E Diel, 1 Nëntor 2026

Aeroporti dhe KEK-u e shlyejnë borxhin, por jo PTK-ja

Aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari” i ka paguar 33 mijë euro borxhe Komunës së Lipjanit për leje afariste, derisa njëherësh edhe KEK-u ka arritur të shlyente pjesën dërmuese të borxhit teksa ka paguar 40 mijë euro nga 44 mijë në total sa i kishte.

Ndërkohë që, vetëm PTK-ja nuk e ka paguar borxhin ende, mirëpo është thënë se pritet ta bëjë këtë së shpejti pas shqyrtimit të Rregullores komunale për taksat e tarifat, e ku parashihen edhe lejet afariste. Për më tepër, gjatë javëve të kaluara disa herë është ngritur çështja e borxheve të mëdha, derisa pikërisht këto borxhe ishin bërë çështje debati edhe në mbledhjen e KK të Lipjanit, raporton Koha Ditore.

Madje, javën e kaluar Inspektoria e kësaj komune pati ndërmarrë një aksion në ANP lidhur me obligimet në fjalë, ndërsa pas një takimi që është realizuar mes autoriteteve komunale dhe përfaqësuesve të konsorciumit “Limak dhe Lyon” thuhet se janë paguar 33 300 euro obligime të Aeroportit ndaj Komunës.

Shukri Buja, kryetar i Lipjanit, thotë se Aeroporti deri tashti e ka zvarritur pagesën e borxhit, pikërisht për shkak të paqartësive që kishte për Rregulloren komunale për taksat e tarifat, ndërsa thotë se tashmë edhe ata e kanë të qartë se kjo Rregullore e ka bazën në ligj.

“Mospagesa ka qenë nga paqartësia se a do të duhej të nxirrej leje afariste apo jo, ndërkohë që pas ankesës së ka bërë Aeroporti në Ministri të Tregtisë ka marrë përgjigje negative. MTI-ja ka saktësuar se baza e Rregullores është në ligj dhe askund tjetër dhe pasi që Aeroporti e ka marrë përgjigjen nga MTI-ja e ka bërë pagesën për lejen afariste”, ka thënë Buja, ndërsa ka shtuar se Rregullorja për lejet, taksat e tarifat është e bazuar në ligj dhe se kështu, sipas tij, do të operohet gjithnjë.

Nga ana tjetër, pos Aeroportit edhe KEK-u ka shlyer bukur shumë obligime ndaj Komunës. KEK-u ka bërë pagesat e borxheve prej 40 mijë eurosh, ndërsa ka mbetur edhe 4 mijë euro borxh e që i bie se është shlyer shumica e borxhit, ndërsa PTK-ja ka shprehur gatishmërinë që të paguajë borxhet vetëm pas shqyrtimit të Rregullores komunale për taksa e tarifa./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›