E Diel, 1 Nëntor 2026

Aeroporti shqiptar “Nënë Tereza” dyfishon udhëtarët

Tiranë, 20 gusht - Numri i pasagjerëve që udhëtojnë nga aeroporti i Rinasit është dyfishuar në pesë vitet e fundit ndërsa një investim prej 12 milion euro do të rrisë ndjeshëm kapacitetet dhe standartet e fluturimit të sigurtë në hapësirën ajrore shqiptare, raporton BBC.
Prej 2005-sës është dyfishuar numri i pasagjerëve që udhëtojnë nëpërmjet aeroportit “Nënë Tereza” të Rinasit nëpër vendet e ndryshme të botës deklaroi ministri i Punëve Publike dhe Transportit Sokol Olldashi.
Ai the se para pesë vjetësh nga Rinasi udhëtonin 730 mijë pasagjerë ndërsa tani kjo shifër është 1 milion e 400 mijë.
Aeroporti “Nënë Tereza”, porta e vetme ajrore e Shqipërisë, ka sot kushte krejtësisht të ndryshuara krahasuar me pak vite më parë, ndërsa e ka rritur ndjeshëm kapacitetin dhe hapësirat e tij.
Zoti Olldashi i bëri deklaratat e tij gjatë inspektimit të punimeve që sapo kanë nisur për ndërtimin e ndërtesës së Agjencisë Kombëtare të Trafikut Ajror dhe kullës së Kontrollit.
Drejtues të kësaj agjencie thonë se investimi i tyre prej 12 milionë eurosh bëhet në kuadrin e projektit për modernizimin e menaxhimit të hapësirës ajrore shqiptare dhe do të ofrojë një shërbim cilësor në përputhje me standardet ndërkombetare si dhe do të rrisë edhe më sigurimin e fluturimit në hapësirën ajrore të Shqipërisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›