Aeroporti, njoftim mbi fluturimet, oraret tani online
TIRANE-Duke filluar nga dje, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA), ofron shërbimin e ri për pasagjerët e tij: informacionin mbi fluturimet në kohë reale. Shërbimi i ri në faqen e internetit tashmë do të mundësojë informacione mbi statusin aktual të të gjitha fluturimeve të saj të përditshme. Pasagjerët apo të afërmit e tyre, të cilët i presin, do të jenë në gjendje nëpërmjet internetit të verifikojnë nëse një fluturim është ulur, anuluar apo është vonuar. Ky shërbim i ri do të ofrojë edhe informacion mbi motin në kryeqytetin e Tiranës.Avantazhet dhe përfitimet nga ky shërbim janë mjaft të mëdha, si për pasagjerët, ashtu edhe për kompaninë, e cila menaxhon aeroportin. Informacioni do t'u mundësojë pasagjerëve të planifikojnë vonesat apo anulimin e fluturimit, duke mundësuar udhëtimet si një përvojë pozitive për të gjithë. "TIA është e angazhuar t'u ofrojë gjithmonë pasagjerëve dhe klientëve të saj më të mirën, çdo ditë ne jemi duke u përpjekur për të ofruar shërbime të reja. Tani po mundësojmë informacion mbi fluturimet në kohë reale, njoftimet e fundit mbi mbërritjet e nisjet e fluturimeve, shërbime këto, që shpresojmë të priten mirë nga pasagjerët, veçanërisht gjatë kushteve të vështira të motit apo periudhave të pikut të fluturimeve", tha Rolf Castro-Vasquez, drejtor i përgjithshëm i operacioneve në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Informacioni në kohë reale mbi fluturimet në TIA mund të gjendet në faqen e internetit www.tirana-airport.com.
(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera www.tirana-airport.com
(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera www.tirana-airport.com