E Shtunë, 31 Tetor 2026

Metropolet e ndriçuara

Një fotografe ka kaluar pesë vjet në grataçielat e Nju Jorkut, Las Vegasit, Tokios, Pekinit, Shangait, Moskës, Parisit dhe Stambollit. Arsyeja? Për të paraqitur shpirtin intim të qyteteve, kur shumë njerëz (por jo të gjithë) shkojnë për të fjetur dhe kur ndërtesat e së gjithë botës flasin në mënyrë universale gjuhën e poezisë

Floriane de Lassée është një vajzë franceze, 31 vjeçe, dhe pasioni i saj është fotografia. Ajo ka shkrepur qindra foto gjatë mbrëmjeve të kaluara në ndërtesat më të larta të shteteve të ndryshme të botës (Nju Jork, Las Vegas, Moskë, Pekin, Shangai, Tokio, Stamboll, Paris). Arsyeja? Për të "vjedhur" sekretin e intimitetit të tyre, por duke u përpjekur të mos e dhunojë. Puna e saj është hedhur edhe në një libër ("Inside Views"), por diçiturat poshtë fotografive të metropoleve nuk janë shkruar, sepse "vullneti i saj", thotë ajo, "ka qenë jo ai i ndërtimit të një katalogu me kartolina postare, por pasqyrimi i një qyteti të zakonshëm që i përmbledh të gjitha". E ku natyrisht, nuk nevojiten shpjegime.

Nëse ndërtesat do të fotografoheshin nga larg pa "zoom", atëherë të gjitha qytetet do të ngjanin njësoj. Pavarësisht fantazisë së arkitektëve, grataçielat mbeten grataçiela. Ajo që i ndan është fakti se, në fletë, grataçielat nuk mund të kenë të njëjtën madhësi saç janë në të vërtetë. Një tjetër ndryshim janë dhe ngjyrat. Por vajza e mbrëmjeve metropolitane tashmë është mësuar me ndërtesat e larta, dritat, shkëlqimin dhe i mjafton një detaj i vogël për të marrë në dorë aparatin dhe të fillojë ta shkrepë. "Shangai është plot drita, ngjyrat e tij janë e gjelbra dhe bluja, ndërsa Pekini ka ngjyra më klasike. Pekini është ‘mashkull‘, Shangai është ‘femër‘", thotë Floriane. E në fakt, këto dy ngjyra janë zgjedhje e bashkisë, që vjen nga një shije lokale. Nuk është kulla e ndriçuar Eifel ajo që e bën më klasik Parisin, por shkëlqimi që e mbulon, pasi dielli perëndon dhe mbretëreshë e qiellit bëhet hëna. Tokio të lë një ndjesi ëmbëlsie. Nju Jorku dhe Las Vegasi, krejtësisht të ndryshëm nga njëri-tjetri, pasqyrojnë të gjitha llojet e ngjyrave, ose të paktën kështu të duket po t‘i shohësh nga lart. Stambolli është një vend fetar dhe ky fakt nuk mund të harrohet kurrë, sepse në mes të qytetit ngrihen dy xhami të mëdha. Ndotja, efektet e pranisë së njeriut kanë bërë që qielli i Pekinit, gjatë mbrëmjes, të jetë i hirtë. Por në fakt, dritat e shumta që ndriçojnë disa prej kryeqyteteve më të mëdha të botës, të sjellin ndërmend imazhin e një diskoteke.

Floriane de Lassée nuk ka reshtur për asnjë çast së fotografuari çdo ndërtesë apo grataçielë që i shfaqet para syve. "Kam fotografuar policët që luajnë mbrëmjeve, një grua që po lexon ndërsa qëndron ulur para dritares së një grataçiele, një grua tjetër që qëndron para vetratës së një ndërtese në Tokio, një vajzë teksa qëndron e menduar në tarracën e një pallati të lartë në Nju Jork, një burrë që po flet në telefon gjatë orëve të vona në Shangai", tregon ajo.

Por jo të gjitha fotografitë janë origjinale. Ndonjërën prej tyre fotografja edhe e ka modifikuar. Të gjithë e dimë se mbrëmjeve jo të gjithë njerëzit apo institucionet flenë (policitë, spitalet, farmacitë, etj.). Ka nga ata që e përdorin natën për të kryer punë të pista, ose thjesht për t‘u kënaqur. Por për treguar atë pjesë të botës që e ka servirur Floriane me fotografitë e saj, duhet të ngjitesh në katet e larta të grataçielave. "Unë kam zgjedhur një anë tjetër të fotografisë, atë intime, fotografoj vendet dhe njerëzit e tërhequr", thotë ajo. Ndoshta kjo ndodh, sepse çdo fotografi e kam bërë orëve të vona të natës, duke qëndruar pa gjumë, sikur të gjendej në ndonjë set kinematografik. Shpesh puna e saj është krahasuar me filmat "Blade runner" dhe "Lost in Translation". "Qyteti është produkti i gjenialitetit dhe çmendurisë së njeriut", thotë ajo.

"Qyteti i dritave", nga Floriane de Lassée

Floriane de Lassée ka lindur dhe është rritur në Paris. Pas diplomimit në grafikë dizajn dhe arte, në vitin 2000, ajo ka punuar në Paris, më pas u transferua në Nju Jork.

Në vitin 2004, mori një certifikatë nga Qendra Ndërkombëtare e Fotografisë dhe menjëherë filloi të paraqiste punët e saj në një galeri artesh amerikane. Po atë vit, fitoi një çmim të madh për punimet e saj në një revistë amerikane. Në vitin 2006, rikthehet në vendlindje, ku vendos të ekspozojë të gjitha fotografitë e bëra. Më pas u shpërngul në Shtetet e Bashkuara, duke vazhduar më tej me Rusinë, Shangain dhe Tokion.

Floriane është cilësuar si një talent i rrallë nga revistat e mëdha fotografike si "Photo District News" (SHBA), "Zoom" (Rusi), "Etapes graphiques", "Photo Magazine" dhe "Elle" (Francë).

Pamjet e natës

Duke qenë se kam lindur dhe jam rritur në "Qytetin e Dritave", Paris, kam vënë re se dritat, që ndriçojnë të gjithë botën, janë magjepsëse dhe shumë ndryshe nga ato të vendlindjes sime. Pas Nju Jorkut dhe Parisit, tani më interesojnë qytetet e mëdha aziatike si Shangai dhe Tokio. Në të gjitha vendet ku kam qenë, më ka qëlluar të shoh gjëra të cilat në qytetet e vogla tradicionale nuk i sheh shpesh: të brendshmen dhe të jashtmen, publiken dhe privaten.

Kam parë njerëzit brenda dhe jashtë ndërtesave, kam studiuar nga larg lëvizjet dhe shprehjet e tyre. Më pas arrita të krijoj një model për pak orë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›