E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenti, mbeten ende në koma 2 studentet e plagosura

TIRANE – Dy vajzat e aksidentuara në ngjarjen tragjike në Himarë, pas rënies së autobusit në greminë, ndodhen ende në koma.

Burime nga Spitali Ushtarak bëjnë të ditur se për Florije Pecin, ende nuk është tentuar zgjimi i saj, ndërkohë që Eriselda Gubere nuk reagoi pozitivisht ndaj provës për zgjim dy ditë më parë.

Mjeku Luan Nikollari bëri të ditur një ditë më parë se, “Rezultoi pa sukses heqja e frymëmarrjes artificiale. Për Guberen vijon e njëjta gjendje”.
Sipas tij, Gubere mund t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale në kollonë. Ndërkohë, Florije Peci ka pasur një përmirësim të lehtë.

Nikollari theksoi se në Vjenë është një mjek kosovar që ndjek gjendjen e 2 studenteve, ndërsa vuri në dukje se komuniteti shqiptar në Austri ka ofruar ndihmën për vajzat e aksidentuara.
Të hënën, konsulta mjekësore do të vendosë si do procedohet me 10 studentet e tjera që vijojnë të jenë të shtruara në Spitalin Ushtarak. 

Si pasojë e aksidentit tragjik të 22 majit, në Qafën e Vishës në Himarë, humbën jetën 13 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Sipas hetimeve të policisë, shkak i aksidentit ishte shpejtësia tej normave dhe mosreagimi në kohë i shoferit të autobusit për të kontrolluar shpejtësinë e mjetit.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›