Afellay realizon ëndrrën

Sulmuesi holandez, Ibrahim Afellay ka arritur të enjten në Barcelonë për t’iu nënshtruar testit fizik, ndërsa të premten e ka finalizuar transferimin e tij te gjiganti spanjoll.
24-vjeçari do t’i bashkohet klubit katalunas gjatë afatit kalimtar të janarit nga PSV Eindhoven, për tre milionë euro. Njeriu i parë me të cilin u takua Afellay kur arriti në Barcelonë ishte drejtori Andoni Zubizarreta. Përfaqësuesi holandez thotë se ndihet i ngazëllyer pas transferimit të tij te kampioni i Spanjës.
“Mendoj se për secilin lojtar është ëndërr të luajë këtu. Pyesni të gjithë futbollistët se ku dëshirojnë të luajnë. Mendoj se ata do të thonë: në Barcelonë. Ky ekip bën lojën më të bukur në botë dhe kur e ke mundësinë të luash këtu, ky është realizim i një ëndrre. Do të luftoj për ta fituar një vend në ekip”, theksoi Afellay për televizionin e klubit.
Po ashtu, mesfushori ofanziv thotë se ishte nervoz për kalimin e tij në Spanjë. “Është normale, sepse në këtë rast po shkoj në klubin më të madh dhe më të bukur në botë, kështu që me këtë rast është e qartë se ndiheni në siklet dhe jeni paksa nervoz”, tha ai. Afellay pritet ta veshë fanellën me numër 20 në Barcelonë.