E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të ndalim dëbimin e letërsisë!

AGIM BAÇI

Në diktaturë ndodhte rën dom që sistemi ta përjashtonte shkrimtarin nga jeta e të tjerëve. Por kjo e bënte atë më të kërkuar, më të lexuar, autor të librave të verdhë, siç quheshin deri në vitin 90 veprat e shkrimtarëve të përjashtuar jo vetëm në Shqipëri, por në çdo vend komunist. Jo rrallë, shkrimtarë të tillë janë shndërruar në atë kohë dhe më vonë në dritare të hapur mendimi, ose në kuaj ëndërrimesh për një jetë ndryshe për lexues të mbarë vendeve ishkomuniste. Por vitet e fundit në Shqipëri po ndodh një fenomen më i rëndë sesa ai që ndodhte në diktaturë: po ndodh dëbimi i letërsisë nga mënyra e të menduarit, nga perceptimi i jetës. Mjaft të shohim mjetet përmes së cilave përhapen titujt e rinj të librave, siç janë gazetat dhe televizionet, për të kuptuar se shkrimtarët mbeten vetëm tituj, pa shumë domethënie. Dhe komentet për to më shumë lidhen me ndonjë histori rozë të autorit, ose me ndonjë të dhënë për veprën apo shkrimtarin, pa dhënë kurrfarë shpjegimi nëse duhet apo nuk duhet lexuar ai libër, pra për esencën. Diçka e tillë, pa dashur aspak të ulim dëshirën e gazetarëve lidhur me atë që shkruajnë apo intervistojnë në TV apo gazeta, ka bërë që letërsia jo vetëm të mos jetë më busull për të perceptuar jetën, por as një orientim për kënaqësi shpirtërore. Ka ndodhur që ndonjë e përjavshme apo edhe e përditshme të kenë pasur edhe tentativa për recensione ndaj titujve të rinj të librave në qarkullim. Por emrat që ofrohen për të tilla recensione, merren pikërisht nga e kaluara e tyre gazetareske, apo nga të qenët vetë shkrimtar, duke mos arritur të përzgjidhen emra të cilët do të mbanin përgjegjësi morale lidhur me atë që do të sugjeronin për lexim, pra emra që lidhen me studimin e letërsisë. Ky dëbim i librit nga mënyra e të menduarit shihet rëndom madje edhe nëpër katedrat e letërsisë, ku shpesh mjafton një fletë A4 për të radhitur librat që kanë lexuar studentët e të gjithë kursit të një viti. Pra, duke nisur me ata që edukohen me shkencat letrare, shohim një dekurajim të leximit (të atyre që mund të sugjerojnë leximin si perceptim për jetën). Kjo pasohet edhe me modelin e mësimdhënies në shkolla, ku letërsia nuk shihet aspak si një lëndë, thelbi i së cilës ofron perceptime për jetën dhe sugjeron shtigje për të menduar, pasi thënë troç, nuk ka të ardhme. Ky model, në fakt, dëmin e vet e shtrin thuajse në çdo familje, por kur kuptohet nga prindërit është shumë vonë, sepse kur fëmijët janë rritur, nuk ka më forcë që ti kthejë ata te dëshira për librin. Një mungesë e trajtimit serioz të librit dhe neglizhenca e prindërve për të kërkuar shpjegime ndaj atyre që u shiten fëmijëve në shkolla, ka bërë që në qarkullim të mbeten libra të rëndomtë, duke dëmtuar seriozisht estetikën që krijon libri te fëmijët. Pa dyshim, një fenomen i tillë, i largimit nga shpjegimi i letërsisë, shihet thuajse edhe në të gjitha universitetet private, ku letërsia konceptohet dhe mbetet krejtësisht jashtë sistemit, duke vulosur kështu dëshirën e këtyre universiteteve për të formuar specialistë të shumë fushave, por jo në atë të mendimit mbi librin. Një situatë e tillë nuk është e panjohur në botë. Por kjo bjerrje e rëndësisë së librit, ky dëbim masiv i librit nga mënyra e të menduarit, ka sjellë alarme në qeveritë e shumë vendeve, të cilat më pas kanë përkrahur modele të inkurajimit të leximit publik. Një hap i tillë nuk ka rëndësi që ti çojë të gjithë lexuesit tek rruga si të lexojnë?, por thjesht të kuptojnë atë që thotë profesori i Harvardit dhe i Jelly-t, Harold Bloom, Përse duhet të lexojmë?. Ndërkaq, me rëndësi mbetet fakti që gazetat dhe televizionet, që mbeten pika kontakti të përditshme, ose orientuese edhe për kulturën, duhet të lexojnë dhe të flasin më shumë se titulli, botimi apo ndonjë hollësi lidhur me autorët. Përveç këtyre të dhënave që i ofrohen publikut, duhet kërkuar rruga e arsyeve për leximin apo mosleximin e një titulli. Një gjë e tillë nuk është e lehtë dhe natyrisht që nuk mund ta bëjë gjithkush dhe kurdo. Veçse një ringjallje e fuqisë së librit mbetet ende e mundur. Mjafton të shohësh trishtimin e shoqërisë shqiptare pas humbjes së poetit Podrimja, për të kuptuar se nuk e kemi humbur ende trenin e dëshirës për letërsinë në jetën tonë, por thjesht kemi dëmtuar shinat që na çojnë drejt perceptimit të jetës së gjithsecilit.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›