Shehu: Bashkimi me PD-në? Nuk e përjashtoj
Nënkryetari i PDR-së, Tritan Shehu flet për herë të parë mbi arsyet e një bashkimi të mundshëm me PD-në
TIRANË- Tre vite bashkëqeverisje me Partinë Demokratike duket se kanë shërbyer për të marrë një vendim: kthimin në origjinë. Në 2005 për ta nuk bëhej fjalë. Ndërsa 5 vite para fitores së zgjedhjeve nga të djathtët, ata as që mund ta çonin ndërmend rikthimin nën një çati me Berishën. Por sot, reformatorët nuk përjashtojnë mundësinë e rikthimit në selinë blu. "Kohët, por edhe vetë njerëzit kanë ndryshuar",- thotë Tritan Shehu, nënkryetar i PDR-së. Në një intervistë për "Shekull"-in, ai analizon se politikisht, ideologjikisht dhe në marrëdhëniet personale, reformatorët janë të lidhur me PD-në më shumë se me askënd tjetër. Por sa ka ndryshuar PD, apo vetë reformatorët këto vite? Pse pikërisht sot shihet mundësia e bashkimit mes dy partive? Nënkryetari i PDR-së, Tritan Shehu e ka një përgjigje: "Të gjithë jemi në një proces ndryshimi të vazhdueshëm. Ai që ngel statik, ai sot është i mbaruar".
Z.Shehu, ku janë marrëdhëniet e PDR-së me PD-në, qoftë edhe brenda vetë koalicionit, pasi është folur shumë këto kohë për marrëdhëniet e PD-së me dy partitë e tjera, PDK dhe PR, ndërkohë që politika e partisë suaj ka mbetur në hije?
Marrëdhëniet me Partinë Demokratike dhe me partitë e tjera të koalicionit janë marrëdhënie korrekte, me detyrime të përbashkëta për të çuar përpara reformat. Ne si PDR, veçanërisht në ato sektorë që partia jonë i drejton me njerëzit e saj, duke filluar që nga Ministria e Arsimit, apo dikastere të tjera, jemi përpjekur që t'i realizojmë detyrimet tona, jemi përpjekur gjithashtu që të japim kontributin në marrëdhëniet me aleatët, veçanërisht me Partinë Demokratike. Ne kemi treguar se kemi qenë luajalë, madje shtyrës dhe zhvillues për disa sektorë. Pra, në tërësi, unë mendoj se PDR ka qenë një forcë e rëndësishme e koalicionit dhe këtë e ka treguar me përgjegjësinë e saj, duke qenë prezent në vijën e parë të sektorëve të rëndësishëm. Të njëjtën gjë ne kemi treguar edhe në nivel parlamentar, ku kemi qenë bashkëpunues me grupet e koalicionit, në ndryshimet e proceseve ligjore. Pra, ne nuk kemi ngelur në hije, por kemi qenë shumë aktivë në shtyrjen e reformave dhe në përmbushjen e premtimeve paraelektorale e programore të koalicionit. Deri këtu gjithçka mund të konsiderohet luajale dhe bashkëpunuese. Ajo që ka çaluar në fakt, kanë qenë pikërisht marrëdhëniet në nivel lokal, ku shpeshherë ka munguar një koordinim i ngushtë i forcave të koalicionit. Ky është një element që akoma lë shumë për të dëshiruar dhe që duhet ndryshuar, sidomos tani që po i afrohemi zgjedhjeve
E megjithatë, z.Shehu, referuar asaj që thatë më sipër, por edhe eksperiencës së deritanishme, ju keni qenë njësh me qëndrimet e PD-së, saqë deri diku ka humbur edhe kriticizmi i partisë tuaj. A mos vallë një fenomen i tillë po çon dalëngadalë drejt mundësisë së shkrirjes së partisë suaj me PD-në, meqenëse keni edhe një bazë ideologjike?
