Administrata e Kuvendit përfiton përvojë nga parlamenti skocez

TIRANË, 20 dhjetor /ATSH/ Një grup përfaqësie nga Administrata e Kuvendit të Shqipërisë, e kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm, Genci Gjonçaj zhvilloi një vizitë studimore në parlamentin e Skocisë në datat 17-19 dhjetor, vizitë kjo e mbështetur nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri.
Fokusi i vizitës ishte krijimi i urave të komunikimit dhe shkëmbimi i eksperiencave mes administratës së Kuvendit të Shqipërisë dhe asaj të parlamentit skocez mbi çështje specifike që lidhen me Menaxhimin Organizativ, Planifikimin Strategjik, Diplomacinë Parlamentare dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, përfshirjen e publikut në procesin legjislativ.
Gjatë vizitës u zhvillua një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të parlamentit skocez, David McGill, i cili u shpreh i bindur për mundësitë shumë të mira të bashkëpunimit dhe vizitave të ndërsjella për shkëmbimin e eksperiencave mes administratave të dy parlamenteve.
Sekretari i Kuvendit të Shqipërisë, Genci Gjonçaj, tha se “parlamentet janë institucione që kanë shumë sfida të përbashkëta dhe duke diskutuar mes kolegëve për praktikat më të mira mund të gjenden zgjidhje për vështirësitë e hasura”.
Në fokus të bisedimeve ishin tema të tilla si: Autonomia financiare dhe administrative e parlamenteve; struktura e re organizative e parlamentit skocez; sfidat dhe mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen.
Gjonçaj i përcolli falënderimet McGill, përmes tij edhe stafit të Departamentit të Menaxhimit të Strategjive, për gatishmërinë e treguar në mbështetjen e stafit të Kuvendit dhe ndarjen e eksperiencës së tyre në përgatitjen e Planit Strategjik, qoftë përmes takimeve on-line, qoftë përmes ndarjes së dokumenteve me grupin e punës të ngritur në Kuvendin e Shqipërisë për përgatitjen e Planit Strategjik 2025-2030.
Drejtues të tjerë nga administrata e parlamentit skocez paraqitën disa prezantime në lidhje me çështje të tilla si: trajtimi i deputetëve, punësimi dhe trajnimi i burimeve njerëzore, transparenca dhe angazhimi i publikut në procesin ligjbërës.
Lidhur me angazhimin e publikut, grupeve të interesit në punën e komisioneve parlamentare u ndanë arritjet, por edhe sfidat me të cilat ndeshen institucionet. Praktika e Kuvendit të Shqipërisë në drejtim të edukimi qytetar, në veçanti Punishtja e Demokracisë dhe Qendra e Vizitorëve, u panë me shumë interes nga stafi i parlamentit skocez, të cilët shfaqën dëshirën t’i vizitonin nga afër.
Gjatë të gjitha takimeve, edhe nga përfaqësuesit e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri u shpreh angazhimi për thellimin dhe konkretizimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve gjatë vitit 2025 dhe në vazhdim.
Nga vizita studimore e grupit përfaqësues nga Kuvendi i Shqipërisë në Parlamentin e Skocisë 1 nga 9/r.e/