Anketat parashohin një garë të fortë presidenciale në SHBA

Anketat në Shtetet e Bashkuara flasin për një garë të fortë mes presidentit demokrat Barack Obama dhe kundërshtarit të tij republikan, ish-guvernatorit të shtetit Massachusets, Mitt Romney.
Anketat gjithashtu tregojnë se votuesit kanë prirjen për të pëlqyer presidentin si person më shumë se kundërshtarin e tij, por i japin një epërsi të lehtë Romneyt për sa i përket ekonomisë, e cila është çështja më e rëndësishme e fushatës.
Anketa e fundit e organizuar nga Gallup i jep Presidentit Obama një epërsi të ngushtë 47 me 46 për qind ndaj Romneyt, rreth 90 ditë para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit. Ka pasur luhatje të vogël në krahasim me anketat e organizuara nga Gallup në prill dhe analistët thonë se ky mund të jetë një sinjal se gara presidenciale do të jetë e ngushtë deri në ditën e zgjedhjeve.
Do të ketë tri debate presidenciale që do të mbahen në tetor dhe një debat mes dy kandidatëve për nënpresident.