Adresa e parë dhe atdheu i dytë
Artikulli yt i djeshëm për emigrantët më nxiti të shkruaj pak radhë për këtë temë. Zgjodha formën e letrës, sepse dëshiroj të komunikojmë, siç komunikojnë dy gazetarë në kafene, kur bisedojnë për të njëjtën temë. Shpresoj se do të me mirëkuptosh.
Ti e di shumë mirë se unë jam emigrant në SHBA që prej pothuaj 10 vjetësh. Ajo kafe që kemi pirë bashkë në “Rogner”, sigurisht është fare pak kohë për të treguar një eksperiencë 10-vjeçare emigracioni. Por besoj se me mirëkupton, po të të them se krahas sfidave te papritura, kjo kohë me ka dhënë gjithashtu privilegjin të kem ca njohuri më shumë në këtë fushë. Nuk dua të bëj rolin e atij që pretendon se e di këtë temë në mënyrë të plotë, por gjithashtu nuk do të doja të bëja edhe neglizhentin.
I quaj të natyrshme disa dyshime që mund të kesh, kur je shprehur në mënyrë relative rreth kësaj teme. E quaj me vend gjithashtu shqetësimin tënd lidhur me dilemën, nëse duhet të votojnë apo jo emigrantët. Por, po të them se po të ketë vullnet politik në Tiranë, kjo çështje madhore për Shqipërinë mund të zgjidhet ose me saktë mund të fillojë të futet në rrugën e zgjidhjes. Por që të ndodhë kjo, mbi të gjitha kjo çështje meriton të trajtohet si një çështje e madhe dhe jo si një çështje që del në skenën e “Teatrit të Kukullave”, sa herë afrohet sezoni i zgjedhjeve. A lidhet emigracioni shqiptar me zgjedhjet në Shqipëri? Sigurisht që lidhet, por nuk lidhet siç mund të lidhet një kone që mund ta shëtisë i zoti, ashtu për qejf nëpër parqe në mëngjes ose në mbrëmje.
Para se gjithash, emigracioni është një realitet demografik që nuk mund të shpërfillet. Shqipërisë i kanë emigruar rreth një milion shqiptarë të rinj, siç thua edhe ti, dhe kjo nuk është pak për Shqipërinë. Shteti shqiptar e ka për detyrë të dijë se ku i ka bijtë e vet, ashtu sikurse bijtë e vet e kanë për detyre t'ia thonë shtetit se ku janë. Nuk është problem aq i vështirë, nuk kërkohet as një Ajnshtajn i dytë për ta zgjidhur. Është fare i thjeshtë, po të vështrohet me po atë dashuri që nëna i vështron të gjithë bijtë e vet, pavarësisht si ku i ka, në derë të shtëpisë apo larg nëpër botë.
I dashur Mero, unë nuk do ta zhvilloj aspektin moral të kësaj teme, sepse është shumë i gjerë. Vetëm do të mjaftohem të të them se nuk besoj të këtë emigrant që ka gjak shqiptari në deje që nuk i shkon së paku njëherë në ditë mendja në Shqipëri. Por le t'i lëmë për pak emocionet. Problemi është së pari ligjor. Shteti shqiptar duhet të ketë regjistrin e plotë të shtetasve të vet. Por shteti shqiptar, me sa di unë, ende nuk e ka të plotë, domethënë përfundimtar këtë regjistër. Në këtë regjistër shteti duhet të ketë edhe emrat e emigrantëve. Askush nuk mund t'i fshijë emrat e tyre, sepse kjo do të ishte një masakër. Ky regjistër mund t'i shërbejë shtetit për të gjitha punët e tij, madje edhe kur vijnë kohët e zgjedhjeve të deputeteve tanë të nderuar apo të bashkiakëve. Pra, para se gjithash, është detyre ligjore e shtetit shqiptar. Kjo duhet kuptuar seriozisht nga zyrtarët shqiptarë. Por, në mos gaboj, ti Mero, më duket se në artikullin tënd e vë theksin më shumë te përgjegjësia e emigrantëve. Ja, le ta citoj pak artikullin tënd. Ja çfarë thua ti ndër të tjera: “Në këtë mes hartimi i regjistrit kombëtar të shtesave shqiptarë është një lehtësi e madhe për të verifikuar gjithë shtetasit shqiptarë, por, nga ana tjetër, ne duhet të regjistrojmë gjithë diasporën shqiptare ose ta identifikojmë në regjistrin elektronik vendndodhjen e dytë të secilit shtetas. Kushdo prej emigrantëve që do të votojë, duhet të kontribuojë duke depozituar vetë adresën e tij të dytë në gjendjen civile të Shqipërisë dhe kjo adresë të jetë e vlefshme që atij t’i dërgohet me postë fleta e votimit. Ne nuk kemi luksin të krijojmë një armatë votuesish, të cilëve nuk iu dimë as adresë, as emër real dhe as lidhjet me Shqipërinë. Ata që duan të votojnë, së paku duhet të dëshmojnë të regjistrohen si votues dhe të depozitojnë të dhënat e tyre pranë shtetit shqiptar. Pastaj forma e votimit mund të zgjidhet në mënyrat klasike, siç votojnë qytetarët amerikanë jashtë Amerikës apo dhe diaspora të vendeve të tjera.”
