Dosjet për pastrimin e parave, të gjitha te Krimet e Rënda

“Antimafia” inaugurohet me urdhrin e Ina Ramës: Rivlerësim total krimit ekonomik
Prokuroria e Përgjithshme fillon të zbatojë ligjin e ri “Antimafie”. Zyrtarët e akuzës qendrore do të urdhërojnë të gjitha prokuroritë në rrethe që dosjet e pastrimit të parave të kalojnë për hetim te Krimet e Rënda. Krerët e Prokurorisë së Përgjithshme do të diskutojnë edhe për interpretimin e ligjit të ri, në lidhje me fushën e zbatimit, pasi ka disa paqartësi. Në nenin 3, i cili bën fjalë për “fushën e zbatimit”, prokurorët kanë “vërejtje” me nënpikën d), ku thuhet se dispozitat e këtij ligji zbatohen edhe për pasuritë e personave mbi të cilët ekziston një dyshim i arsyeshëm bazuar në indicie, për “kryerjen e krimeve për qëllime të fitimit të pasurive të paligjshme, të parashikuara në nenet 114/a dhe 287 të Kodit Penal”. Termi “kryerjen e krimeve për qëllime të fitimit” mund të jetë për një pjesë të mirë të neneve të Kodit Penal, çka do të bënte që dosjet e njësive Task-Forcë në prokuroritë e rretheve të kalonin te Krimet e Rënda. Pikërisht për këto paqartësi, akuza qendrore do të dërgojë në të gjitha prokuroritë një urdhër për përcaktimin e dosjeve dhe kritereve ligjore që mund të kalojnë te Krimet e Rënda. Sipas burimeve nga akuza qendrore, në diskutimet e grupeve të interesit, siç janë prokurorët e gjyqtarët, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve ndërkombëtarë, kanë diskutuar pikat e nxehta të këtij ligji.
Kundërshtimi
Gjyqtarët kanë kundërshtuar me “forcë” se për sekuestrimin e pasurive apo bllokimin e tyre duhet që të ketë një procedim penal dhe jo termi “bazuar në indicie”. Megjithatë, ndërkombëtarët, duke parë që ligji është miratuar dhe ka hyrë në fuqi, u kanë kërkuar prokurorëve dhe gjyqtarëve zbatimin e tyre në “terren” me të gjitha të metat, të cilat mund të rregullohen me akte nënligjore të nxjerra nga institucionet që prodhojnë ligje. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se zyra e sekuestrimeve te Krimet e Rënda disponon disa vendime të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, të cilët bëjnë fjalë për disa procedura që mund të përdoren në Shqipëri. Në datën 24 dhjetor të vitit të kaluar, shteti shqiptar “legalizoi” në Fletoren Zyrtare këtë ligj shumë të debatuar. Ndërkohë që hyrja në fuqi ishte 30 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, pra më 24 janar të vitit 2010. Gjatë kësaj kohe, misionet e huaja të ndihmës ligjore të akredituara në Tiranë, kanë zhvilluar takime me zyrën e sekuestrimeve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe me prokurorë nga njësia Task-Forcë në prokurori, ku janë diskutuar zbatimi i këtij ligji në territorin shqiptar, pasi shumë prona apo të holla kanë si prejardhje punën në të zezë dhe emigracionin.
Task-Forca
Tashmë, të gjitha dosjet që janë në “duart” e Krimeve të Rënda dhe të Task-Forcës për pastrim parash, do të kalojnë në “sitë” dhe do të vendoset sekuestro edhe nëse dosja penale është pushuar. Në këtë rast, barra e provës i atribuohet personit të akuzuar dhe jo institucioneve të drejtësisë. Mësohet se zyra e sekuestrimeve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda po punon për rivlerësimin e masave të sekuestros ndaj disa të pandehurve që janë në proces hetimi dhe gjykimi. Sipas të dhënave nga akuza qendrore, ligji i ri “Antimafie” do të prekë një pjesë të mirë të dosjeve që ndodhen në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në njësitë antikorrupsion. Sipas të dhënave nga prokuroria mund të preken edhe dosjet që janë nën hetim, ku nuk ka filluar procedimi penal dhe dosjet që janë pushuar, apo ku ka vendosur gjykata pafajësi. Mjafton që të jenë hetuar apo gjykuar për krim të organizuar e pastrim parash dhe do të bëhen objekt i këtij ligji.
#