E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ademi: KOKSH po saboton zgjedhjet

Zgjedhjet në KOKSH, të cilat priten të mbahen në 6 dhjetorin e ardhshëm, duket se do të jenë të nxehta.

Një gjë e tillë ka filluar të pasqyrohet që në periudhën parazgjedhore, e cila po karakterizohet nga tensioni dhe akuzat.

Është pikërisht njëri nga kandidatët për postin e presidentit të organizatës “ombrellë” të federatave sportive, ai që nuk i ka kursyer akuzat në drejtim të drejtuesve aktualë të KOKSH-it, duke ndezur kështu atmosferën parazgjedhore.

Bëhet fjalë për Esat Ademin, presidentin e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Ai ankohet se nuk po i krijohen kushtet për garë të barabartë dhe se dikush po mundohet të sabotojë zgjedhjet.

“Që prej 20 nëntorit, kur kam shpallur kandidaturën, kam kërkuar listën emërore të pjesëmarrësve në asamble, ka thënë dje Ademi, por ende sot e kësaj dite nuk kam marrë përgjigje. Kandidimi im për postin e presidentit të KOKSH-it po shoqërohet me disa zhvillime aspak serioze nga ana e saj.Nga informacioni që kam, drejtuesit e KOKSH-it u kanë lënë afat federatave dhe shoqatave datën 1 dhjetor 2008 për të sjellë pjesëmarrësit në asamble”.

Zgjedhjet mbahen 5 ditë pas afatit, gjë e cila, sipas tij, nuk lë kohë të mjaftueshme për të bërë një fushatë zgjedhore normale dhe serioze. Më tej zoti Ademi sulmon organizatorët e zgjedhjeve, të cilët i vë në qendër të akuzave për këtë situatë jo normale.

“Nuk di se kush do të votojë, nuk di se kush janë zyrtarisht konkurrentët dhe nuk më duket aspak serioze që vetëm 10 ditë nga mbledhja e asamblesë të jetë kjo situatë dhe të mos dihet se me kë duhet të flas për të paraqitur programin tim”, nënvizon kandidati në fjalë.

“Në këto kushte jam i detyruar të denoncoj drejtuesit e KOKSH-it, të cilët me ose pa dashje po sabotojnë kandidaturën time, duke mos krijuar asnjë kusht minimal për një pjesëmarrje të rregullt në zgjedhjet e KOKSH-it. Gjithë sa po ndodh është në shkelje të hapur të statutit të KOKSH-it dhe unë u bëj thirrje publike drejtuesve të KOKSH-it që të respektojnë rregullat dhe veten e tyre”.

Deri tani rivali i vetëm i Ademit në këtë garë është Fidel Ylli, ish-shefi i delegacionit shqiptar në Olimpiadën e Pekinit.



Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›