Pyetja që ju me drejtoni është e gjerë, ndaj dhe do përpiqem që t'i jap përgjigje në një këndvështrim më të gjerë. Së pari, dua t'ju kujtoj se ne jemi në koalicion me PD-në, jo në opozitë me atë. Që këtu lindin edhe qëndrimet tona politike. Megjithatë, në disa elementë, ne kemi ruajtur linja të ndryshme nga linjat e koalicionit. Por këto nuk kanë qenë elemente të rëndësishëm politikë, por nuanca. Kur ti bën pjesë në një koalicion, kur ti pranon një program të përbashkët të koalicionit, atëherë në linjat e përgjithshme politike ti duhet të jesh sinkron me koalicionin. Pra, je i detyruar që të pranosh në përgjithësi ato linja politike. Qenia në një koalicion, nuk do të thotë vetëm që të bashkëpunosh në fushatë dhe vetëm të përfitosh më tej nga koalicioni, por edhe të japësh kontributin dhe në sinkron me të. Për mua ky është një element themeltar i koalicionit. Ai i cili mendon dhe gjykon se koalicioni është një ambient politik, ku secili nga anëtarët mund të bëjë çfarë të dojë, për mua tregon se ka një papjekuri politike, dhe një moskuptim të drejtë të asaj se çfarë dhe si funksionon një koalicion i vërtetë politik. Edhe qëndrimi ynë ka qenë në këto linja. Për këto arsye, ne jemi përpjekur, që edhe ato elementë politike që mund të mos i kemi perceptuar krejt njëlloj me PD, apo me partitë e tjera të koalicionit, t'i zgjidhim brenda koalicionit dhe jo t'i eksportojmë jashtë tij, siç edhe në fakt ka ndodhur disa here. P.sh., këtë gjë ne e realizuam dhe në procesin e diskutimit të ndryshimeve kushtetuese. Ne u përpoqëm që të ishim shumë racionalë gjatë këtij procesi. Disa herë vepruam ndryshe nga sa vepruan disa parti të tjera të koalicionit, që për hir të së vërtetës dhe e kaluan racionalitetin. Ne u përpoqëm dhe bëmë të mundur që çështjen në fjalë ta transferonim brenda koalicionit, në kundërshtim me disa iniciativa tryezash me parti mikse apo takime me diplomatë të huaj. Pra kërkuam me forcë që të hapej dialogu brenda koalicionit, dhe të tentohej që të gjendej një gjuhë e përbashkët brenda tij, gjë që në fakt u arrit. Dhe kjo u tregua me një votë të përbashkët, në votimin që u bë për paketën kushtetuese. Pra qëndrimi ynë ka qenë që të mos transportonim problemet jashtë koalicionit, por t'i zgjidhnim brenda tij.
Për ta zhvilluar me tej përgjigjen e pyetjes suaj, dua të konfirmoj gjithashtu se në shumicën e çështjeve, ne kemi qenë të afërt me PD-në. Unë këtë nuk e mohoj. Ne kemi qenë dhe do të jemi të afërt me PD-në. Dhe kjo ka një sens. Së pari, unë mendoj se ne edhe PD kemi një përkatësi ideologjike të përbashkët, kemi një origjinë të përbashkët, jemi në të njëjtin grupim politik evropian, atë të Partive Popullore Europiane, dhe kjo është vendimtare për të sotmen dhe për të nesërmen. Unë do të thosha se divergjencat që ne kemi pasur me PD-në, lufta politike, që ne kemi pasur me të në vitet e kaluara, sot i takojnë të kaluarës. Mbi këtë bazë u ngrit koalicioni ynë dhe mendoj se mbi këtë bazë do të forcohet dhe rritet edhe bashkëpunimi ynë i ardhshëm. Pra të dyja forcat tona rriten mbi një platformë, rriten me një bazë ideologjike, dhe në fund të fundit, mbi një të kaluar lufte për demokraci që në vitin 1990. Pra unë mendoj se të gjitha këto bëjnë të natyrshme, që në shumicën dërrmuese të qëndrimeve politike më të rëndësishme, ne të jemi të njëjtë me PD-në. Pra ky qëndrim, ky afrimitet, kjo përshtatje politike është e natyrshme.
Pra, ju nuk e përjashtoni mundësisë e bashkimit me PD-në?
Në politikë nuk mund të thuhet asnjëherë "kurrë" dhe për asgjë. Padyshim që koalicioni ka nevojë për një riadaptim, për t'u bërë më i domosdoshëm për zgjedhjet e ardhshme. Por deri ku do të shkojë bashkëpunimi apo bashkimi ynë me PD, si do të arrijë të paraqitet ai, kjo është një çështje që duhet të zhvillohet hap pas hapi, pa vendosur kufijtë për format e nesërme të afrimit midis nesh. Padyshim që kjo do të varet nga vullneti dhe interesat e të dy palëve. Kjo nuk varet vetëm nga dëshirat tona, apo nga vetëm ato të PD. Ndaj mundësinë e një bashkimi me PD-në, në një formë apo tjetër, unë sot as mund ta afirmoj, por as ta mohoj. Sidoqoftë unë mendoj se deri në fund të këtij viti, duhet të vendosen pak a shumë edhe format e bashkëpunimit të ardhshëm, mes forcave tona politike, veçanërisht e parë kjo në planin e zgjedhjeve të ardhshme. Sidoqoftë, unë në një pikë jam i sigurt, që ky bashkëpunim duhet forcuar gjithmonë dhe më tepër, sepse ky nuk është një proces artificial dhe i imponuar nga disa interesa të çastit, por është një proces i natyrshëm, për arsyet që theksova më sipër.
