Administrata, shmangen konkurset fiktive
Provimet me plan vjetor dhe para një jurie nga ekspertë të pavarur
ARD KOLA
Për çudi, qeveria ka hartuar një projektligj për nëpunësit civilë, ku forma e rekrutimit bëhet më e fort dhe ku shefat nuk kanë gjë në dorë të emëruar miqtë. Të paktën, në draftin e përgatitur nga Departamenti i Administratës Publike, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, i cili pritet të miratohet nga Kuvendi në muajin shtator (pjesë e plotësimit të një prej 12 rekomandimeve të BE-së), janë renditur kriteret e forta për të punuar në shtet, ndërsa funksionet e Komisionit të Shërbimit Civil bëhen më të forta.
Rekrutimet në administratë dhe marrja e statusit të nëpunësit civil nuk do të realizohet sipas dëshirave të institucionit, por me një plan të përgatitur qartë, ku në fillim të çdo viti, një komitet i posaçëm (juria) zhvillon provimet për të gjitha pozicionet vakante. Interesantja qëndron në faktin se vendin e punës e zgjedh vetë fituesi, aty ku ai mendon të punojë, brenda pozicionit ku ka konkurruar.
Emërimi
Në nenin 22, të draft-ligjit, thuhet se, kandidatët fitues, të përcaktuar sipas nenit 21/5, të këtij ligji, duke filluar nga ai me më shumë pikë, kanë të drejtën të zgjedhin të emërohen në çdo pozicion, të grupit për të cilin është zhvilluar konkurrimi, si dhe në çdo pozicion tjetër të lirë të të njëjtit grup që krijohet i lirë gjatë kohës së vlefshmërisë së listës, në përputhje me paragrafin 3 të këtij neni. Njësia përgjegjëse bën emërimin e kandidatit në pozicionin e zgjedhur, sipas paragrafit 1 të këtij neni. Lista e kandidatëve fitues, të paemëruar ende sipas paragrafit 2 të këtij neni, është e vlefshme për një periudhë 2-vjeçare nga shpallja e fituesve. Nëse gjatë këtij afati zhvillohet një procedurë tjetër konkurrimi për të njëjtin grup, kandidatët fitues të listave që nuk janë emëruar ende, rirenditen sipas rezultatit përfundimtar.
Neni 21, Pranimi në shërbimin civil, konsiderohet pika kyçe e draftit. Konkurrimi organizohet në mënyrë periodike, nga njësia përgjegjëse, për secilin nga grupet e përcaktuara në paragrafin 8 të nenit 18 të këtij ligji. Konkurrimit zhvillohet në këto dy faza: verifikimi paraprak nëse kandidatët plotësojnë kërkesat e përgjithshme dhe ato të posaçme sipas shpalljes të konkurrimit dhe; dhe vlerësimi i kandidatëve. Verifikimi paraprak kryhet nga njësia përgjegjëse, ndërsa vlerësimi i kandidatëve bëhet nga Komiteti i Përhershëm i Pranimit, i krijuar për secilin nga grupet e përcaktuara në paragrafin 8 të nenit 18 të këtij ligji. Kandidatët fitues që marrin mbi 70% të pikëve totale të vlerësimit renditen, nga Komiteti i Përhershëm i Pranimit, sipas pikëve të marra, në listën e kandidatëve të suksesshëm (këtej e tutje lista).
Do të jetë vetë Kryeministri ai që do të miratojë rregullat e hollësishme mbi krijimin, përbërjen dhe veprimtarinë e komiteteve të përhershme të pranimit, si dhe rregullat e hollësishme për procedurën e pranimit dhe vlerësimin e kandidatëve. Trupa e Nivelit të lartë Drejtues (TND) konsiderohet risia e draft-ligjit, rekrutimi brenda saj do të bëhet nga një juri e përbërë nga personalitete nga fusha të ndryshme. Të cilësuar si Komisioni Kombëtar i TND-së, ai do të përbëhet nga shtatë anëtarë, ku një përfaqësues nga DAP-i, një nga TND-ja dhe 5 nga personalitete të pavarura me eksperiencë profesionale dhe integritet të mirënjohur. Pesë personalitetet e pavarura emërohen nga Këshilli i Ministrave, për një mandat 5-vjeçar, me përjashtim të anëtarëve të parë, një prej të cilëve i zgjedhur me short zëvendësohet çdo vit.
Rastet
Gjobë gjysmën e rrogës për shkelje
Për ta bërë më të zbatueshëm ligjin e nëpunësit civil, qeveria dhe ekspertët e huaj kanë menduar të vendosin sanksione. Kështu, nëse gjatë mbikëqyrjes, KSHC çmon shkelje të ligjit në administrimin e shërbimit civil, me vendim me shkrim, paralajmëron institucionin përkatës, duke i lënë detyrat për përmirësimin e situatës dhe përcaktuar një afat të arsyeshëm për zbatimin e tyre. Në rast të moszbatimit të vendimit të dhënë KSHC mund të gjobisë nëpunësin përgjegjës, për moszbatimin e masave. 3. Masa e gjobës e parashikuar sipas paragrafit 2 të këtij neni është nga 20-30% të pagës mujore të nëpunësit përgjegjës. Në rast të moszbatimit të mëtejshëm të vendimit, KSHC- mund të vendosë një gjobë tjetër deri në 50% të pagës mujore të personit përgjegjës. Vendimi i gjobës është akt administrativ i veçantë dhe mund të ankimohet drejtpërdrejt në gjykatën e apelit kompetente për mosmarrëveshjet administrative. Vendimi i gjobës, ekzekutohet drejtpërdrejt nga Ministria e Financës, nga paga e personit të gjobitur, menjëherë sapo vendimi është bërë i ekzekutueshëm sipas ligjit. Në rast të detyrimeve mbi 50% të pagës mujore, ekzekutimi bëhet në këste jo më të mëdha se 25% secili.
Larg fushatave!
Në rastet e pjesëmarrjes në fushatë elektorale nëpunësi duhet të kërkojë pezullimin nga shërbimi civil. Nëpunësi civil ka të drejtë të jetë anëtar i partive politike, përfshirë edhe anëtar themelues i tyre, por nuk mund të jetë anëtar i organeve drejtuese të tyre.
Administrata, shmangen konkurset fiktive burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip