E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historianët e diktaturës synojnë të molepsin të vërtetat historike, në 100-vjetorin e Pavarësisë

14-08-2012 / Nga Kostaq Xoxa

“Shqetësimet” e historianëve nostalgjikë

Le të shohim, më parë, “glorifikimin”. Këto thënie të hamendësuara i gjejmë në një shkrim të datës 23 korrik të këtij viti. Në një serí shkrimesh që kam botuar në „55-n“, kam dalë në kundërvënie të një historiani tjetër që e hedh poshtë në mënyrë kategorike figurën e Ahmet Zogut, duke u mbështetur, në thelb, te ditarët e Kontit Galeaco Çiano, dhëndrit të Musolinit.  Në bisedat e para për traktatin italo-shqiptar të 1926-s, Çiano ka qenë tërësisht jashtë loje. Ai është përzier në çështjet shqiptare afërsisht dhjetë vite më vonë, në rol të një antishqiptari të pamohueshëm. Këtë e provojnë dy figura politike të një rëndësie të dorës së parë: Diplomati Aleksandër Lesona dhe Ambasadori i Italisë në Tiranë, Françesko Jakomoni, më vonë zëvendësi i Viktor Emanuelit III, në Shqipëri. Librat e Lesonës dhe të Jakomonit me këtë subjekt i kam përkthyer unë, për Shtëpinë Botuese 55. Është hera e parë që po dal në vetë të parë. Kam parasysh lokucionin francez të Bosué-it (Bosouet) se UN-i është i urrejtshëm. Por ky UN-i YT, që kam lexuar në atë shkrim, më ka shkaktuar të përziera në stomak (Emrat e këtyre historianëve të indoktrinuar janë të parëndësishëm, që të shënohen). Nuk i jepet të shkruajë thjesht se “Çdo figurë historike duhet të paraqitet objektivisht, me të mirat e të metat”, por: “Mendimi IM si historian është që çdo figurë historike duhet gjykuar në kompleksitetin e vet”. E dimë që çdo njeri ka tiparet e tij. Ata që kanë lexuar “Borgjezin bujar” të Molierit, vërejnë se injoranti i pasuruar aty për aty kërkon të bëhet aristokrat, duke paguar mësues privat që t’i mësojë  se ç’është proza! Mësuesi i thotë thjesht se “ është ajo që  po flasim unë e ti!”. Dhe paguhej si frëngu pulën, që t’i mësonte parvënysë së rënduar në xhepat, dallimin ndërmjet prozës dhe poezisë! Mos mendon ai, “si historian”, që po na thotë gjëra të njohura, paçka se  në një stil pompoz të panevojshëm, me ato figurat që gjykohen në  “kompleksitetin” e tyre? Tjetër: “Ajo çfarë UNË i njoh si kontribut një shtetari si A. Zogu është se ..” (flet për Kongresin e Lushnjës, për të qenë objektiv! – paçka se na paraqet, më pas, gënjeshtrat e Enverit për Zogun!). A doni më për Belulin?  “UNË jam dakord, gjithashtu, se Zogu bëri përpjekje, pas ardhjes në krye të pushtetit...”. Po nëse TI nuk je dakord, ç’punë na prish? Mbase nuk je dakord se Zogu kishte bërë vetëm një gjyq politik (atë të Q. Stafës,  të Z. Malës etj.), me dënime 2-3 vjet, ndërsa Enveri kishte bërë mijëra gjyqe politike, duke shfarosur edhe të pafajshmit, madjé edhe nacionalçlirimtarët (Shefqet Bejën, Enver Sazanin, Edip Tërshanën....), si edhe Syrja Selfon, i cili e ka pas ndihmuar me apartamente falas që të fshihej, si edhe me  ndihma materiale; por mosmirënjohësi ia ka ngarkuar këto pabesí të vetat Koçi Xoxes, një krimineli si ai vetë.  Ndërsa sekretari organizativ i PK shqiptare  tha në gjyq se nuk ka bërë asnjë viktimë, pa u konsultuar me Komandantin!”. Pra, nëse TI s’je dakord, a i prish, vallë, kjo ndonjë punë historisë së vërtetë?  TI nuk je dakord edhe se Zogu nuk penalizonte njerëzit që donin t’i hipnin tragetit për të hequr një dhëmballë, ta zëmë, në Bari të Italisë, ndërsa regjimi i Enverit dhe i Ramizit i hiqte zvarrë ata që kapeshin në kufi për një jetë më të mirë. Veçse mendimi YT nuk na intereson as në këtë rast. TI je dakord, nga ana tjetër,  me Galeaco Çianon për të portretizuar Ahmet Zogun sipas atij aventurieri që u pushkatua për pabesí dhe TI nuk je dakord me Aleksandër Lesonën, diplomatin e parë të bisedave me Zogun për traktatit shqiptaro-italian, dokument i cili tani është deklasifikuar dhe, në thelb, është një aleancë për të ruajtur vendin nga lakmitë veriore dhe jugore, duke e quajtur firmëtarin shqiptar me emërtimin irredentist, në kuptimin pozitiv të fjalës.
