E Shtunë, 31 Tetor 2026

Altin Lala, operacion për të kaluar dëmtimin

Në paraditen e sotme, Altin Lala do t’i nënshtrohet operacionit pas problemeve me hernien diskale.

Kapiteni i kombëtares shqiptare vuan prej disa javësh nga ky shqetësim dhe pasi është konsultuar në mënyrë të detajuar me stafin mjekësor të Hanoverit, trajnerin e skuadrës, Dieter Heking dhe menaxherin e tij, vendosi të kryejë ndërhyrjen kirurgjikale.

Mesfushori u konsultua edhe me doktor Myler Volfhart (që më parë ka punuar si mjek i Bajernit të Mynihut dhe i përfaqësueses gjermane).

Pavarësisht punës së diferencuar dhe programit të veçantë për rehabilitim, Volfhart nuk pa asnjë përmirësim dhe i konfirmoi mesfushorit se nuk kishte zgjidhje tjetër përveç “thikës”.

Vendimi nuk ka qenë aspak i thjeshtë për t’u marrë, por më në fund, 32-vjeçari e ka cilësuar operacionin si mënyrën më të mirë për t’u rikuperuar sa më shpejt që të jetë e mundur.

Operacioni

Ndërhyrja do të kryhet nga prof. dr. Volfgang R. Lanksh, një specialist në Institutin Ndërkombëtar të Neuroshkencës (INI) në Hanover. Ai njihet si një mjeshtër i këtij lloj operacioni, madje në të kaluarën ka kuruar edhe futbollistë të tjerë të njohur të Bundesligës, si Bernd Shnajder dhe Jan Shlaudraf.

Sipas faqes elektronike të Hanoverit, Altin Lala është bindur rreth aftësive të doktorit edhe nga fizeoterapisti i klubit, Vego Kregehr, i cili i ka thënë se “me Lanksh ai është në duar shumë të mira”.

Fakt tjetër shumë interesant është se në të kaluarën, specialisti ka operuar nga hernia diskale edhe ish-trajnerin e përfaqësueses gjermane, Jurgen Klinsman.

44-vjeçari, që tashmë drejton stolin e Bajernit të Mynihut, iu nënshtrua të njëjtës ndërhyrje në shtator të vitit 2007. Tabloidi “Bild” bënte edhe një krahasim mjaft interesant, duke cituar se “pas operacionit me doktor Lanksh, tashmë ‘Klinsi’ kërcen rreth stolit të gjigantëve bavarezë”.

Rikthimi

Zyrtarët e Hanoverit nuk flasin për periudhën që do t’i duhet Altin Lalës për t’u rehabilituar, edhe sepse më parë ata presin të shohin rezultatet e operacionit.

“Mungesa e Altinit është e papërcaktuar. Ende nuk mund të flasim me qartësi rreth kohës që do t’i duhet mesfushorit me tipare mbrojtëse që të rikthehet në fushën e lojës”, theksoi zyra e shtypit pranë klubit gjerman.

“Ne urojmë që ai të jetë sa më shpejt në dispozicion të skuadrës”. Lala nuk luan që prej fillimit të këtij muaji, por sipas llogarive ai duhet të rifillojë stërvitjen në janar të vitit 2009, pas afro gjashtë javëve pushim absolut.

Në këtë mënyrë, “zemër luftëtari” pritet të jetë në fushë edhe në sfidën eliminatore të Botërorit 2010, që Shqipëria do të luajë më 11 shkurt në fushën e Maltës. Kontributi i tij në këtë sfidë delikate për kuqezinjtë e Ari Han është mjaft i rëndësishëm, për të siguruar tri pikët e radhës në grup.
 



Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›