E Shtunë, 31 Tetor 2026

Administrata publike, BE: Gjeni konsensus për ligjet

TIRANË-Transparencë në reformën për administratën publike dhe konsensus mes palëve për miratimin e ligjeve të nevojshëm. Këtë mesazh ka përcjellë sot ambasadori i BE-së, në vendin tonë Ettore Sequi gjatë një konferencë të zhvilluar për reformën e administratës publike, në prani të kreut të qeverisë, Sali Berisha dhe ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani.

Në fjalën e tij Sequi, duke përsëritur rëndësinë që ka ky reformim në procesin integrues të vendit ka ritheksuar mbështetjen që BE do të vazhdojë t’i japë Shqipërisë.

Ndërsa e ka cilësuar rolin e administratës si jetësor për transformimin e vendit, nga ana e tij kryeministri Berisha theksoi se funksionimi i saj është garanci për mbrojtjen e interesit publik. “Shërbimi civil është shërbimi kryesor i shtetit. Përbën një pasuri shumë të madhe. Funksionimi i tij është garanci për mbrojtjen e interesit publik, është garanci për një shërbim më të mirë ndaj qytetarëve, është kusht themelor për një qeverisje të mirë. Unë kam ndjekur me interes përpjekjet e departamentit të shërbimit civil, të ministrisë së brendshme për përmirësimin e bazës ligjore të funksion të këtij sistemi dhe mendimet e ekspertizës së huaj që kanë arritur që projektligjet ti përshtaten kohës dhe nevojave të këtij shërbimi. Projektligji jep mundësi të plotë që krahas garancive edhe mbrojtjes së punonjësve dhe angazhimit të një softi gjithnjë e më të kualifikuar” shtoi Berisha.

Në konferencën për reformat në administratën publike, kryeministri Sali Berisha bëri të ditur sot se Shqipëria nuk do të ketë administratë të madhe sepse kjo rrezikon të fusë vendin në krizë.

“Shqipëria nuk do shndërrohet kurrë ndonëherë në administratë të madhe. Kjo krizë që po përjetojnë vendet e mëdha ka shkak administratat e fryra. Greqia dhe Shqipëria, ku krahasuar me Greqinë është 1 me 4 raporti”.

Berisha theksoi se për të rritur cilësinë e punës së administratës qeveria do të shtojë përpjekjet për kualifikimin e administratës si dhe shtimin e teknologjive moderne.
“Ne do bëjmë përpjekjet më maksimale për kualifikimin e administratës për funksionet polivalente të administratës sonë për aplikimin e teknologjive me modernme”.

Berisha theksoi se administrata publike përveç përshtatjes me ndryshimet e gjithanshme të vendit ka hasur edhe vështirësi serioze, sic konsideroi ai dhe ndërhyrjen politike.

“Në këto 20 vite administrata puiblike ka qënë faktor kryesor i të gjitha reformave të realizuara, reforma që kanë shënuar transformime epokale. Administra publike është përshtatur me një dinamizëm të madh ndryshimesh të gjithanshën të vendit. Është përballur me vështirësi serioze, me trysni politike të pamerituara, me pasoja të vendosjes të menjëhershme të statusit të nënpunësit civil. Është përballur me pamundësinë për arsye politike të ndryshimeve të domosdoshme ligjore. Kjo në mënyrë që shërbimi civil që përbën shtyllën kryesore, pasurinë më të madhe të administratës shtetërore të mund të ridimensionohet, të konsolidohej, të mund të pësonte ndryshime të domosdoshme në përputhje me prurjet më cilësore” shtoi Berisha.

Nga ana e tij, ambasadori Sequi theksoi se për një administratë sa më funksionale duhet përmirësuar sistemi i IT.
“Duhet përmirësimi i sistemit IT dhe i takon qeverisë të përdorë IT për të përmirësuar sigurinë. IT është një proces shumë i rëndësishëm për reformat dhe diskutohet siguria dhe survejimi i gjithë aktorëve pjesmarrës në administratë”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›