Unë e kuptoj shqetësimin tënd Mero për t'i prerë rrugën rrëmujës dhe manipulimeve. Por, le ta marrim çështjen thjesht. Unë kam një adresë të parë. Dhe kjo është në rrugën “Ali Baushi”, Pallati numër 7, etj., etj., në Tiranë. Është tërësisht ligjore, sepse unë jam shtetas shqiptar dhe nuk ka burrë nëne që të ma fshijë emrin nga ato lista. Tani, meqë para dhjetë vjetësh unë emigrova ligjërisht në SHBA, sipas të gjitha rregullave, kam pranuar gjithashtu të jem edhe shtetas amerikan. Natyrisht, kam edhe një adresë të dytë, në atdheun e dytë, siç quhet një vend që unë e dua me zemër. Këtë adrese shteti shqiptar mund ta mësojë fare lehtësisht përmes ambasadës shqiptare në Uashington. Unë nuk jam meksikan që kam kaluar kufirin me një torbë në krah dhe që fshihem të mos më kapë policia që mund të të kthejë nga thembrat këmbët. Unë jam me të gjitha dokumentet ligjore dhe si unë janë me mijëra shqiptarë në SHBA. Dhe të tillë i ke edhe nëpër Evropë jo pak. Shteti shqiptar, ashtu siç me të drejtë promovon turizmin, duke transmetuar spotet televizive në CNN, mund të promovojë në shtypin e shkruar dhe në internet detyrimin e tij për të mësuar atë që ti Mero e quan “adresa e dytë”. Formalisht me këtë punë mund dhe duhet të merren ambasadat shqiptare në botë. Unë mund t'ia dërgoja ambasadës shqiptare dëshminë zyrtare të adresës sime të dytë dhe t'i provoja ligjërisht se e kam këtë adresë. Pastaj ambasada do të duhej të më dëshmonte se e mori këtë adresë dhe pastaj vjen ajo fazë, për të cilën flet edhe ti Mero, se “pastaj, forma e votimit mund të zgjidhet në mënyrat klasike, siç votojnë qytetarët amerikanë jashtë Amerikës apo dhe diaspora të vendeve të tjera.” Por, unë nuk mund të hedh fall se në cilën dorë mund të bjerë adresa ime e dytë, po të lajthis dhe, për shembull, ta dërgoj në ato farë zyrash të gjendjes civile, ku edhe për një certifikatë të thjeshtë të shohin në kokërr të syrit të paguash një bakshish. Me fjalë të tjera, në radhë të parë shteti shqiptar duhet të më dëshmojë mua se është i përgjegjshëm, duke më pasqyruar në listat e votimit. Nëse do ai shtet që ta çojë edhe më tej këtë përgjegjësi të tijën, domethënë, nëse është i interesuar për votën time, duhet të bëjë edhe ca përpjekje të tjera të më gjejë zyrtarisht këtë “adresën e dytë”. Pastaj fillon përgjegjësia ime. Por as këtë, domethënë nivelin e përgjegjësisë sime, askush nuk ka të drejtë ta paragjykojë. Unë mund të jem si të thuash i djegur për të votuar, mund të abstenoj, ose, larg qoftë, mund të kërkoj që të më fshihet emri fare nga ato listat e votimit në Shqipëri. (Një ish-zyrtar i lartë i Drejtësisë shqiptare që tash jeton në Amerikë e ka bërë një kërkesë-marrëzi të tillë.) Kjo mbetet për t'u provuar. Por, para se gjithash mbetet për t'u provuar serioziteti i zyrtarëve që qeverisin me shtetasit e vet. Në këtë vështrim unë mendoj se ti Mero mund të kesh qenë pak i dëshpëruar, kur e ke mbyllur artikullin me këto fjalë: “Nuk ia vlen të lodhemi dhe duke i gjurmuar ata ku janë strehuar, duke iu lutur të votojnë për ne. Duhet të votojnë ata që e meritojnë.”
Jo Mero, ia vlen që zyrtarët e shtetit shqiptar të lodhen, madje të lodhen shumë për të ditur se ku i kanë shtetasit e vet. Se këta shtetas, tashmë edhe me statusin e emigrantit, i kanë dhënë e i japin jo pak atij vendi. Mjafton të të përmend se jo me larg se dje, vetë shtypi shqiptar i Tiranës pohon se: “Në një studim të fundit të Bankës së Shqipërisë kalkulohet se në tre muajt e parë të këtij viti nga emigrantët ka hyrë një kapital rreth 210 milion euro”.
Në këtë kuptim mund të thuhet se emigrantët votojnë çdo ditë për Shqipërinë. Kështu që ata e meritojnë të jenë në vëmendjen serioze të shtetit shqiptar. Nga kjo vëmendje serioze burojnë pastaj përgjegjësitë e ndërsjella. Prandaj, çështjet e emigracionit shqiptar kërkojnë një vizion të plotë. Në radhë të parë duhet të ndryshojë mentaliteti për emigrantët dhe emigracionin. Duhet të ketë një respekt real për ta dhe të mos bëhet propagandë apo biznes politik. Qeveria shqiptare duhet t'iu bjerë në gjunjë emigrantëve, se ata sjellin miliona për familjet e tyre në Shqipëri, në një kohë kur ende nuk janë ndezur siç duhet motorët e prodhimit dhe të ekonomisë së vendit. Qeveria ka gjithashtu një detyrim shumë më madhor për të bërë realitet motivin e kthimit të trurit në Shqipëri, të atij truri që ka fituar kulturën perëndimore. Por, le ta them hapur, mua më duket se ende nuk ka struktura shtetërore përgjegjëse dhe të kompletuara që të merren me emigrantët dhe emigracionin. Personalisht, e kam thënë edhe në shtyp, ka ardhur koha që gjysma e një ministrie të caktuar t'i kushtohet emigracionit. Ka për shembull Ministri të Kulturës dhe të Turizmit. Por mund të ishte, për kushtet e Shqipërisë, diçka e tillë: Ministria e Emigracionit dhe e Turizmit. Në Amerikë nuk ka Departament Kulture dhe megjithatë, artet, letërsia, dhe kultura lulëzojnë, sepse e qeverisin komunitetet e artisteve.