E Martë, 3 Nëntor 2026

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës mirëpret fluturimin e parë direkt nga Tel-Avivi

TIRANË, 2 prill/ATSH/ Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) mirëpriti sot fluturimin e parë nga Tel-Avivi, duke shënuar hapjen e një linje të re ajrore mes Shqipërisë dhe Izraelit.

Kjo linjë do të operojë tri herë në javë, duke ofruar më shumë mundësi udhëtimi për turistët, udhëtarët e biznesit dhe komunitetet shqiptare dhe izraelite.

Drejtori operacional i TIA-s, Piervittorio Farabbi, deklaroi se kjo linjë është një urë që lidh jo vetëm dy qytete, por dy popuj.

“E dimë që Izraeli është një treg me shumë interes për turizmin dhe shpresojmë që ky të jetë vetëm fillimi i një bashkëpunimi të suksesshëm”, tha ai.

Drejtori i Aviacionit Civil Shqiptar, Maksit Et’hemaj, theksoi se lidhja e kontinenteve, shteteve, kulturave dhe njerëzve është në fokus.

“Një nga detyrat kryesore të aviacionit civil është të lidhë kontinentet, shtetet, kulturat dhe njerëzit. Jemi krenarë që sot mirëpresim një operator prestigjioz si Sandor El Al, si rezultat i një pune të përbashkët dhe të vazhdueshme. Turistët izraelitë do të çojnë në vendin e tyre kujtime të bukura nga Shqipëria, dhe ky fluks pritet të vijë duke u rritur”, deklaroi ai.

Ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg foli për marrëdhënie të ngushta mes dy vendeve.

“Sot kemi një moment historik. E dimë që mes Izraelit dhe Shqipërisë ekzistojnë lidhje të veçanta, por tashmë kemi një fluturim direkt, një lidhje fizike. Nuk kam asnjë dyshim se Sandor Airlines do të sjellë më shumë qytetarë izraelitë në Shqipëri dhe do të çojë shqiptarë në Izrael. Kjo linjë do të forcojë më tej marrëdhëniet tona të ngushta, bashkëpunimin ekonomik dhe turizmin”, deklaroi ambasadorja.

Drejtori ekzekutiv i Sandor El Al, Gal Gershon u shpreh qytetarët e dy vendeve do të mund të njohin më mirë kulturat e njëri-tjetrit.

“Pasagjerët ishin të emocionuar për këtë fluturim të parë. Jam shumë i lumtur që Sandor po lidh Izraelin me Shqipërinë. Shpresoj që gjithnjë e më shumë izraelitë të kenë mundësinë të vizitojnë këtë vend të bukur dhe të mikpritshëm, dhe po ashtu të mirëpresim më shumë shqiptarë në Izrael për të përjetuar historinë dhe kulturën tonë”, theksoi ai.

Linja ajrore Tel-Aviv – Tiranë që i shtohet hartës së destinacioneve ndërkombëtare të Shqipërisë, pritet të sjellë rritje të ndjeshme të turizmit, të forcojë marrëdhëniet ekonomike dhe të krijojë ura të reja bashkëpunimi mes dy vendeve.

/r.e/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›