Folët për interesa të partive. Nisur edhe nga ndryshimi i sistemit zgjedhor, ku pak hapësirë lihet për partitë e vogla (përfshi këtu edhe partinë ku ju bëni pjesë), cili është interesi më i mirë i PDR-së?
Interesi ynë është që të japim një kontribut më të madh, që të kemi sa më shumë hapësirë në skenën politike shqiptare dhe kështu të realizojmë ato ide që mendojmë se janë të vlefshme për vendin. Interesi ynë është që qendra e djathtë të rikonfirmohet në zgjedhjet e ardhshme. Dhe në këtë proces ne nuk mund të jemi statik. Nëse në një moment të caktuar ne kemi pasur një qëndrim, kjo nuk do të thotë që ky është i pandryshueshëm, pasi kjo varet nga ndryshimi i situatave dhe i marrëdhënieve. Pra unë i shikoj gjërat në evolucion. Kështu ne dje, kur ishim në divergjenca me PD, kur alternativat dhe mendimet tona nuk gjetën hapësira aty, kur ne konstatuam se aty nuk mund të jepnim me kontributin, për arsye nga më të ndryshmet, në fillim krijuam aty një fraksion dhe më pas një force politike të veçantë. Sot gjërat kanë ndryshuar thellësisht, kështu që ka filluar një proces invers, me krijimin e koalicionit tonë, proces i cili, unë mendoj se duhet të zhvillohet më tej.
Deri ku?
Le t'ia lëmë të nesërmes ta japë këtë përgjigje.
Z.Shehu nëse unë do t'ju pyesja para tre- katër vitesh për mundësinë e një bashkimi mes jush dhe PD, do më jepnit një përgjigje "jo" të prerë...
Padiskutim që kjo është e vërtetë.
Atëherë, çfarë ka ndryshuar tek PD, apo tek ju, kur para disa vitesh ishte thuajse i pamundur bashkëpunimi midis jush?
Po, sepse të tilla ishin marrëdhëniet tona në ato vite. Ishin të një niveli mosbesimi të thellë, nivel divergjencash, qoftë dhe si pasojë e një lufte të ashpër politike që u zhvilluan midis nesh dhe PD-së në të kaluarën. Arsyet ishin të shumta, objektive e subjektive, pa dashur sot të thellohem në shkaqet apo përgjegjësitë. Por kjo situatë tashmë ka ndryshuar thellësisht. Tre vite e ca në koalicion të suksesshëm, një fushatë e përbashkët elektorale politike e fituar, zgjedhjet lokale që kaluam po bashkë, bashkëpunimi i këtyre viteve, interesat e përbashkëta për të ardhmen e vendit, unë do të thosha se kanë bërë që të rikrijohet jo vetëm besimi politik, por dhe ai njerëzor reciprok. Ky është opinioni im, për sa i përket atij të PD-së, këtë duhet t'ia kërkosh kësaj të fundit. Por shpresoj edhe besoj që edhe ata të kenë të njëjtin qëndrim, besim dhe qëllim, siç kemi edhe ne ndaj tyre apo bashkëpunimit tonë të ardhshëm. Kjo është politika aktive e jo statike. Unë mendoj se kjo është një politikë emancipuese dhe në lëvizje. Ne nuk mund të mbetemi peng i një të kaluare. Derisa ne pranuam koalicionin, derisa kjo u tregua e suksesshme, padyshim që hapat e zhvillimit të mëtejshëm do të jenë përpara, ndaj dhe nga alternativat që shtroni ju, qoftë dhe ai bashkimit të nesërm, nuk mund të përjashtohet apriori asnjë. Pra unë mendoj se çdo gjë do të varet nga interesat e përbashkëta të perspektivës, mënyra se si do të zhvillohet dialogu midis nesh në këtë periudhë, apo elemente te tjerë, që duhet të përballohen me racionalitet e mençuri nga ne së bashku.
Ju e keni diskutuar këtë mundësi me zyrtarë të lartë të PD-së?
