E Hënë, 2 Nëntor 2026

Adams viziton zyrën e Ramës: Artisti brenda jush vazhdon të jetë gjallë

TIRANË, 8 tetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama prit sot në takim kryetarin e bashkisë së Nju-Jorkut, Eric Adams, ndërsa ndau dhe pamje nga vizita e tij në zyrën e kreut të qeverisë.

“Me mikun e shtrenjtë të shqiptarëve të Nju-Jorkut, kryebashkiakun Eric Adams sot në Tiranë”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale, teksa ndau edhe një video nga takimi.

Kreu i qeverisë i tregoi kryebashkiakut Adams ambientet e Kryeministrisë, kopshtin “Eden”, si dhe zyrën e tij.

Adams tregoi interes për vizatimet e bërë nga kryeministri.

“Kjo është zyra ime, e cila është edhe një studio arti”, tha Rama, teksa i tregoi zyrën e tij kryebashkiakut Adams.

“Shumë mbresëlënëse. I keni bërë ju vizatimet, të gjitha?”, pyeti ai.

“Po, të gjitha vizatimet vijnë nga kjo tryezë dhe pastaj bëhen letër muri”, u shpreh Rama.

“Pra, artisti brenda jush vazhdon të jetë gjallë!”, u shpreh Adams.

“Po, po. Mbijeton”, tha Rama.

Rama ndau dhe momente nga deklarata e përbashkët për shtyp pas takimit.

Rama u shpreh se, “kryetari i bashkisë së Nju-Jorkut, z. Adams, më në fund erdhi në Shqipëri, për të vizituar Shqipërinë, për të parë nga afër një vend për të cilin sigurisht ka dëgjuar shumë nga miqtë e tij shqiptarë, por edhe nga unë, dhe natyrisht për të diskutuar së bashku për atë që mund të bëjmë lidhur me turizmin dhe, duke qenë se kryetari i bashkisë ka qenë kyç në vendosjen e disa linjave direkte të Nju-Jorkut me vende të tjera, për të parë mundësinë e nxitjes, e një nxitjeje ekstra në përpjekjen që ne po bëjmë për vendosur fluturimin direkt me Nju-Jorkun dhe duke qenë ai shumë i interesuar për teknologjinë, ka shumë dëshirë që të takohet edhe me Diellën”.

Ndërsa kryebashkiaku Adams u shpreh në fjalën e tij se, “vitin e kaluar, 65 milionë turistë vizituan Nju-Jorkun dhe dua që ky numër të rritet me vizitorë dhe nga ky vend”.

“Do të inkurajoj, pavarësisht kush do të jetë kryetari i bashkisë në vitet në vijim, për të hedhur sytë nga ky vend për mundësi biznesi dhe anasjelltas”, tha ai.

“Ne do të mësojmë nga njëri-tjetri, do të rritemi së bashku ashtu siç bëjmë në Nju-Jork e ashtu siç po bëni dhe ju këtu në këtë vend me histori të pasur, kështu që faleminderit, miku im, që ma bëtë të mundur të vija e që të shpenzoja kohë me ju”, u shpreh kryebashkiaku i Nju-Jorkut, Eric Adams.

Kryebashkiaku i Nju-Jorkut ndodhet prej disa ditësh në Shqipëri. Ai ka vizituar një ditë më  parë Vlorën. Gjatë vizitën në vendin tonë është takuar me drejtues të biznesit dhe teknologjisë, teksa po diskuton dhe mundësi të reja bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Nju-Jorkut.

/gj.m//r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›