Ministria e Mbrojtjes jep përditësimet mbi situatën: 43 vatra brenda 24 orëve

Shqipëria vijon të përballet me vatra zjarri në disa qarqe.
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 43 vatra, prej të cilave 11 mbeten aktive, 8 janë nën mbikëqyrje dhe 24 janë shuar.
Në terren janë angazhuar qindra forca vendore dhe të Forcave të Armatosura, ndërsa ndërhyrjet nga ajri janë kryer me helikopterë dhe një avion Air Tractor.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në operacione janë përfshirë 614 forca vendore, 355 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 70 automjete zjarrfikëse, krahas mjeteve të tjera të FA.
Gjatë operacioneve janë zhvilluar katër ndërhyrje me helikopterë dhe një me avion Air Tractor.
Një nga zonat ku zjarri vijon aktiv është Mali i Dajtit. Flakët janë përhapur në sipërfaqe me pyll ahu dhe shkurre.
Në operacion janë angazhuar zjarrfikës, forca të ADM-së dhe 74 efektivë të Forcave të Armatosura me mjete dhe autoambulancë, ndërsa është përdorur edhe një avion Air Tractor.
Për momentin nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Qarkun Dibër janë aktive katër vatra, në Vajkal të Bulqizës, Lundre–Madhesh të Matit, Qafën e Helmes në Fushë-Bulqizë dhe Cerrujë–Mali i Allushit në Klos.
Në Lundre–Madhesh po ndërhyjnë 33 forca vendore dhe 37 efektivë të FA me mjete, ndërsa në zonë ka operuar edhe një helikopter i Forcës Ajrore.
Edhe në këto vatra nuk raportohet rrezik për banesat.
Situata kërkon ndërhyrje të vazhdueshme edhe në Qarkun Lezhë, ku mbeten aktive vatrat në Gallatë të Kurbinit dhe në Kalivaç–Zimaj–Kashnjet.
Kjo e fundit paraqet situatën më intensive. Në terren janë angazhuar 63 forca vendore e vullnetare dhe 132 efektivë të FA, me mjete zjarrfikëse dhe autoambulanca.
Në operacion ka marrë pjesë edhe një helikopter i Forcës Ajrore.
Rreziku për banesat është shmangur.
Në Elbasan, zjarri vijon aktiv në Gurëshpatë, në njësinë administrative Polis të Librazhdit.
Forcat zjarrfikëse po punojnë për kontrollin e situatës, ndërsa vatra në malin e Qukësit, në Prrenjas, mbahet nën mbikëqyrje. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Edhe Shkodra vijon të ketë disa vatra aktive.
Flakët janë raportuar në Mnelë të Vogël në Vau-Dejës, në Bardhaj–Myselim dhe në malin e Tërbunit në Pukë.
Në Bardhaj–Myselim janë angazhuar forca vendore dhe 58 efektivë të FA, ndërsa ka operuar edhe një helikopter.
Në Tërbun po punojnë 46 forca vendore e policore dhe 42 efektivë të Forcave të Armatosura me mjete dhe autoambulancë.
Në të dyja zonat nuk raportohet rrezik për banesat.
Ndërkohë, në Vlorë, vatra në Bolenë, Horë-Vranisht, Himarë është nën mbikëqyrje.
Zjarri i riaktivizuar në Kropisht të Selenicës është shpallur i fikur.
Në Fier, vatrat në Peshtan dhe Çërrilë të Mallakastrës vijojnë nën mbikëqyrje nga strukturat zjarrfikëse.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po ndjek situatën në të gjithë vendin në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të Mbrojtjes Civile. Forcat operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri, me fokus te mbrojtja e banesave, qytetarëve, pasurisë dhe mjedisit.