Ato dy cilësime, aventurier, i pabesueshëm, nuk janë të miat. Janë të Lesonës dhe të Jakomonit. Vetë Musolini  nuk mundi t’i dilte në mbrojtje dhëndrit të vet, Çianos. Kuptohet, as bashkëshortja e Çianos, e bija e Duçes, Eda, s’kishte ç’t’i bënte, që t’i shmangte atë ekzekutim të turpshëm. Në pallatin e Zogut, Galeaco Çiano  e kuptonte se s’kishte simpatinë e monarkut shqiptar. Njëra nga princeshat e kishte refuzuar në ftesën e këtij „donajoloje“ (siç thoshte ajo), për vallëzim! Por Çiano, në kohët e mëvonshme ishte caktuar si kumbara për martesën e Zogut me Geraldinën dhe, doemos, që Konti Çiano kishte të drejtën e intimiteteve të tilla (t’i thuash derrit dajë - siç themi né), e kështu ishte i pranishëm në ngjarjet e Pallatit. Ai pritej atje, në rrethana të tilla, veçse ia njihnin huqet e pabesinë! Përfundimi është se asnjë historian serioz, - me përjashtim të atyre që kanë idolatrizuar Enverin, - nuk e kanë cituar Çianon për  ngjarjet italo-shqiptare të viteve 1926, kur Çiano ishte tërësisht jashtë loje, édhe për thuajse një dhjetëvjeçar më vonë, në këto marrëdhënie! Sa për dijení të lexuesit, Galeaco Çiano u pushkatua nga gjermanët, i lidhur në karrige dhe me plotonin e ekzekutimit nga prapa shpinës së bashkëshortit të Eda Musolinit. Themi se nuk na intereson se për çfarë janë dakord apo për çfarë nuk janë dakord këta “njohës” të historisë, sepse ata nuk mund të thoshin asnjë fjalë më shumë, ose më pak, nga ç’thoshte Enver Hoxha, në veshjen e tij të një historiani. Se ç’historian ishte Enveri, mjafton të themi diçka për marrëdhëniet e tij me çështjen kombëtare.  Ai ishte një stalinist fanatik, gjer në vdekjen e tij, në prill të vitit 1985. Sipas R. Alisë, ai e dinte se Stalini e kishte çmuar Shqipërinë si plaçkë tregu. Janë dëshmitarë të besueshëm Milovan Gjilasi dhe Eduard Kardelji, që të mos përmendim edhe të tjerë.  Vetëm ata tanët që fryhen me fraza se janë apo s’janë dakord, bëjnë sikur nuk e dinë antishqiptarizmin e Stalinit. Përderisa Ramizi, në kujtimet e tij, e pohon se ishte në dijeni të “gëlltitjes” së Shqipërisë që Stalini ua kishte propozuar emisarëve të lartë të Titos, në këmbim që udhëheqësi jugosllav të rreshtohej me Stalinin, në kohën e marrëdhënieve të ndërlikuara të kohës së Rezolutës së Inform-Byrosë, atëherë duhej ta dinte edhe Enveri këtë akt pabesie ndaj Shqipërisë. R.Alia nuk kishte këllqe t’ia mbante të fshehur një të vërtetë kaq të rëndësishme shefit të tij, Enverit. Për të vërteta të tilla as që është nevoja të marrim mendimin tuaj nëse jeni apo nuk jeni dakord që Enveri as që  donte t’ia dinte për komb e atdhe, përveç etjes së tij delirante për kolltukun e tij të përgjakur. Një fakt tjetër, më domethënës akoma, është oferta e Enverit për t’i dhënë ofiqin e Sekretarit I të KQ të P.Komuniste Shqiptare shokut Tito. Një kolaboracionizëm i tillë i tejkalon edhe përmasat e Kuislingut. Ky, emri i të cilit u bë sinonim i kolaboracionizmit të skajshëm, vetëm se u hapi portat e hyrjes në Norvegji gjermanëve, ndonëse hitlerianët e kishin atë forcë ushtarake që të hynin në Norvegji edhe pa pranimin e Kuislingut. Por  ky nuk arriti gjer në atë pikë sa ta bënte Hitlerin kryetar të shtetit norvegjez, amà. Kështu Enveri, atë që kishte bërë de