Adriano, fundi i një idhulli
"Ti mund të dalësh nga getoja, por getoja nuk mund të dalë kurrë nga ty", thotë një proverb i famshëm afro-amerikan. Në Vila Cruzeiro, në jug të Rio de Zhaneiros, është një lokal që quhet "O Cantinho do Adriano", vendi i preferuar i Adrianos. Në mur është vendosur një poster i madh i futbollistit brazilian me fanellën e Interit, ku në diçiturë shkruhet: nga barakat në qendër të botës. Kampioni që "humbi" vetveten dhe gëzimin për të luajtur futboll erdhi të qetësohet këtu, në vendin ku lindi 27 vjet më parë, në Complexo de Alemao, një aglomerat prej 12 favelas (lagje të varfra në Brazil), me treqind mijë banorë, mes të cilave bën pjesë edhe Vila Cruzeiro. Shtëpia e tij e re është tashmë mijëra kilometra larg dhe shumë ndryshe nga banesa luksoze në liqenin e Koms në Itali. "Futbolli nuk më bën më të lumtur. Nuk ndiej më emocione në fushë", pati thënë ai. Vila Cruizerio është një lagje e vogël, e vendosur në kodrat e Rios, një vend që "qeveriset‘" nga trafikantët e drogës. Banorët e kësaj lagjeje të dëshpëruar, thuajse të gjithë mbajnë anën e trafikantëve dhe kriminelëve, sepse janë ata që u sigurojnë punë dhe mbrojtje. Policia duket rrallë në këto anë, vetëm kur bëhet fjalë për ndonjë "luftë" të vërtetë mes bandave. Shteti shihet si një "pushtues" i korruptuar dhe i dhunshëm. Me pak fjalë, një vend i ngjashëm me ferrin. Një zonë ku shtatë vjet më parë, një gazetar guximtar i televizionit "Rede Globo" u bë copa-copa nga një trafikant i tmerrshëm droge dhe më pas u dogj. Megjithatë, Adriano, vetëm aty ndihet i qetë, ndihet në shtëpi, vetëm aty milionat e tij duket sikur kanë vlerë. Ndihet vetvetja mes miqve të fëmijërisë. Pak kohë më parë, tabloidët brazilianë shkruajnë vazhdimisht për orgji me prostituta dhe transeksualë, pastaj për festa me birra dhe marijuanë, për nder të një kapoje droge, që tani ndodhet pas hekurave. Sipas zërave, aty kampioni i Interit u pa me dy pistoleta në brez dhe i rrethuar nga femra, duke harruar krejtësisht jetën e tij si profesionist i topit. Policia pati deklaruar se Adriano kishte takuar edhe disa miq të vjetër, trafikantë të rrezikshëm që kontrollojnë zonën. Janë ata që e mbajnë nën tutelë. Pas ndeshjes së kombëtares braziliane me Ekuadorin, të cilën e ndoqi nga pankina, Adriano u zhduk për tri ditë. Në Brazil qarkullonin zëra se mund të kishte vdekur. Në fakt, kishte shkuar në shtëpinë e dikurshme të prindërve të tij në të cilën tani jeton një xhaxha, derisa nëna Rosilda shkoi që ta merrte. Fill pas kësaj, menaxheri Gilmar Rinaldika organizoi një konferencë shtypi, ku tha se Adriano ka vendosur të largohet përkohësisht nga futbolli, për të paktën tre muaj, sepse për momentin nuk ka më dëshirë të luajë. Përgënjeshtroi çdo gjë, madje edhe supozimin se kishte nevojë për doktorë që të shërohej. Por, në të vërtetë, u pa hapur se "gjiganti" i brishtë kishte probleme mendore. Alkooli dhe droga janë pasojat e mënyrës së keqe të jetesës, që duket se filluan që nga vdekja e të atit 44 vjeç, rreth pesë vjet më parë nga një infarkt. Almir Leite Ribeiro, për shumë vite, deri sa vdiq, jetonte me një plumb në kokë, të cilin e kishte marrë gabimisht gjatë gjuajtjeve të shpeshta që janë të zakonshme për këto lloj lagjesh në Brazil. Po kalonte aty bashkë me Adrianon, i cili ishte vetëm 10 vjeç, kur u godit. Ndoshta kjo mund të jetë normale për ato lagje, por nuk janë trauma që mund