Administrata e Gjykatës së Apelit bojkoton shërbimet: Mos prekni pagat tona!

Administrata e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka bojkotuar shërbimet në gjykatë dhe u është drejtuar me kërkesë urgjente institucioneve përkatëse, duke kërkuar zgjidhjen e menjëhershme të situatës së krijuar me pagat, rishikimin urgjent të trajtimit financiar dhe garantimin e kushteve dinjitoze të punës.
“Mos prekni pagat tona! Paga nuk është privilegj dhe as favor. Është e drejtë që buron nga puna e kryer dhe siguria ekonomike mbi të cilën punonjësi dhe familja e tij përballojnë jetesën dhe detyrimet e përditshme. Problemet administrative, buxhetore apo ndërinstitucionale nuk mund të zgjidhen duke ua transferuar koston punonjësve.”
Reagimi nuk lidhet vetëm me situatën e momentit, por me një problematikë të akumuluar prej vitesh, e cila është thelluar pas zbatimit të hartës së re gjyqësore. Bashkimi i gjashtë gjykatave të apelit dhe shtrirja e juridiksionit në të gjithë territorin e vendit sollën një rritje të ndjeshme të volumit, intensitetit dhe përgjegjësisë së punës, pa u shoqëruar proporcionalisht me shtim personeli, burime të mjaftueshme dhe përmirësim të trajtimit financiar.
Reforma ndryshoi rrënjësisht realitetin e punës së administratës, por paga e saj nuk ndryshoi në raport me barrën e re që iu ngarkua.
Përtej trajtimit financiar, administrata ngre alarmin për një çështje edhe më serioze: shëndetin fizik dhe mendor të punonjësve dhe pasojat që mënyra aktuale e punës po sjell në jetën e tyre familjare.
Orët e tejzgjatura, puna e përsëritur jashtë orarit zyrtar, në fundjavë dhe ditë pushimi, presioni i vazhdueshëm i afateve dhe mbingarkesa, të kombinuara me zyra të mbipopulluara, hapësira të pamjaftueshme, ajrim jo të përshtatshëm dhe probleme me ngrohjen e ftohjen, kanë krijuar një situatë që punonjësit e konsiderojnë të papranueshme.
“Po kërcënohet seriozisht shëndeti ynë fizik dhe mendor. Orët e tejzgjatura të punës kanë cenuar kohën e domosdoshme të pushimit dhe kanë rënduar ndjeshëm pozitat tona familjare. Funksionimi i një institucioni nuk mund të sigurohet duke konsumuar fizikisht, psikologjikisht dhe familjarisht njerëzit që e mbajnë atë çdo ditë në këmbë.”
Administrata thekson se këto kushte janë në mospërputhje serioze me standardet europiane të mbrojtjes së dinjitetit, shëndetit dhe sigurisë në punë, si dhe të respektimit të jetës private dhe familjare, vlera të mbrojtura edhe nga sistemi europian i të drejtave të njeriut.
“Nuk mund të kërkohet standard europian në dhënien e drejtësisë dhe, në të njëjtën kohë, të tolerohen kushte pune që nuk përputhen me standardet europiane për njerëzit që i shërbejnë asaj. Është paradoksale që një sistem i ngritur për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve t’i vendosë punonjësit e vet në pozitën që të kërkojnë respektimin e të drejtave të tyre më elementare.”
Në këto rrethana, administrata kërkon rishikimin dhe rritjen urgjente të pagave, duke argumentuar se kjo nuk është kërkesë për privilegj, por domosdoshmëri për të rivendosur një raport të drejtë ndërmjet ngarkesës, përgjegjësisë dhe shpërblimit.
“Nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë proporcionalitet. Nëse reforma shumëfishoi ngarkesën, rriti intensitetin e punës dhe përgjegjësinë individuale, atëherë kjo duhet të reflektohet edhe në pagë. Nuk mund të kërkohet gjithnjë e më shumë nga punonjësi, ndërsa trajtimi i tij financiar mbetet i shkëputur nga realiteti i punës që kryen.”
Veç rishikimit të pagave, kërkohet që puna jashtë orarit dhe në ditët e pushimit të trajtohet e kompensohet sipas kuadrit ligjor dhe që kushtet fizike të punës të mos mbeten më një problem i shtyrë në kohë.
Administrata paralajmëron se cenimi i pagës përbën një vijë që nuk duhet kaluar. Paga është kundërvlera e punës së kryer dhe nuk mund të shndërrohet në instrument përmes të cilit punonjësit mbajnë pasojat e problematikave administrative apo financiare të institucioneve.
Mesazhi për institucionet përkatëse është i drejtpërdrejtë:
“PAGAT TONA NUK PREKEN. Mos ua transferoni familjeve tona koston e problemeve institucionale. Rishikoni urgjentisht pagat, njihni realitetin e ngarkesës sonë dhe garantoni kushte pune që të mos na kushtojnë shëndetin fizik, mirëqenien mendore dhe jetën familjare. Një sistem që ka për mision të japë drejtësi duhet, para së gjithash, të jetë i drejtë me njerëzit që punojnë çdo ditë për funksionimin e tij.”