E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trajkoviç kërkon ndalimin e referendumit në veri të Kosovës

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviç, ka deklaruar se nisma për referendum nga serbët e veriut të Kosovës ka për qëllim “shembjen e perspektivës evropiane të Serbisë”, ndërsa ka kërkuar nga autoritetet e Beogradit ta ndalojnë atë.

“Një shtet serioz, unë dua të besoj se shteti im është i tillë dhe do ta anulonte atë referendum në seancën e parë të Kuvendit. Nëse Kuvendi nuk ka fuqi, do ta bënte Qeveria e Serbisë”, ka thënë Trajkoviç për mediat serbe.

Sipas saj, referendumi në fjalë është “qesharak” dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë.

Në “referendumin e veriut” është thënë se do të marrin pjesë qytetarët e Mitrovicës, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviçit.

Me referendumin në fjalë synohet “të qartësohet vullneti i serbëve për lejimin apo moslejimin e shtrirjes së autoritetit shtetëror të Kosovës në veri”.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›