facto, vasalitetin ndaj Jugosllavisë, tanimë kishte vulosur de jure pushtimin e Shqipërisë prej  Mareshalit Tito! Tradhti kombëtare, nën emblemën e Internacionalizmit proletar! Apo me sloganin e bashkim-vëllazërimit! Numri i parë i revistës së Shoqatës Shqipëri-Jugosllavi, u tërhoq dhe doli jashtë qarkullimit, për të mbuluar këtë akt tradhtie. Tani, mbase, nuk jeni në gjendje të ruani fasadën e historianit megaloman e të mëtoni që t’ju kërkohet mendim nëse jeni dakord apo nuk jeni dakord, ndaj kësaj të vërtete që nuk mund të mbulohet dot, po aq sa shtiza në thes! Por Alçide De Gasperi ka mbajtur një qëndrim diametralisht të kundërt ndaj Titos, kur ky i fundit çoi trupat jugosllavë me shpejtësi në zonat verilindore të Italisë, afërsisht në mbarim të luftës, në Istria, në Trieste, në Pola dhe në Venecie-Xhulia dhe pretendonte që t’i zhvendoste këto territore në kufijtë e rinj jugosllavë, duke dashur të përfitonte se Italia ishte një vend i mundur(!). Mund të lexoni të pesë librat e botuar nga “55-a” dhe të përkthyer nga unë (modestie à part), libra në të cilët shtetari i madh italian, në aleancë të menjëhershme me SHBA-të, nuk u la asnjë copëz italiane, të  huajve.
Kështu, edhe në shkallë krahasimore, Enveri ishte i karriges, ndërsa De Gasperi ishte i idealeve kombëtare. U dashka të kërkojmë edhe për këtë fakt nëse ju jeni dakord apo jo, ju që nuk shpreheni dot nëse i lejohet një shteti demokratik të bëhen orgji për të ngritur në Pezë, çdo 16 shtator, apoteozën e E.Hoxhës, me foto të panumërta dhe me këngët ekzaltuese  “Enver Hoxha e mprehu shpatën...”! Por “ishit dakord” për fotot e Enverit në m. e Jashtme, të një shteti që kishte përmbysur diktaturën por, siç duket,  jo mendësinë e saj...
Përse E. Hoxha ishte kaq i ashpër ndaj regjimit të Ahmet Zogut I? Ndonjë ndjenjë hakmarrjeje vetjake, Enveri nuk mund të kishte ndaj sovranit shqiptar. Përkundrazi. Ai regjim i kishte bërë, madjé, lëshime. Në bazë të kritereve të Ministrisë së Arsimit, të notës mesatare, Enveri nuk meritonte të drejtë studimi me bursë, në Francë. Ishte një student mediokër, me mesatare të ulët. Në vend që të përligjte me mirënjohje këtë fakt, ai ia vari studimeve edhe në Monpelié. Nuk mori asnjë provim. Si marifetçi që kërkonte përkrahje nga miqtë familjarë të Libohovës, pikërisht nga ministri i fuqishëm Eqrem Libohova, studenti pa bursë, tanimë, jo vetëm që nuk u kthye në Shqipëri, por ia arriti që të zinte një vend pëllumbash në Konsullatën shqiptare në Bruksel, pranë Konsullit të nderit, Marothy. Kuptohet se Zogu, me një lëvizje të gishtit, mund ta kthente pako postale në Shqipëri. Nuk e bëri këtë. Atëherë, edhe njëherë: Përse hëngri bukën dhe përmbysi kupën? Edhe për këtë pyetje, meqë jeni të etur për protagonizëm, po pajtohemi (sa për të thënë), me pretendimin nëse jeni dakord, apo jo! Meqë jam i bindur se nuk do të dini të thoni as po, as jo, le të orvatemi të japim një përgjigje: Enver Hoxha ia kishte zili Ahmet Zogut I, se s’kishte bërë atë kobin që kishte bërë vetë Enveri me atë veprën skandaloze të ofertës de jure, të sundimit të Titos në Shqipëri! Kujtonte, pra, se ato rrëké mashtrimesh histerike denigruese do të mund të fshihnin tradhtinë e tij vetjake, që e tejkalonte edhe Kuislingun!
