E Diel, 1 Nëntor 2026

Leskaj: Në 6 muaj, 50 milion dollarë dëme

Gjatë analizës së periudhës së 6 mujorit të parë të këtij viti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, që nisi mbrëmjen e djeshme në  Vlorë dhe që do të vazhdojë edhe në dy ditët e ardhshme, kreu i këtij institucioni, Bujar Leskaj, nënvizoi se gjatë auditimeve të kryera është konstatuar se dëmi ekonomik është ndarë në dy kolona, në dëmin e drejtpërdrejtë, me një efekt financiar negativ prej 36 milionë USD dhe, pjesa tjetër, nga ndikimi negativ në performancën e subjekteve të audituara.

Gjatë kësaj periudhe, sipas zotit Leskaj, janë bërë 18 kallëzime penale për shpërdorim detyre në shkeljen e barazisë në tendera, një shifër kjo e barabartë me atë të periudhës së 3 viteve të fundit, ndërkohë që janë bërë 213 rekomandime dhe janë propozuar 489 masa administrative, ose 86 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2011.

Në shkeljet e konstatuara gjatë 6 mujorit të parë të vitit në vazhdim, sipas zotit Lekaj, përfshihen Porti Detar i Vlorës, disa drejtori rajonale të ALUIZNI-t, Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave në Durrës, etj. Po ashtu, janë realizuar 91 auditime për performancën, nga të cilat 21 janë në proces, ndërkohë që janë bërë 25 propozime për ndryshim legjislacioni.

Duke nënvizuar se Kontrolli i Lartë i Shtetit po funksionon sipas një praktike dhe mendësive të reja, zoti Leskaj theksoi se "po goditet antikultura e pandëshkueshmërisë".  Gjatë kësaj periudhe, KLSH ka nënshkruar marëveshje bashkëpunimi me një numër institucionesh si Prokuroria e Përgjithshme, ILDKP, Autoritetin e Konkurrencës, me 6 organizata aktive në fushën e luftës kundër korrupsionit, me Ministrinë e Financave, me struktura homologe të vendeve të tjera, si Zyrën e Auditit të Përgjithshëm të Kosovës, Gjykatën e Auditimit të Sllovenisë, Zyrën Kombëtare të Auditimit të Polonisë etj. Ai u bëri thirrje të gjithë punonjësve të administratës publike të denoncojnë rastet e shkeljeve dhe abuzimeve, ndërkohë që garantoi se "steka e kallëzimeve tona do të vijë duke u ngritur".

Në fjalën e vet, kreu i KLSH u ndal në disa aspekte të përmirësimit të efektivitetit të masave të propozuara nga struktura që ai drejton, duke theksuar se "për personat e denoncuar nga KLSH të kërkohet edhe masa e arrestit shtëpiak”. Kjo, sepse, sipas tij, shpesh, zgjatja e hetimit zvogëlon vlerën reale të denoncimeve tona.  Ai  u ndal tek rritja e transparencës së aktivitetit të KLSH, duke theksuar se i është kushtuar kujdes dhe rëndësi e veçantë marrëdhënieve me publikun dhe median, ndërkohë që shtoi se "eksperienca e përbashkët u shërben të gjithëve". /Start/

                                                                                             2012-07-31 15:29
   

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›