E Diel, 1 Nëntor 2026

Prodani: Pezullimi i Bosnjës na heq një rival të fortë nga gara

SHKRUAN: Jeton Selimi 31-03-2011 11:43

Pezullimi i mundshëm i Bosnjës nga Euro 2012 ka bërë bujë në të gjitha mediat sportive, sidomos të përfaqësueseve që e kanë të lidhur direkt fatin me vendimin e UEFA-s më 1 prill. Dy ditë më parë, Federata Boshnjake e Futbollit zhvilloi asamblenë ku pika kryesore ishte ndryshimi në statut ku përcaktohej kohëzgjatja e presidencës. FIFA dhe UEFA janë thundrafortë përsa u përket çështjeve të tyre dhe nuk kanë ndërmend të tolerojnë fare problemet e brendshme të Bosnjës, që e ndryshon presidencën me rotacion në një periudhë 18-mujore mes tre etnive: boshnjakëve, kroatëve dhe serbëve. Në votimin e së martë, 28 delegatë kanë votuar kundër ndryshimeve në statut, duke i dhënë kështu rrugë UEFA-s që ta fshijë nga harta e futbollit Bosnjën për këto eliminatore.

Megjithatë, në FSHF nuk kanë ndërmend të hapin shampanjat përpara kohe. Institucioni që drejton futbollin në vendin tonë kërkon të tregojë maturi. Sipas sekretarit të Përgjithshëm, Eduard Prodani, pezullimi i Bosnjës do të hiqte një rival të fortë nga gara për një nga dy vendet që të çojnë në Poloni dhe Ukrainë. “Natyrisht që pa Bosnjën në grup, për ne do të ishte ndryshe, sepse ata janë një kundërshtar shumë i fortë dhe që pretendojnë realisht,” deklaron për “Mapo”-n, Prodani. Megjithatë, numri 2 i FSHF-së kërkon të qëndrojë me këmbë në tokë dhe komenton më tej situatën. “Megjithatë, më parë duhet të presim vendimin e UEFA-s. Deri atëherë mund të ndryshojnë shumë gjëra. Pezullimi më parë duhet zyrtarizuar,” shton sekretari Prodani, që e plotëson idenë e tij me faktin se kuqezinjtë nuk duhet të qëndrojnë të varur nga pezullimi apo jo i Bosnjës. “E vërteta është që ne po përgatitemi me idenë se Bosnja është në grup. Ne po shohim përpara për ndeshjen e 7 qershorit. Pezullimi i Bosnjës është një fakt që nuk duhet të ndikojë në përgatitjen tonë dhe entuziazmin për kualifikimin për në europianin e Polonisë dhe Ukrainës,” ka përfunduar sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Eduart Prodani.

Çokaloviç: Faji është

i serbëve dhe kroatëve

Ndërsa tifozët boshnjakë presin një ndryshim të klimës së ditëve të fundit në federatën e futbollit, krerët më të lartë të tri federatave gjysmë-autonome, akuzojnë njëri-tjetrin për këtë dështim. Më i ashpër ka qenë përfaqësuesi më i lartë i muslimanëve, Sulejman Çokaloviç që e ka drejtuar gishtin tregues te dy homologet serbe e kroate, që sipas tij kanë votuar kundër më 29 mars. “Të gjithë përfaqësuesit e Republikës Serbe dhe kroatët kanë votuar kundër”, deklaroi ai për gazetarët. Nga ana tjetër, Sllobodan Tesiç, përfaqësues i serbëve, ka deklaruar për AFP se “kishte respektuar politikën e federatës serbe”.

Grupi D

Skuadra N F B H Gol P

1 Franca 5 4 0 1 8-1 12

2 Bjellorusia 5 2 2 1 3-1 8

3 Shqipëria 5 2 2 1 4-4 8

4 Bosnja 4 2 1 1 6-4 7

5 Rumania 5 1 2 2 3-6 5

6 Luksemburgu 6 0 1 5 1-11 1

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›