Aeroplanët kinezë nuk do lejohen në hapësirën europiane pa taksë

Aeroplanët e kompanisë më të madhe ajrore kineze së shpejti mund të mos lejohen që të fluturojnë në aeroportet europiane pasi agjencia që përfaqëson kompaninë tha se nuk do të paguante taksën e re të Bashkimit Evropian për ndotjen. Më 1 janar, blloku prej 27 anëtarësh filloi zbatimin e një takse për ndotjen për linjat ajrore që përdorin aeroportet e bllokut. Kompanitë ajrore apo vendet që nuk zbatojnë ligjin, mund të gjobiten ose mund t`u ndalohet fluturimi në vendet e Bashkimit Evropian. Prej kohësh Bashkimi Europian e ka cilësuar veten si udhëheqës në luftën kundër ngrohjes globale. Ligji ku kompanitë duhet të paguajnë një tarifë për ndotjen përbën gurthemelin e politikave të bllokut. I filluar shtatë vite më parë, ligji kishte si objektiv vetëm sektorë të shërbimeve dhe të industrisë së rëndë. Por me fillimin e këtij viti, të gjitha kompanitë ajrore, aeroplanët e të cilave përdorin aeroportet e Bashkimit Evropian, duhet të paguajnë pavarësisht se kujt vend i përkasin ato. Tarifat rriten me kalimin e viteve. Masa ka gjetur një kundërshtim të fortë nga Shtetet e Bashkuara, India dhe vende të tjera. Ndërkohë, agjencia që përfaqëson katër kompanitë më të mëdha ajrore kineze, thotë se nuk do të paguajë tarifat. Agjencia përllogarit se tarifat do t’i kushtojnë kompanive ajrore kineze 120 milion dollarë në vitin e parë dhe më shumë se tre fishin deri në vitin 2020. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Hong Lei mbështeti agjencinë e transportit, duke thënë se ishte i shqetësuar për atë që e cilësoi veprim të njëanëshëm të Bashkimit Evropian.Gjobat për mos zbatimin e ligjit janë të ashpëra me 130 dollarë për çdo ton dioksid karboni të çliruar dhe për firmat ajrore që shkelin vazhdimisht ligjin, blloku gëzon të drejtën që mos lejojë uljen e aeroplanëve në aeroportet e tij.