Qeveria dorëzohet për rritjen e taksës së ndërtimit dhe tokës bujqësore
Ligji për rritjen e taksës së pasurisë, pas kundërshtimesh të shumta, është tërhequr dje dhe do të shqyrtohet përsëri. Ministri shqiptar i Financave, Ridvan Bode, tha dje se projektligji do të rikthehet për shqyrtim në komisione dhe do të kalojë edhe njëherë duke dëgjuar të gjitha palët. Ndryshimet e paraqitura nga qeveria në ligjin për taksat vendore konsistojnë në rritjen e taksës së pasurisë, përkatësisht në 65 lekë/metër katror brenda unazës dhe 45 lekë/metër katror jashtë unazës së Tiranës, në një kohë që pushteti vendor përveç kësaj takse do të ketë nën administrimin e tij edhe taksën e qarkullimit, atë të peshkimit etj. Një nga grupet më të mëdha që është shprehur kundër ndryshimeve, ka qenë pikërisht ai ndërtuesve, të cilët kanë deklaruar se rritja e kostove të ndërtimit duke filluar që me rritjen e çmimeve dhe rritja e taksave vendore do të ndikojë në uljen e ritmeve të ndërtimit, madje në rastin më të keq, do të çojë në një falimentim të kompanive të ndërtimit. Qeveria shqiptare ishte këmbëngulëse deri dje për t’i miratuar këto ndryshime, megjithëse ndërtuesit kundërshtuan dhe thanë se taksat e reja do të rrisnin shumë çmimet në ndërtim. Grupet e interesit e kryesisht biznesi nuk mundën të përfaqësonin shqetësimin e tyre në këto ndryshime, ndërsa dje qeveria e pa veten të pranonte moskalimin e taksave të reja dhe rishqyrtimin. Opozita në anën tjetër i ka kundërshtuar këto ndryshime. Përkundër sjelljes me taksat e tjera qeveria kërkoi rritjen e taksës së pasurisë me argumentimin se pushteti vendor kishte nevojë për më shumë pará dhe për pavarësi më të madhe. Ligji për taksën e pasurisë parashihte rritje të taksës edhe për tokën bujqësore. Rritja e taksës për ndërtesat dhe e taksës për tokën në një kohë kur kostot e produkteve dhe të shërbimeve rriten përditë, është një masë e pavend dhe do të bëjë që çmimet të rriten shumë më tepër se sa kanë ritmin e tyre. Bujqësia është në një gjendje ende mjerane, ku një fermer prodhon më pak se 25 për qind të asaj që prodhonin një fermer në Maqedoni apo në Bullgari dhe, të rrisësh taksën e tokës bujqësore, do të thotë ta mjerosh edhe më atë. Çmimet e larta të punës me mekanikë dhe të kimikateve në bujqësi edhe në gjendjen e tashme janë të papërballueshme për të quajturit fermerë dhe një taksë e re rritur e tokës do të ishte tjetër barrë. Ndërtimi është një nga sektorët me rënien më të madhe krahasuar me vitet e kaluara (së bashku me transportin), ndërkohë që çmimet rriten pavarësisht rënies së shitjeve. Në kushte të tilla rritja e taksës për banesat do t’i bënte çmimet edhe më të papërballueshme.