UASHINGTON – Trump zotohet ta bëjë SHBA-në sërish një komb prodhues

UASHINGTON, 20 janar /ATSH-DPA/- Presidenti amerikan Donald Trump është zotuar të kthejë vendet e punës në industrinë e prodhimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fjalimin e tij inaugurues.
“Amerika do të jetë një komb prodhues edhe një herë”, tha ai.
“SHBA-ja do të shfrytëzojë rezervat e saj të naftës dhe gazit dhe do të eksportojë energji amerikane në të gjithë botën”, shtoi Trump.
Ai tha se do t’i jepte fund Marrëveshjes së Re të Gjelbër dhe do të revokonte mandatin e automjeteve elektrike për të shpëtuar industrinë e automobilave në SHBA.
“Ne do të ndërtojmë sërish automobila në Amerikë me një ritëm që askush nuk mund ta kishte ëndërruar të mundur vetëm disa vite më parë”, tha Trump.
“Në vend që të taksojmë qytetarët tanë për të pasuruar vendet e tjera, ne do të tarifojmë dhe taksojmë vendet e huaja për të pasuruar qytetarët tanë”, shtoi ai.
‘Për ta bërë këtë, do të krijojmë një shërbim të të ardhurave të jashtme për të mbledhur të gjitha taksat, detyrimet dhe të ardhurat”, tha Trump.
“Do të jenë shuma të mëdha parash që do të derdhen në thesarin tonë që vijnë nga burime të huaja. Ëndrra amerikane së shpejti do të kthehet dhe do të lulëzojë si kurrë më parë”, theksoi ai.
Donald Trump është betuar sot si president i SHBA-së në ndërtesën e Kapitolit, në Uashington.
Trump bëri betimin në një ceremoni madhështore ku morën pjesë familja e tij, ish-presidentë amerikanë dhe personalitete nga SHBA-ja dhe jashtë saj.
“Epoka e Artë e Amerikës fillon pikërisht tani”, tha ai në fjalimin e tij inaugurues.
“Unë thjesht do ta vendos Amerikën të parën”, shtoi Trump. //a.i/