Ademi kandidon për një post drejtues në FBSH

Por tashmë duket se ka ardhur momenti që vendi ynë të përfaqësohet për herë të parë me një drejtues në një nga organizmat e larta sportive botërore, siç është Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes.
Ky është një nga lajmet e mira që ka mbërritur në fund në lidhje me sportin peshëngritjes. Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Esat Ademi, mësohet se do të kandidojë për të marrë një nga postet: ose atë të zv/presidentit të Federatës Botërore të Peshëngritjes, ose atë të anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të këtij institucioni ndërkombëtar sportiv.
Kjo kandidaturë është zyrtarizuar dje përpara gazetarëve nga sekretari i FSHP-së, Ilir Kraja. “Këto kandidime janë një tjetër tregues i reputacionit dhe prestigjit, që gëzon Federata Shqiptare e Peshëngritjes në arenën ndërkombëtare, si dhe konfirmon autoritetin e presidentit Ademi në familjen botërore të peshëngritjes”.
Presidenti FSHP-së, Esat Ademi, është njëkohësisht edhe presidenti aktual i Konfederatës Mesdhetare të Peshëngritjes dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv në Federatën Evropiane. Kongresi i Federatës Ndërkombëtare të Peshëngritjes do të mbahet në Madrid më 31 mars.
Vetëm pak kohë më parë, në muajin dhjetor 2008, Ademi ishte në garë për postin e presidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, ku rival të vetëm kishte Fidel Yllin. Por Asambleja Zgjedhore e KOKSH-it dështoi për shkak të dhunës që shpërtheu gjatë votimit. Kjo i shtyu drejtuesit të pezullonin punimet e Asamblesë deri në një kohë të pacaktuar. Data e zgjedhje tashmë pritet të përcaktohet në bashkëpunim me drejtuesit e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (CIO).