E Shtunë, 31 Tetor 2026

Administrata, paga minimale do rritet me 1 mijë lekë

Ministri i Punës Spiro Ksera ka premtuar dje në ditën e dytë të panairit të punës se do të rritet paga minimale me 1 mijë lekë si për punonjësit e administratës shtetërore ashtu dhe për atë private. Do të kemi një rritje këtë vit të pagës minimale. Kjo do të diskutohet në Këshillin Kombëtar të Punës, një diskutim dhe një vendimmarrje duke marr parasysh të gjitha kërkesat e biznesit, por dhe të sindikatave. Është 20 mijë lekë aktualisht, ne themi të shkojë 21 mijë, vijoi Ksera.
Niveli i papunësisë
Ministri siguroi gjithashtu se Ministria do të angazhohet për një ulje të të mëtejshme të numrit të të papunëve, ku deri në fund të vitit 2012, papunësia të shkojë nën masën 13 %. Nga e gjithë kjo situatë e ndikimit të krizës së borxheve dhe të presionit te tregu i punës ne kemi arritur që nivelin e papunësisë ta zvogëlojmë nga 13.7 për qind (që ka qenë në vitin e kaluar) në 13.26 për qind, dhe shpresojmë që deri në fund të vitit të kemi një ulje akoma me 0.4 për qind, tha Spiro Ksera, ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale. Sektorët që kanë krijuar mundësi punësimi janë ai i industrisë së fasonëve, industrive përpunuese si dhe projektet koncesionare.
Ministria e Arsimit
Gjatë konferencës për shtyp të organizuar dje në Panairin e Punës, ishin të ftuar edhe përfaqësues të bizneseve shqiptare, si dhe zv.ministrja e Arsimit Nora Malaj. Zonja Malaj gjatë fjalës së saj u ndal në ligjin e ri të arsimit parauniversitar, i cili pritet të përmirësojë ndjeshëm nivelin e mësimdhënies dhe mesminxënies në shkollat shqiptare. Pa arsim dhe pa objektiva të qarta nuk mund të ketë punë dhe një standard të lartë jetese për asnjë individ dhe shoqëri, u shpreh Malaj.
Shoqata e Ndërtuesve
Ndërsa Avenir Kika, kryetar i Shoqatës se Ndërtuesve u ndal në disa problematika që karakterizojnë sot tregun e punës në Shqipëri. Vendet e punës nuk duhet të përqendrohen vetëm në trekëndëshin; Tiranë, Durrës Elbasan, por të shtrihen edhe në qytete të tjera sidomos ne zonat rurale, ku 50 % e popullsisë janë të papunë dhe përballen çdo ditë me vështirësi të mëdha ekonomike, kritikoi Avenir Kika, kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve. Panairi i punës do të qëndrojë i hapur deri më datë 2 maj. Kompanitë dhe bizneset që marrin pjesë në këtë panair do të ofrojnë rreth 2 mijë vende pune, ku prioritet do të kenë të rinjtë e sapo diplomuar dhe që skanë mundur të sigurojnë ende një vend pune në profesionin e tyre.

>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>

Panair edhe në Durrës, oferta pune për të rinjtë

Kompanitë private që ushtrojnë aktivitetin e tyre tregtar në Durrës, kanë prezantuar shërbimet e tyre në Panairin e Punës që u çel ditën e djeshme. Kompanitë janë prezantuar në hollin e Pallatit të Kulturës në këtë eveniment që organizohet nga Bashkia e qytetit. Firma të ndryshme të shërbimit tregtar, spitale dhe banka private, kompani në fushën e komunikimit dhe të tjera, kanë ofruar vende të reja pune për personat e interesuar. Krerët lokalë gjatë vizitës së tyre në këtë panair, kanë theksuar nevojën për punësimin e sa më shumë të rinjve, duke i ftuar ata të vizitojnë stendat e kompanive pjesëmarrëse në këtë panair. Tashmë organizimi i panaireve të punës në qytetet Tiranë dhe Durrës po kthehet në një traditë të përvitshme, ku shumë qytetarë të papunë aplikojnë në ofertat e prezantuara nga kompanitë, dhe shumë prej tyre kanë pasur sukses në gjetjen e një pune të përshtatshme për ta.

