Nxënësit e Qemal Stafës në protestë
Kundërshtojnë mënyrën e re të vlerësimit. Drejtoria: E anulluam këtë vendim
Të rinjtë e gjimnazit “Qemal Stafa” në Tiranë janë rebeluar, duke ikur dje nga orët e mësimit. Shkak i kësaj proteste është bërë një mënyrë e re vlerësimi e propozuar nga ana e drejtuesve të shkollës. Sipas urdhrit të ri të bërë publik në këtë shkollë, nxënësit do të vlerësoheshin në pjesën më të madhe mbi bazë të rezultateve të provimeve që do të zhvillonin. Ndërkohë që, të vështirë do ta kishin edhe ata që bëjnë mungesa në shkollë. Frekuentimi i ulët do të përkthehej ndryshe edhe në vlerësim më të ulët. Ndërkohë që, plotësimi i njëzet përqindshit të mungesave në një lëndë, automatikisht do ta konsideronte si të pakualifikuar nxënësin, megjithëse nuk do ta humbiste vitin shkollor. Po kështu, ky sistem i ri vlerësimi do të mbështetej mbi bazë të krediteve, sistem për të cilin nxënësit nuk janë dakord dhe thonë se dëmtohen me pa të drejtë.
Protesta e një grupi të rinjsh, të njërit ndër gjimnazet më të mira të kryeqytetit, përveçse ka filluar në ambientet e shkollës është zhvendosur edhe në dyert e Ministrisë së Arsimit. Ata kanë kërkuar të gjendet një zgjidhje, duke anuluar këtë urdhër, që sipas tyre, i penalizon dhe i ul rezultatet në mësime, në mënyrë arbitrare.
Nga ana tjetër, drejtoresha e këtij gjimnazi, në përpjekje për të qetësuar të rinjtë u ka komunikuar atyre faktin se, urdhri për këtë sistem të ri vlerësimi është anuluar dhe të gjithë duhej t’i riktheheshin procesit mësimor. Por, një gjë e tillë duket se sërish nuk i ka kënaqur të rinjtë, të cilët nuk e kanë besuar këtë version të drejtuesve të shkollës. Ata janë shprehur se nuk janë në dijeni të asnjë urdhri të dytë, që anulonte sistemin e vlerësimit me kredite, provime dhe mungesa. Për rrjedhim drejtoria e kësaj shkolle e ka konsideruar këtë protestë të nxënësve të tyre, si një pretekst që ata kanë gjetur për të braktisur orët e mësimit.
#