të kalohen lehtë nga një fëmijë. Duket hapur që sporti, suksesi, paraja (5 milionë në vit nga Interi përveç të tjerave nga reklamat) gratë (pas prishjes së marrëdhënies me Joana Machado, pati një flirt me Ellen Cardoso) dhe luksi nuk i mjaftuan brazilianit që të shëronte shpirtin. Perandori nisi të luajë futboll në fushat e vogla të lagjes së tij. Kur ishte 7 vjeç hyri në shkollën e futbollit të Flamengos, nga ku ndoshta do të riprovojë ta nisë nga e para. E ëma, Rosilda, dhe gjyshja Wanda, shisnin ëmbëlsira në rrugë për të mbledhur paratë e nevojshme për të paguar autobusin. Adriano u rrit me fanellën me vija të kuqe e të zeza. Në fillim, nisi të luante si mbrojtës, pastaj si sulmues. Asnjë trajner nuk arriti të zbusë instinktin e egër. Në momentet e shkëlqimit të tij, braziliani i bënte për vete tifozët me atë forcë të jashtëzakonshme: sapo merrte topin në këmbë ishte i aftë të shpartallonte gjithë mbrojtjen e kundërshtarëve për shkak të forcës. Kampion bote me 17-vjeçarët me fanellën e Selaços, Adriano u ble nga Interi në verën e vitit 2001, pas një sezoni me skuadrën e Flamengos. Debutoi në një miqësore me Realin e Madridit ku hyri në fushë në minutën e 88‘ dhe shënoi menjëherë me një goditje "vdekjeprurëse". Në mes të atij viti, u huazua te Fiorentina ku shënoi 6 gola në 15 ndeshje dhe më vonë për një sezon e gjysmë përfundoi te Parma ku tregoi për aftësitë e tij të jashtëzakonshme: shënoi 23 gola në 37 ndeshje. Në janar të vitit 2004, Interi e solli sërish në shtëpi, duke besuar se më në fund ishte gati. Morati shpenzoi 165 milionë euro për të blerë "gjysmën" e lojtarit që kishte qenë i tiji. Shumë shpejt, braziliani arriti të bënte për vete San Siron, 9 gola në mes të kampionatit të ndjekur pastaj nga një tjetër vit i jashtëzakonshëm, 2004-2005: 16 gola në Serinë A, 10 në Ligën e Kampioneve dhe 2 në Kupën e Italisë, vendimtar në finalen e fituar kundër Romës. Me kombëtaren, fitoi Kupën e Amerikës. Adriano u bë sulmuesi që askush nuk arrin ta ndalë, përveç vetvetes. Telashet filluan në mesin e kampionatit në sezonin 2005-2006: një makinë golash, në dukje e pashkatërrueshme që papritur u ndal. Kohë të gjata pa gjetur rrjetën, kohë të gjata me një formë të dobët fizike. Pastaj situata mori të tatëpjetën; problemet me trajnerët, ndëshkimet, pushimet pa leje, zërat mbi jetën e tij private, bashkë me fotot e "vjedhura" nëpër festat e harbuara. Në sezonin 2006-2007 shënoi vetëm gjashtë gola. Ata që e njihnin nga afër nisën të tregonin se problemi ishte i rëndë. Në fillim të vitit 2008, Interi provoi ta shpëtojë duke e dërguar të luajë në San Paolo në Brazil. Edhe prej andej nuk mbërrin asnjë lajm i mirë përveçse Adriano ka nisur të shëndoshet; Adriano i ka hyrë rrugës së alkoolit; Adriano frekuenton shoqëri të keqe; Adriano bën orgji me modele të cilat më vonë tregojnë për tabloidët detaje tronditëse. Megjithatë, në atdhe, arrin të gjejë rrugën e rrjetës: shënoi 17 herë dhe trajneri i ri i Interit vendosi ta marrë sërish. Mes arratisjeve, pankinave, përjashtimeve, netëve të qeta, psikoanalistëve, ilaçeve kundër depresionit, dukej sikur tekniku portugez i Interit ia doli mbanë ta kthente në rrugë të mbarë. Madje Adriano ia kishte dedikuar golat e tij fëmijëve të Murinjos. Por në fakt, as kjo nuk zgjati shumë. Tani "perandori" nuk ka më kurorë. Futbolli nuk e bën më të lumtur. Hoqi dorë nga gjithçka. Ka nevojë të mendohet...