E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompensimi i pronave, shoqatat kundër draftit të qeverisë

Shoqatat e pronarëve kanë dalë kundër projektligjit të qeverisë për kthimin dhe kompensimin e pronave. Gjatë diskutimeve në komisionin e ligjeve ata e kanë cilësuar projektligjin si antikushtetues. Shoqata e pronarëve kundërshton propozimin e Ministrisë së Drejtësisë që vlerësimi i çmimit të tokës të jetë në dorë të qeverisë dhe jo të Parlamentit, siç ka qenë në draftin e vjetër.
Shoqata e pronarëve
Në qoftë se Këshilli i Ministrave miraton një metodikë sot askush nuk e ndalon një Këshill Ministrash të një mazhorance tjetër që të bëjë një metodikë tjetër, sepse këtë të drejtë ja jep ligji. Dhe në këtë aspekt mendojmë se kjo metodologji duhet miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, ku janë të gjitha partitë politike të përfshira, të cilat kanë detyrimin Kushtetues për zgjidhjen e problemit të pronës, argumentoi sekretari i Shoqatës Pronësi në Drejtësi Agim Toro.
Pronat në bregdet
Nga ana e tjetër edhe përfaqësuesit e Shoqatës së Pronarëve të Bregdetit nuk kanë qenë dakord mbi mënyrën e kompensimit sipas draftit të ri. Ky ligj, kjo situatë është e papranueshme për ne, për vetë faktin se do të kompensohem unë për pronën që e ka marrë ky tjetri që nuk ka asnjë lidhje, as të blerë, as të dhuruar, as të trashëguar. Nuk ka asnjë vend tjetër të ish-vendeve komuniste që ka këtë praktikë tek ne. Dhe njerëzit po vriten, shqiptarët janë kundër shqiptarëve. Kjo është ajo që unë apeloj ta analizonit, u shpreh Gëzim Poçari, i Shoqatës së Pronarëve të Bregdetit. Edhe relatori projektligjit Enkelejd Alibeaj ishte kundër projektit të qeverisë për kalimin e kompetencës së çmimit të tokës nga Kuvendi tek ekzekutivi, si dhe ngritjen e një drejtorie për koordinimin e pronave mbi të gjitha agjencitë që trajtojnë aktualisht këtë problematikë. Projektligji do të diskutohet nen për nen ditën e hënë.
Ndryshimet në ligj
Në thelb, ligji parashikon rishikimin e çmimit të pronës në të gjithë vendin, duke krijuar një hartë të re çmimesh. Ndryshimet ligjore parashikojnë futjen e një kriteri të ri siç është qëllimi i përdorimit të pronës, apo lloji i pasurisë krahas çmimit të tregut. Aktualisht për përcaktimin e vlerës së një prone ekziston një metodologji e posaçme e miratuar nga Kuvendi mbi bazën e të cilës është bërë edhe harta e vlerës së pronës, por tashmë metodologjia do të përcaktohet nga qeveria.
Ulja e përfitimeve
Rivlerësimi i çmimit të pronës shihet me dyshime të thella nga pronarët, të cilët pretendojnë se një masë e tillë merret nga qeveria me një qëllim të vetëm: uljen e vlerës së pronës për qëllim kompensimi duke ulur automatikisht përfitimet e tyre. Sipas tyre, ndryshimet bëhen nga qeveria pas raportit të Bankës Botërore, në të cilin parashikohej se kompensimi i pronës duhet të bëhet duke u bazuar mbi çmime të përballueshme nga buxheti i shtetit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›