Me paragjykime të tilla dalin édhe  pseudoargumentet: Përse u arratis Zogu! Po De Goli, a nuk u arratis në Angli, fillimisht, para se të drejtonte Qëndresën Franceze në Francë, më vonë? Ç’bënë monarkët e vendeve të tjera? Të njëjtën gjë. Por mbreti Leopold i Belgjikës nuk bëri si të tjerët dhe u shndërrua në rob të gjermanëve. Mbreti belg u detyrua të vinte për vizitë edhe te Hitleri dhe pati guximin që t’i kërkonte që Belgjika të mos mbetej e pushtuar pas luftës. Megjithatë gazetat antifashiste e përfolën dhe ai u detyrua që të jepte dorëheqjen dhe të linte kurorën në dorën e princit Karl të Belgjikës, që kishte edhe titujt e Kontit të Flandrës, si edhe atë të Regjentit të Mbretërisë. A e kanë lexuar këta denigrues të Ahmet Zogut I veprën e Gunnar Riebs-it, të përkthyer në shqip nga SH.B. “55”? Luftën kundër trupave italianë që zbarkuan në vendin tonë, e bënë trupat e Abaz Kupit, që përfaqësonte forcat ushtarake të Monarkut, në kohën kur grupet komuniste nuk iu bashkuan qëndresës, të ndikuar nga traktati Molotov-Ribentrop. Pra, sovjetikët në prill të 1939-s, ishin aleatë me forcat ushtarake të Hitlerit! Meqë duan të sajdisen, a janë dakord apo nuk janë dakord me këto fakte ata që e kanë bërë lëmsh historinë? Sa për Shën Naumin, këtë e di më mirë se cilido Mehdi Frashëri, që ishte ngarkuar të bënte dokumentin e përbashkët. Sipas këtij dokumenti nuk kemi falje të Shën Naumit Jugosllavisë, (“E shiti” – thotë Enveri. “E shiti” përsëritin papagajtë e tij!), por shkëmbim të Shën Naumit, me hapësirë sa ajo e një stadiumi, me fshatra të tëra rreth Prespës, me popullsi shqiptare. Këto territore nuk do të ishin brenda kufijve të vendit tonë as sot, nëse nuk do të bëhej marrëveshja e shkëmbimit të territoreve, me leverdi të jashtëzakonshme për vendin tonë. Sot mund të vihet pa vizë nga Pogradeci në Shën Naum. Jugosllavët e kërkuan me ngulm këtë sipërfaqe të vogël të Sh-Naumit, për dy arsye: Atje ishte varri i Shën Naumit, një shenjt sllav. Së dyti: në atë  manastir, ndodhej edhe dhoma mbretërore e monarkëve serbë të kohës, që ka vetëm vlerë turistike për vizitorët. Kushti që vuri për këtë ndërrim delegacioni i kryesuar nga Mehdi Frashëri , ishte se territoret përreth Liqenit të Prespës, ishin shqiptare dhe fshatarët flisnin gjuhën shqipe. Shkëmbimi duhej bërë me këto toka shqiptare. Pra, edhe njëherë: leverdia ishte plotësisht e shqiptarëve.
Tani nuk na mbetet veçse të bëjmë disa krahasime të tjera ndërmjet monarkisë së Ahmet Zogut I dhe regjimit të E. Hoxhës: Për burgjet politike, folëm. Edhe për lirinë e kapërcimit të kufijve, folëm.  Për çështjen kombëtare, idem. Edhe për mungesën e luftës së klasave të monarkisë folëm, duke marrë si  etalon qëndrimin ndaj E. Hoxhës: Për arratisjen, si  argument papajtueshmërie me okupatorin, folëm, gjithashtu. Mund të bëjmë edhe krahasime të tjera: Në atë kohë, kishte mjaft të përditshme, me kritika édhe ndaj funksionarëve në rang ministrash. Një ministër i asaj kohe u akuzua për lëshime në favor të italianëve, për shfrytëzimin e naftës. Polemikat gazetë me gazetë për mendimet ndryshe ishin të rendit të ditës.  “Demokratia” e Gjirokastrës ishte kontestuese ndaj disa veprimeve financiare, por jo denigruese si ata që duan të na bëjnë nihilizmin e atij regjimi, sipas etaloneve parafabrikate. “Nëna” e Gorkit, përkthyer nga Tajar Zavalani, ekspozohej në vitrinat e të gjitha vitrinave. “Bota e Re” përmbante firmat e të gjithë atyre që bënë gazetarinë e regjimit të pasluftës në Shqipëri. Në regjimin stalinist të E. Hoxhës poetët ekzekutoheshin (H. Nela, V. Blloshmi, G.Leka, N. Zadeja, N. Mehqemea, T.Xhagjika e të tjerë) ndërsa internoheshin e burgoseshin të tjerë, për një libër apo për një dramë të papëlqyer nga censorët në shërbim të diktatorit, me urdhër të këtij ( Dh. Xhuvani për “Tunelin”, apo M. Jero e regjisori Luarasi i veprës “Njollat e murrme”).
