Aduti i Romneyt

Shumë analistë politikë u kapën në befasi kur Romney emëroi 42 vjeçarin, Paul Rayan, si zëvendësin e tij të mundshëm.
Kongresisti nga Wisconsin është një nga zërat më të fuqishëm për shkurtimet buxhetore, që janë kritikuar vazhdimisht nga demokratët. Ata thonë se shkurtimet do të dëmtojnë programet sociale popullore, si Medicare dhe Medicaid, si dhe programet e sigurimeve për të moshuarit dhe të varfrit. Romney tha se e shikon Rayanin si një individ me intelekt të fuqishëm, që do t’u kundërvihej argumenteve të forta politike të demokratëve.
"Paul Rayan është bërë një udhëheqës intelektual i Partisë Republikane. Ai i kupton sfidat fiskale që ka përballë Amerika, deficitin tonë të thellë dhe borxhin e madh, si dhe katastrofën financiare që na pret nëse nuk ndryshojmë drejtim”, theksoi Romney.
Rayan ka kaluar pothuajse gjysmën e jetës së tij në Washington, së pari si nëpunës i kongresit, pastaj si anëtari më i ri i Dhomës së Përfaqësuesve. Ai fitoi një vend në Kongres në moshën 28 vjeçare dhe po përfundon mandatin e tij të shtatë në Kongres.
Ai u rrit në Xhenisvill, një qytet i vogël në Wisconsin, ku ende jeton me të shoqen dhe tre fëmijët e tyre. Në Kapitol, ai është treguar shumë i kursyer, ai qëndron në zyrën e tij katër ditë në javë dhe shkon në shtëpi në fund të javës, për të qëndruar me familjen.
Rayan është i krishterë dhe me zgjedhjen e tij Romney shpreson të fitojë mbështetjen e të krishterëve dhe të grupeve të tjera fetare, që kanë shprehur rezerva për fenë mormone të Romneyt.
Rayan është i pasionuar pas ushtrimeve fizike, pasi kur ishte vetëm 16 vjeç i ati i vdiq nga infarkti. Në fjalimin e tij, duke falënderuar Romneyn për zgjedhjen, Rayan foli edhe për ndikimin që ka pasur tek ai i ati.
"Babai më vdiq kur isha i ri. Ai ishte njeri i mirë dhe i ndershëm. Më janë ngulitur në mendje disa këshilla të tij. Ai më thoshte: ‘Biri im, ti mund të jesh ose pjesë e problemit, ose pjesë e zgjidhjes së tij’. Për fat të keq, Presidenti Obama është bërë pjesë e problemit dhe Mitt Romney është zgjidhja. Diçka tjetër që më thoshte im atë është se çdo brez amerikanësh i lë fëmijët e tij në një gjendje më të mirë. Kjo është trashëgimia amerikane”.
Rayan u ngrit në postin e rëndësishëm të kryetarit të Komisionit të Buxhetit të Dhomës së Përfaqësuesve. Ai është gjithashtu anëtar i Komisionit të fuqishëm të burimeve dhe praktikave financiare.
Ai ndoshta është bërë më i njohur me propozimin e tij të vitit 2010, për të eliminuar deficitin buxhetor federal, një plan që ai e quajti “Harta rrugore e të ardhmes së Amerikës”.
Menjëherë pasi Romney bëri njoftimin para në grupi republikanësh entuziastë, drejtori i fushatës demokrate për zgjedhjet e Kongresit, Robi Mok, bërë thirrje për fonde fushate duke thënë “Romney sapo zgjodhi Paul Rayan për zëvendës-president. Ky është Paul Rayan. Arkitekti republikan për të eliminuar Medicare-in”.