E Shtunë, 31 Tetor 2026

Administrata publike dhe koha për një reformë

NDRIÇIM KULLA

Që funksionimi harmonik dhe me kapacitetin e plotë njerëzor e intelektual i një administrate shtetërore është një gur themeli i çdo mbarëvajtjeje të një qeverie, kjo është më se e kuptueshme. Po kështu, që pranimet dhe largimet brenda kësaj administrate duhet të kryhen mbi bazë të kritereve të qarta dhe transparente, kjo është harta e suksesit të çdo funksionimi. Por, po kaq i vërtetë është edhe fakti se ngritja në një nivel më të lartë për efikasitet dhe performancë i një qeverie, fillon pikërisht nga reformimi i administratës. Mbi bazën e kësaj kornize parimore do të qe e frytshme të gjenim disa mundësi e kritere për ti dhënë udhë një kohe të re për administratën tonë publike. Po përse vallë është e nevojshme një gjë e tillë? Forma e krijimit të koalicionit që është në pushtet gjatë këtyre dy legjislaturave, nisur nga votat e marra në zgjedhje, detyroi në mënyrë objektive një ndarje të pushteteve, posteve drejtuese në Ministri të ndryshme, e kësisoj edhe në të gjithë rrjetin e administratës. Më vonë, aleancat e reja i sollën prurje të reja kësaj administrate, duke bërë që për herë të parë prej shumë vitesh të shfaqet një shtresëzim apo fragmentarizim kaq i thellë dhe i shpeshtë i kësaj administrate. Nuk duam të merremi me deformimet e vërtetuara që kanë ndodhur, as me teprimet apo abuzimet subjektive të një drejtori apo të një institucioni të caktuar, të cilët me premisat që janë krijuar, sot të duket se është e vështirë ti këshillosh, ti detyrosh, apo ndëshkosh në emër të hierarkisë shtetërore për masat arbitrare përtej çdo përfytyrimi të arsyeshëm që kanë bërë; Si pushime nga puna, ulje nga detyra, transferime detyrash etj. etj… Një problem i tillë po bëhet për fat të keq gjithmonë i pranishëm në administratat shqiptare dhe kërkon një reformë gjithëpërfshirëse të shumë aktorëve socialëkulturorë dhe publikë, përveçse politikë. Veçantia e reformës që duam të ravijëzojmë, vjen drejtpërdrejt nga struktura e re administrative që prodhuan e do të prodhojnë gjithmonë zgjedhjet në Shqipëri. Nisur nga ky sistem votimi, cilado forcë politike që të vijë në pushtet (qoftë PD apo PS), do të jetë e detyruar ta ndajë atë me aleatët. Një gjë e tillë i ndodhi PD gjatë gjithë këtyre viteve, çka solli edhe shtresëzimin për të cilin folëm, e një gjë e tillë do ti ndodhë besoj edhe qeverisë së zgjedhjeve të ardhshme. Mirëpo kjo është një risi për administratën në bllok, që prodhonin zgjedhjet e mëparshme, që gjithsesi – përtej problemeve që ka çdo strukturë e ngritur nga një parti në fuqi – prodhonte edhe disa avantazhe. Kështu, një forcë që mban mbi vete barrën e suksesit dhe mossuksesit në zgjedhjet e ardhshme, ka më shumë përgjegjësi, angazhim, e pse jo dhe vetëmohim për të arritur një qëllim apo një objektiv. Po njëlloj, duke pasur më shumë qetësi dhe siguri në programin e saj, ajo ka mundësi të ndërmarrë një sërë reformash afatmesme ose afatgjata brenda shtrirjes së një legjislature. Diçka e tillë duket se u ka munguar qartë drejtuesve apo institucioneve të drejtuara nga aleatët në gjirin e administratës sonë publike. Arsyet kanë qenë personale, elektorale dhe objektive, pasi dhe mandati i tyre nuk është kaq i pakufizuar, i lirë në fushëveprim dhe i qëndrueshëm për tu dhënë mundësinë e sigurinë e projekteve, qoftë edhe afatmesme. Nga ana tjetër, edhe ideologjia vepruese nga e cila tërhiqen kryesisht partitë e vogla, që drejtojnë institute apo drejtori të rangut të dytë (nëse ministritë mund të quhen të rangut të parë), që janë më larg sferës së kontrollit direkt të qeverisë, nuk e shohin nevojën e një projekti dhe angazhimi të tillë. Ato e dinë mirë se edhe vetë jeta e tyre administrative varet nga koniunkturat partiake dhe më larg, nga raportet elektorale, kështu që kjo i jep dorë të lirë të zbatojnë programin e tyre, që në shumicën e rasteve u drejtohet interesave të veta të ngushta banalisht klanore e partiake, aspak angazhimit për shpënien përpara të punëve dhe projekteve afatmesme a afatgjata. Një situatë e tillë mund të quhet normale dhe jo e dëmshme, sado e matur dhe e studiuar të bëhet lëvizja e çdo segmenti ndryshimi, brenda një administrate të caktuar. Por në një këndvështrim të gjerë, këto shtresa a fragmentarizime që i kanë shtuar herë pas here administratës publike në përgjithësi, e kanë komplikuar dhe koklavitur shumë funksionimin efikas dhe harmonik të administratës në përgjithësi. Po ti shtojmë gjithë këtij kompkleksiteti, gati objektiv, doza të caktuara korrupsioni sado të vogël që mund të shfaqë çdo segment sado i vogël, atëherë të gjitha këto ndryshime dhe ndarje të detyruara pushteti që diktuan zgjedhjet, shndërrohen në arna dhe mballoma të kryqëzuara në trup të një administrate që, nëse do të drejtohej nga një parti e vetme, të paktën do të vepronte si një trup unik dhe harmonioz. Mungesa e mosndërlidhjes së veprimeve, projekteve dhe perspektivave, në një këndvështrim sinergjik, brenda çdo pjese të administratës publike, përbën atë tabelën më të madhe të rrezikut dhe më të vështirën për tu shëruar, nga të gjitha llojet e situatave që mund ti dalin përballë një qeverie në rrugën e saj të reformave. Problemi është organik, ndaj mund të mahiset dhe të gangrenizohet, nëse nuk merren menjëherë masat që në fillesë, për organizimin dhe harmonizimin e të gjitha veprimeve (pranime e largime) dhe angazhimeve, sipas strategjisë së bashkëveprimit dhe konsultimit me aleatët, sidomos me aleatin më të madh, që mban mbi shpinë edhe rezultatet dhe performancën e punës së secilit prej këtyre segmenteve të administratës. Është e natyrshme që edhe vështirësia e gjithë këtij organizimi është organik, pasi paktet dhe aleancat kërkojnë edhe mundësitë e shprehjes së pavarur. Por gjithsesi, duhet konvergjuar drejt një gjykimi të shëndoshë, që të gjejë masën e duhur të lirisë dhe bashkëveprimit, por edhe të kontrollimit dhe urdhërimit sipas një hierarkie të pastër administrative (ku rregulli nuk është diktaturë), siç veprohet në çdo qeverisje europiane, në mënyrë që të mos rrënohen aq shumë administrata që i kanë qëndruar kohës dhe të mos prishen aq shumë performanca që aq shumë i duhen sot kauzës së përbashkët: një kohe të re për administratën publike. Madje, aq i rëndësishëm mund të bëhet ky problem në të ardhmen, nëse skurohet, sa mund të quhet edhe si një kalë i fortë beteje për fushatën e ardhshme zgjedhore.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›