Këto janë të vërteta, apo rrena? Apo duhet të pyesim ata që mëtojnë të thonë fjalën e fundit të vërtetësisë me një “Jam dakord” apo “S’jam dakord”! Apo të vësh pikat mbi “i” për  argumente të tilla, na qenka... Na qenka glorifikim i atij regjimi! Kurse regjimi i bashkëfajësisë me atë regjim, me shprehje qesharake, si “marrsh nga ditët tona” nuk u quaka glorifikim! A kishte shprehje të tilla groteske, në regjimin e Ahmet Zogut I, me vlerësimin e frangut letër, që  ishte disa cent më tepër se frangu ar? Me vendosjen e rregullit e qetësisë  sa të parët tanë na kujtonin që dilnin duke lënë portat hapur për të psonisur, apo kur shkonin te komshia! Në Revistën “Jurisprudenca shqiptare” kritikoheshin vendimet e padrejta, me paralajmërim të gjyqtarëve të padrejtë. Juristi me fame europiane e më tej, Thoma Orollogai, në krye të Diktimit (Gjykatës së Lartë) ia prishi vendimin në favor të beut të Starovës dhe të drejtën e morën fshatarët. Njerëzit i vlerësonin gjykatat,  se gjyqtarët penalizoheshin për padrejtësitë gjyqësore. Po sot? – që të mos flasim për gjyqet e E. Hoxhës, që dënonte njerëz të pafajshëm, sipas “parimeve” të Vishinskit, për luftën klasore në gjyqet! Thoma Orollogai, që u propozua nga vetë nacionalçlirimtarët për drejtimin e seancave në bashkëbisedimet në Mukje, i njohur për mendimet e tij të paanshme, u dënua me vdekje dhe u ekzekutua nga pushtetarët e rinj, fill pas luftës, me akuza false! Kurse “historiani” X (nuk më bëhet t’i jap emër) na flet për glorifikim. Fjalë të cilën duhet ta shohë në fjalor. Në Fj. It-shqip shpjegohet me “lavde”, “zulmë” (f. 511). Po të kërkohet shembull: Lavdí shokut Enver e Shokut Tito, në hekurudhë, ku kam qenë vetë. Hosanatë në banderolat dhe britmat e lavdeve nëpër altoparlantet, të linin pa gjumë. Autori i përdorimit të kësaj fjale, “glorifikim”, nuk ka gjetur asnjë rast konkret për të cituar ndonjë rast konkret për të jetësuar mendimin e tij, më 23 korrik Mos ka parë ndonjë ëndërr, më 22 korrik, për glorifikimin e Enver Hoxhës në Pezë, me rastin  16 shatorit?
Në shtëpinë e të varurit nuk përmendet litari!
