Adriatik Lapaj e Arlind Qori konfliktohen në protestë, Shabani: Politikë e vjetër

TIRANË, 20 janar /ATSH/ Adriatik Lapaj e përfaqësues të partisë “Lëvizja Bashkë” janë përplasur ashpër në një protestë të organizuar para Ministrisë së Brendshme.
Ishte Arlind Qori i cili drejton “Lëvizjen Bashkë” që kishte paralajmëruar protestë, por asaj i është bashkuar edhe Lapaj, kreu i partisë “Shqipëria Bëhet”.
Sipas medieve, situata degradoi deri aty sa Lapajn e dëbuan nga podiumi me thirrjet ‘turp’, ndërsa në protestë ishte i pranishëm edhe vetë Qori.
Konflikti sipas “Lëvizjes Bashkë”, ndodhi sepse Lapaj nuk ishte regjistruar për të mbajtur një fjalim dhe po u ‘vidhte protestën’ e zaptonte podiumin. Në pamjet e transmetuara nga mediet dëgjohet edhe një aktivist i “Lëvizjes Bashkë” i cili thekson se protesta është thirrur nga Lëvizja Bashkë dhe ka edhe një listë që duhet të respektohet.
Gjatë protestës nuk kanë munguar akuzat e përfaqësuesve të Arlind Qorit të cilët e kanë quajtur Adriatik Lapajn si të shitur, ndërsa ky i fundit i ka cilësuar si komunistë.
Endri Shabani, kreu i “Nismës Thurje”, tjetër parti e re, ka reaguar pas grindjes ndërmjet Adriatik Lapajt dhe Arlind Qorit në protestën para Ministrisë së Brendshme.
Në një reagim në rrjetet sociale, Shabani thekson se kjo është një ngjarjen e shëmtuar dhe sjellje e politikës së vjetër.
Shabani thekson se të digjet Shqipëria për një karrike është politikë e vjetër. Sipas Shabanit, nuk duhet e nuk mund të ketë pronarë kauzash. /j.p/