Një qytet vetëm për gra

Kompanisë Shtetërore të Ndërtimit i është kërkuar nga autoritetet që të hartojnë planin, ndërsa ndërtimi i komplekseve të banimit dhe të punësimit pritet që të nisë vitin e ardhshëm.
Në këtë qytet, do të lejohet që gratë të bëjnë punë të cilat ndalohen në vend, për shkak të kontaktit që duhet të kenë me meshkujt.
Qyteti pritet të ndërtohet në lindje të qytetit të Hafufit, ndërsa bashkia ka grumbulluar një fond investimesh prej 100 milionë eurosh. Fillimisht, në të pritet që të krijohen rreth 5 mijë vende pune në industrinë e tekstilit, atë farmaceutikë dhe industrinë ushqimore.
Si askund në Arabinë Saudite, një prej shteteve më konservatore në botë, në qytetin e lejuar vetëm për gratë, ato do të mund të drejtojnë biznese dhe firma prodhimi vetëm për gratë.
Ndonëse zyrtarisht në shtetin me 30 milionë banorë është e lejuar që gratë të punojnë, rregullat e ashpra fetare vendosin kufizime të forta.