Bie eksporti në Kosovë, vetëm 3.8% rritje ekonomike

Në Kosovë në vitin 2012 ka rënë eksporti, kanë rënë remitencat, ndërsa rritja ekonomike nuk parashikohet të kalojë mbi 3.8%.
Të gjitha këto janë prezantuar sot nga zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), gjatë prezantimit të raportit vjetor 2011, dhe të dhënave për periudhën e parë të vitit 2012.
Gazmend Luboteni, kryetar i Bordit të BQK-së, ka thënë se në vitin 2011 Kosova ka arritur të ruaj stabilitetin, por që sipas tij, kjo nuk po shihet edhe këtë vit.
Ai ka thënë se problem kryesor vazhdon të jetë papunësia, që sipas tij, është 45% e popullsisë.
“Kosova edhe përkundër gjithë këtyre problemeve ka arritur që të ruaj rritjen ekonomike prej 5%, parashikimet për sivjet janë shumë më të ulëta, parashihet diku rreth 3.8% të jetë norma e rritjes ekonomike. Një problem tjerët që po vazhdon të jetë në trend, është papunësia që 45% është sipas vlerësimeve”, ka thënë ai.
E zyrtari tjetër nga BQK-ja, Arben Mustafa ka pohuar se kanë rënë edhe investimet e huaja direkte.
“Vërejmë se kemi një rënie të eksporteve dhe një nivel të ngjashëm të importeve me vitet e kaluara, dhe kjo rënie e eksporteve padyshim se ndikon në vendet e eurozonës që janë partneri kryesor tregtar i Kosovës. Gjatë tremujorit të parë të vitit 2012 po ashtu kemi pasur një rënie të lehtë të dërgesave të emigrantëve pra të cilat kanë shënuar një rënie prej 4.8% e po ashtu një rënie të investimeve të huaja direkte, pra të gjithë këto zhvillime që reflektojnë nga jashtë, reflektojnë në ekonominë e eurozonës”, ka thënë ai.
Kurse guvernatori i BQK-së, Gani Gërguri ka pohuar se një ndër sfidat më të mëdha për vendin tonë, mbetet deficiti i lartë tregtar.
Gjatë prezantimit të raportit vjetor për vitin 2011, Arben Mustafa ka bërë të ditur se eksporti ka arritur vlerën prej 312.5 milionë euro, ndërsa importi 2.5 miliardë, thuhet në komunikatën e BQK-së.
Dërgesa të emigrantëve gjatë 2011 ka pasur prej 584 milionë euro, ndërsa asetet e sektorit financiar kanë arritur në 3.5 miliardë euro, që me rritje vjetore është 9.3%.
Norma mesatare e inflacionit sipas Mustafës ishte 1.5%, ndërsa kreditë po vazhdojnë të shënojnë rritje vazhdimisht.