***
Pika e dytë e kësaj kundërvënieje në këtë shkrim, ka të bëjë me “zbehjen” e figurës së Ismail Qemalit. Kush e ka bërë këtë zbehje?  Do të provojmë se e kanë bërë ata vetë: Enveri me enveristët e tij. Figura e Ismail Qemalit ishte ruajtur sa për formë. Shkonte paralel me 28 nëntorin, që duhej zëvendësuar me 29 nëntorin e festës jugosllave: “Dhe paskëtaj festat i kemi të përbashkëta” – mburrej diktatori ynë në kohën që nuk i kishte prishur marrëdhëniet me Titon, për arsye që nuk vareshin nga ai vetë. Në të vërtetë, e gjithë farefisnia e Plakut të Vlorës ka hequr të zitë e ullirit. Darling Vlora, pinjoll i kësaj familjeje të madhe, ka shkruar librin “Ismail Qemal Vlora”. Të kap një ndjenjë mallëngjimi dhe zemërimi sesi janë trajtuar të afërtit e Ismail Qemalit nga diktatura. Këtë libër e njoh mirë para se të dilte në dritë, në nëntor të vitit 1997, sepse e kam korrektuar dhe redaktuar vetë. Darling Vlora iku familjarisht në Itali, se ishte dhe mbeti i keqtrajtuar nga ai që quhej tetëvjeçari i mallkuar i sundimit të së majtës. Kjo shprehje është e Edi Ramës,  kur fliste me patos për korrupsionin galopant, për trafiqet e drogës e të mishit të bardhë, për  gomonet klandestine që çanin dallgët e Adriatikut e të Jonit për në Itali e gjetiu... Ishte 2005-a e fitores demokratike mbi këtë farë të majte, për të cilën kreu rishtar i PS-së thoshte para “këpëdarëve” apo të ashtuquajturve kongresmenë, të zgjedhur kokërr më kokërr prej Ramës, për të rrëzuar Nanon, në bazë të nenit 28 të  statusit të partisë (Pastaj rrëzoi edhe nenin vetë!). Në Hyrjen e librit të Darlingut shkruhet “për çka u shtrembërua qëllimisht nga regjimi i para ’90-s rreth  familjes “Vlora”. Shfrytëzohej vetëm figura qëndrore për interesa të instrumentalizimit ideor dhe, në rastin e familjeve të mëdha, denigrimi arrinte gjer në ndërrim mbiemrash”. I.Qemali kishte 10 fëmijë, 7 djem e tri vajza. Të gjithë djemtë ishin bashkëpunëtorët e tij, me studime universitare dhe me vlerësime nga mjaft shtete. Dy djemtë më të vegjël patën fatin e keq të ngeceshin në Shqipëri. Qamil Vlora ishte titullar i “Legjonit të nderit” i republikës franceze. Është njëri prej atyre që mbeti në Shqipëri “pas ardhjes në fuqi të komunistëve”. Darlingu vazhdon, në f. 49: “ Iu kërkua bashkëpunimi me ta, gjë të cilën ai kurrë s’mund ta pranonte (...). Në burg sëmuret nga tuberkulozi. Vdes në mjerim të plotë më 15 dhjetor 1950”. Më 9 dhjetor riprodhohet një letër nga klinika e burgut:  Po e japim me shkurtime: “ “Gjithë jetën, djemtë e mi, u përpoqa të jeni të kënaqur dhe të lumtur dhe të mos kuptoni mizeriet morale dhe materiale të kësaj jete. Ju rrita me dashuri. Tashti që u plaka dhe vuaj nga një sëmundje pa shërim, nuk jam në gjendje të përpiqem, por vetëm uroj dhe lus që të jeni të lumtur. (...) Por ju jeni të pjekur që të kuptoni se bota nuk është një fushë lumturie por, si thonë fetarët, “unë vallée des larmes et de misère” (një luginë lotësh e mjerimi) (...) Kështu duhet të forcohemi për t’u bërë ballë gjendjeve që na rezervon fati (...). Nga datat shihet se atij i kishin mbetur vetëm gjashtë ditë jetë. Dhe ngushëllonte bijtë që ta përballonin vdekjen e tij me forcë shpirtërore. Në f. 52 flitet për djalin tjetër të Plakut të Vlorës. “Punoi gjithë jetën në punë të rënda me tri turne, për të siguruar bukën e gojës për familjen. Pësoi fatin e të vëllait. “Nuk pranoi bashkëpunimin me regjimin komunist. Si kompensim, punoi për vite të tëra në fshatrat e thella të Konispolit, si arsimtar në shkollën fillore (!)”, ndonëse me kulturë të thellë e me gjuhë të huaja, kur mësuesit fshatarë, “kolegë” të tij, pa arsim përkatës, nuk dinin as gjuhën shqipe... Libri ka shumë episode të tilla të poshtërimit të njeriut nga një regjim barbar. Figura e Ismail Qemalit është pak të thuhet se është zbehur: Ajo është zvetënuar e poshtëruar, po të gjykojmë se ç’respekt kanë pasur njerëzit e diktaturës për  të afërtit e heroit të Pavarësisë sonë. Puna e parë që u është ofruar, ka qenë spiunllëku!
Tani po na ofrohen... lotët e krokodilit!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›