>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>

Apoloni, Komuna vendos taksa abuzive për turistët

Komuna Ndërmenas në Fier ka vendosur një tra në hyrje të parkut të Apolonisë. Të gjithë vizitorët e parkut detyrohen të paguajnë nga 500 lekë, me justifikimin e parkimit të automjetit. Këtë taksë komuna e ka vendosur pa miratimin e këshilltarëve të saj. Në këshillin e komunës Ndërmenas nuk është marr asnjë vendim me shumicë votash, sepse dhe ligji e përcakton mbi përcaktimin e tarifave vendore që duhet një shumicë votash me 3/5. Me kompetencën time po ju them që në këshillin e Komunës Ndërmenas, edhe nëse është marr një vendim i tillë, është marr në mënyrë abuzive sepse kështu i ka interesuar kryetarit të komunës, tha Petrit Morina, anëtari i këshillit të komunës. Sipas drejtorit të parkut kjo është një goditje e fortë që i jepet turizmit në qarkun e Fierit dhe administrata e parkut do të ndjekë gjithë rrugët ligjore për heqjen e kësaj takse abuzive. Ka një pretendim për një taksë parkimi, po kjo është tërësisht abuzive për faktin se këtu është një zonë monument kulture, është një park arkeologjik. Njerëzit vijnë për të vizituar këto monumente dhe parkimi është falas. Ne jemi të vendosur ta çojmë këtë problem deri në fund dhe të ndjekim të gjitha hapat ligjore, sepse është në pikëpyetje imazhi turistik i qarkut të Fierit dhe prej vendeve më të rëndësishme arkeologjike të të gjithë Shqipërisë, tha Marin Haxhimihali. Në bazë të ligjit e drejta e administrimit dhe mirëmbajtjes së parkut arkeologjik i takon administratës së tij, ashtu siç ndodh në 10 parqet arkeologjike që ka Shqipëria.

>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>

Durrësi pa buxhet, prefekti akuzon bashkinë

Edhe pse po i afrohemi gjysmës së vitit 2012, Bashkia e Durrësit ka mbetur ende pa buxhet. Vonesat për diskutimin e projektbuxhetit dhe me pas miratimit të tij në këshillin bashkiak kane sjell bllokimin e mjaft projekteve në qytet. Prefekti i Durrësit Genc Alizoti është shprehur në media se kjo vonesë është mjaft shqetësuese dhe përgjegjëse për këtë është Bashkia, e cila deri në këtë moment nuk e ka dorëzuar projektbuxhetin në këshillin bashkiak. Unë nuk jam dakord me pretendimet e Bashkisë së Durrësit, pasi për faj të saj deri më sot nuk është paraqitur asnjë lloj buxheti. Unë arrita të kuptoj që vullneti politik i gjithë grupeve të këshilltarëve ishte për të kaluar buxhetin e Durrësit me ato vërejtjet dhe sugjerimet të cilat mund të ketë një buxhet, po asnjëherë për ta bllokuar, tha Genc Alizoti, prefekt i Durrësit. Nga ana tjetër kryetari i Bashkisë së Durrësit thotë se administrata e bashkisë është mjaft e aftë për të hartuar një buxhet duke shtuar se brenda një jave projektbuxheti do të jetë para këshilltarëve. Është një punë e thjeshtë për administratën e bashkisë të bësh një buxhet por duhet të keni parasysh që paketa fiskale realisht është miratuar nga këshilli bashkiak me shumë vonesë. Gjithashtu edhe udhëzimet e nxjerra nga qeveria për hartimet e buxheteve kanë ardhur në fund të muajit shkurt, kështu që na është dashur një kohë relativisht e gjatë për arsye edhe të mungesës së të ardhurave për të hartuar këtë buxhet, tha Vangjush Dako, kryetar i Bashkisë Durrës. Mes të gjitha projekteve të mbetura pezull për shkak të mungesës së buxhetit, turizmi është sektori që penalizohet më shumë. Janë rreth 24 milionë lekë të parashikuara në projektbuxhetin e këtij viti për ndërtimin e nyjeve hidrosanitare në zonën e plazhit, vendosjen e sinjalistikës rrugore dhe turistike si dhe fondi për organizimin e aktiviteteve kulturore që do ti shërbejnë gjithashtu zhvillimit të turizmit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›