompozoni ende?

Po, dhe jo. Kam shumë gjëra këtu (tregon me gisht kokën) po më duhet shumë pak për t‘i hedhur në letër tekstet dhe mendimet që kam. Më kanë mbetur shumë materiale të papërdorura nga albumi i fundit. Me pëlqen të tregoj anën gazmore të gjërave të trishtuara dhe anën e trishtuar të gjërave gazmore. Më pëlqejnë gjërat e bukura dhe gjithmonë do të ketë një arsye për të shkruar për to.

Përveç muzikës çfarë ju pëlqeni të bëni tjetër?

Do të më pëlqente të hapja një qendër estetike. Gjyshja ime, pushoftë në paqe, kur unë dhe im vëlla ishim të vegjël na mësonte të bënim kura për t‘u kujdesur për bukurinë. Në atë kohë unë isha katër vjeçe, ndërsa im vëlla tetë vjeç. Ai bënte pedikyr, ndërsa unë manikyr dhe krihja flokët.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›