Administratë dixhitale, sistem gjurmueshmërie
TIRANË- Kreu i qeverisë, Sali Berisha ka deklaruar se në emër të transparencës dhe shpejtësisë për qytetarët do të kalohet në administratë tërësisht dixhitale me bazë sistemin e gjurmueshmërisë.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë, Berisha ka theksuar se në këtë mënyrë asgjë nuk do të lejohet të myket në skutat e burokracisë.
Vendosja e sistemit të gjurmueshmërisë në të gjithë veprimtarinë tonë nga sporteli që dorëzohet dokumenti nga qytetari deri te përgjigja apo sjellja e tij në Kryeministri. Ne duhet të rendim me shpejtësi drejt administratës dixhitale, drejt atij sistemi që bën më transparent këtë administratë, AKSH ka filluar punën dhe ekspertët e tij po punojnë në një projekt pilot, që do të fillojë të zbatohet me KM dhe ministri të tjera- tha Berisha.
Ai kërkoi nga ministrat riaktivizim të administratës në funksion të këtij projekti të madh. Nuk ka projekt më të rëndësishëm për veprimtarinë tonë burokratike se sa ky, asgjë nuk mund të myket e të flerë në skutat e burokracisë- tha ai.
