Abuzimet me fondet e IPARD/ Pyetet në SPAK administratori i “CMC”, e kallëzuar edhe ish ministrja Frida Krifca

Reni Ashiku është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku është marrë në pyetje në lidhje me hetimet për dyshime abuzimi me fondet IPARD.
Hetimet lidhen me menaxhimin dhe shpërndarjen e fondeve të programit IPARD, një skemë mbështetëse e Bashkimit Europian për zhvillimin e bujqësisë dhe zonave rurale.
Ashiku është administrator i Converse Management Consulting (CMC).

Në këtë çështje është e kallëzuar edhe ish-ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca.
Nuk dihen ende detaje të plota mbi rolin konkret të personave të përfshirë, ndërsa hetimet vijojnë.
Si abuzohej me fondet e BE për fermerët
Në pasqyrën e punës së OLAF për vitin 2023, përmendet AZHBR dhe operatorë të tjerë ekonomikë, të cilët kanë kryer parregullsi serioze gjatë fazës së dhënies së granteve dhe zbatimit të disa projekteve.
OLAF gjeti disa mënyra se si funksiononte korrupsioni me fondet e BE.
- Aplikantëve u kërkohet të paguajnë një pjesë të konsiderueshme të grantit të tyre një kompanie konsulence lokale;
- Kontratat që jepen pa konkurrencë, ose përmes një konkursi të manipuluar (me oferta false që dorëzohen);
- Çmime të fryra dhe shkelje të rregullave kontraktuale.
Pas hetimit të saj, OLAF rekomandoi që Komisioni Evropian të konsiderojë një pjesë të financimit të Thirrjes së Parë dhe të Dytë për Aplikime IPARD II 33 milionë euro, si të papërshtatshme.
Në përfundim të hetimit, OLAF rekomandoi më tej që BE të anulojë 112 milionë euro të financimit të ardhshëm (IPARD III) për Shqipërinë nga shpenzimet e panevojshme, derisa të vendosen masa korrigjuese për të mbrojtur interesat financiare të BE-së nga çdo aktivitet i paligjshëm.