E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mister vrasja e 22-vjeçarit, merren në pyetje 50 persona

DURRES - Ndonëse agjentët më të mirë të policisë kriminale, në Durrës dhe vetë kreu i bluve, Aleks Hajdari janë angazhuar për zbardhjen e vrasjes së 22-vjeçarit Arbër Bardhi, ende nuk është bërë e mundur identifikimi i autorëve të krimit. Gjatë gjithë natës si dhe gjatë ditës së djeshme janë shoqëruar 50 persona, pothuajse që të gjithë djem të rinj, të cilët janë pyetur në lidhje me ngjarjen dhe më pas janë lënë të lirë. Mësohet se janë bërë kontrolle të shumta banesash, por nuk është arritur në ndonjë rezultat konkret. Fillimisht u mendua se shkak për ekzekutimin e të riut ishte bërë ndonjë sherr i ditëve të fundit, por kjo pistë nuk dha ndonjë rezultat. Gjithashtu, agjentët kanë kryer hetime edhe në pistën e një hakmarrje të mundshme, që ka të bëjë me një vrasje të dyfishtë disa vjet më parë të kryer nga babai i viktimës. Në atë kohë pas një sherri me komshiun, ai vrau babë e bir, për të cilën edhe u dënua. Por, burimet policore pohojnë se nuk është ky shkaku i vrasjes së Arbër Bardhit. Drejtori i Policisë së Durrësit Aleks Hajdari thotë "se po studiojmë çdo gjë që kemi në dorë. Agjentët po punojnë në terren, por deri tani nuk kemi ndonjë rezultat konkret". Ndërsa, punonjës policie të angazhuar në këtë ngjarje dyshojnë për ndonjë prishje pazari mes viktimës dhe personave të tjerë. Arbër Bardhi u vra rreth orës 21:00 të së mërkurës, në lagjen nr 4 të qytetit pas kompleksit tregtar "Blu Star". Ajo që ka në dorë policia janë vetëm 5 gëzhoja pistolete si dhe axhenda e telefonit celular i viktimës. 22-vjeçari u varros dje në varrezat e fshatit Shën Vlash të rrethit të Durrësit.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›