E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzimi me pronat, Berisha stimulon spiunët

Kanë përdorur edhe pushtetin e tyre për të zhdukur e për të mykur sa më shumë dokumentet
Qeveria është e vendosur për të shpërblyer qytetarët, të cilët do të japin informacion në lidhje me abuzimet e bëra me pronën. Në kuadër të plotësimit të kërkesave për të siguruar lëvizjen e lirë për shqiptarët, Kryeministri Berisha deklaroi dje në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së se qeveria do të vepronte me forcë për të vënë në vend padrejtësinë me pronën. Sipas Berishës, ligji “Antimafia”, i cili ka hyrë në fuqi do të jetë një “armë” më shumë në duart e qeverisë për të dënuar falsifikatorët e pronave, të cilët në pjesën më të madhe janë të lidhur ngushtë me pushtetin. Po dje, Kryeministri Berisha në Komitetin Ndërministror për Liberalizimin e Vizave theksoi se qeveria po vijonte të përmbushte me sukses kriteret që kërkoheshin për liberalizimin e vizave të shqiptarëve brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti.
Pronat
“Numri i pronarëve të regjistruar në mënyrë të paligjshme, ka rrezik që tejkalon qartë atë të pronarëve të vërtetë”, deklaroi Berisha në mbledhjen e grupit të demokratëve, duke premtuar zgjidhje të shpejtë për këtë problem. Kryeministri ftoi të gjithë qytetarët të jepnin kontributin e tyre për zgjidhjen e kësaj çështjeje, duke raportuar për të gjitha rastet e abuzimit me pronat që ata kishin dijeni. Sipas Berishës, në zbatim të ligjit të miratuar kohë më parë, këta qytetarë do të shpërbleheshin për informacionin që do të jepnin. “Ftoj të gjithë qytetarët që disponojnë të dhëna, t’i dorëzojnë ato, në interesin më të mirë të vendit. I garantoj se, në përputhje me ligjin, ata do të shpërblehen”, deklaroi Berisha. Sipas Kryeministrit, kjo thirrje për qytetarët vjen pasi, ata që kanë grabitur e plaçkitur, kanë përdorur edhe pushtetin e tyre për të zhdukur, për të mykur, për të pluhurosur sa më shumë dokumentet. Kryeministri deklaroi se denoncimi në celularin e tij nga një qytetar vlonjat për një aferë pronësie në bregdet, kishte mobilizuar agjencitë përkatëse deri në zgjidhjen e saj. Berisha deklaroi se lufta kundër falsifikimeve ishte e vështirë, por theksoi se hyrja në fuqi e ligjit “Antimafia” do t’i jepte më shumë ndihmë qeverisë në këtë betejë.
Vizat
Kryeministri Berisha garantoi dje përpjekjet maksimale të qeverisë që ai drejton në heqjen e rregjimit të vizave për qytetarët shqiptarë në gjashtë muajt e parë të këtij viti.
Kryeministri theksoi në mbledhjen e komisionit ndërministror se gjatë javëve që vijnë do të ketë dy inspektime nga Komisioni Europian lidhur me përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë për liberalizimin e vizave. Në këtë kuadër, Berisha theksoi se është e udhës të nxitohet për të plotësuar kuadrin e mbetur ligjor brenda muajit shkurt. “Misionet e ardhshme duhet të gjejnë të përmbushura të gjitha detyrimet tona që rrjedhin nga udhërrëfyesi, në mënyrë që vendimi, të merret sa më shpejt, ashtu sikurse ka përcaktuar në rezolutën e vetë Parlamenti Europian për Shqipërinë”, theksoi Berisha. Sipas tij, së shpejti do të miratohej edhe Moratoriumi i Skafeve, i cili penalizon lundrimin e mjeteve motorike në ujërat tona territoriale edhe për tre vjet të tjerë. Sipas Berishës, kjo nismë edhe “Antimafia” do të japin rezultatin e tyre në përmbushjen e aspiratës së Shqipërisë në liberalizimin e vizave. Nga ana tjetër, Berisha kërkoi më shumë mobilizim nga Ministria e Brendshme për shpërndarjen e pasaportave biometrike.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›