Unë mendoj që këto nuk janë gjera që hartohen vetëm mes tavolinash, por që ndoshta kanë në bazë një element më të rëndësishëm. Këto janë fenomenet që vijnë rrjedhshëm nga zhvillimi i ngjarjeve. Këtë që e them sot, nuk e bëj nisur nga bisedat, gjë, e cila për mua ka pak rëndësi, në këtë stad, por duke analizuar zhvillimet e ngjarjeve të deritanishme politike dhe përpjekjet e përbashkëta për reforma në këtë periudhë qeverisje. Unë këtë konkluzion e nxjerr në bazë të një analize komplekse tre-katër vjeçare, që ka evidentuar çdo ditë e më tepër të përbashkëtat midis nesh, duke zbehur ndjeshëm divergjencat tona të së kaluarës. Gjithashtu këtë e them dhe mbi bazën e një tendence politike e vullneti të elektoratit të vërejtur sot, te ne, apo dhe në politikën europiane. Le të kujtojmë rezultatin e taktikat e përdorura gjatë zgjedhjeve në Itali, që i dhanë atë fitore të madhe qendrës së djathtë aty. Pa dyshim që nesër do të vijë dhe momenti i diskutimeve të drejtpërdrejta, për gjetjen e formave konkrete të bashkëpunimit të ardhshëm, të cilat do të zgjidhen në bazë të interesave e vullneteve tona reciproke.
Ndër arsyet e forta që ju jeni ndarë me PD-në, ka qenë edhe nevoja e reformimit te saj, mungesa e demokracisë së brendshme. A ka ndryshuar PD në këto elemente esenciale sepse deri tani folëm për reforma, bashkëqeverisje etj.? A ka ndryshuar Berisha në këndvështrimin tuaj?
Të gjitha kanë ndryshuar. Madje ka ndryshuar vetë realiteti shqiptar. Nuk mund shihen me gjërat si disa vite më përpara. Unë mendoj se të gjithë kemi ndryshuar. Nuk ka njeri që nuk ka ndryshuar. Edhe unë kam ndryshuar. Edhe Genc Pollo ka ndryshuar. Edhe Sali Berisha ka ndryshuar. Edhe kolegët e mi kanë ndryshuar. Të gjithë jemi në një proces ndryshimi të vazhdueshëm. Ai që ngel statik, ai sot është i mbaruar. Ka ndryshime në vizionin tonë, në perceptimin tonë të fenomeneve, ka ndryshuar realiteti shqiptar në tërësi. Ne tani jemi anëtarë të NATO-s, shpejt presim të hapim negociatat për t'u bërë kandidatë për anëtarë në BE. Pra, kanë ndryshuar shumë gjëra.
Unë do të thosha se divergjencat që ne kemi pasur me PD-në, lufta politike që ne kemi pasur me të në vitet e kaluara, sot i takon të kaluarës. Mbi këtë bazë u ngrit koalicioni ynë dhe mendoj se mbi këtë bazë do të forcohet dhe rritet edhe bashkëpunimi ynë i ardhshëm. Pra të dyja forcat tona rriten mbi një platformë, rriten me një bazë ideologjike dhe në fund të fundit, mbi një të kaluar lufte për demokraci që në vitin 1990.
Në politikë nuk mund të thuhet asnjëherë "kurrë" dhe për asgjë. Padyshim që koalicioni ka nevojë për një riadaptim për t'u bërë më të domosdoshëm për zgjedhjet e ardhshme. Por deri ku do të shkojë bashkëpunimi apo bashkimi ynë me PD, si do të arrijë të paraqitet ai, kjo është një çështje që duhet të zhvillohet hap pas hapi, pa vendosur kufijtë për format e nesërme të afrimit midis nesh.
Ne nuk mund të mbetemi peng i një të kaluare. Derisa ne pranuam koalicionin, derisa kjo u tregua e suksesshme, padyshim që hapat e zhvillimit të mëtejshëm do të jenë përpara, ndaj dhe nga alternativat që shtroni ju, qoftë dhe ai bashkimit të nesërm, nuk mund të përjashtohet apriori asnjë.
Të gjitha kanë ndryshuar. Madje ka ndryshuar vetë realiteti shqiptar. Nuk mund shihen me gjërat si disa vite më përpara. Unë mendoj se të gjithë kemi ndryshuar. Nuk ka njeri që nuk ka ndryshuar. Edhe unë kam ndryshuar. Edhe Genc Pollo ka ndryshuar.