Assange frikësohet për jetën e tij

Themeluesi i WikiLeaks-it, Julian Assange, tha se "gjasat janë të mëdha" që ai të vritet, nëse duhet të ekstradohet nga Britania në SHBA, nën akuzat për spiunazh.
Në një intervistë për të përditshmen "Guardian", Assange tha se dorëzimi i tij tek autoritetet amerikane do të ishte "politikisht i pamundur" për Britaninë. Assange theksoi se fati i tij është në duart e kryeministrit britanik, David Cameron.
Deri tani ndaj themeluesit të WikiLeaks-it nuk ka pasur padi për nxjerrjen e dokumenteve të klasifikuara të diplomacisë amerikane, por u arrestua nën akuzat për krime seksuale të ngritura nga prokuroria suedeze.
Assange gjithashtu deklaroi se se uebsajti i tij brenda 6 muajve do të publikojë mijëra dokumente që kanë lidhje me Izraelin.
Assange tha se do të publikojë dokumente në lidhje vrasjen e liderit të Hamasit , Mabhouh në Dubai dhe për luftën kundër Hezbollahut në Liban, gjatë verës së vitit 2006.
Assange thekoi se deri me tani janë publikuar vetëm pak dosje, që kanë lidhje me Izraelin dhe se brenda 6 muajve do të publikohen rreth 3 700 dosje “top sekret”, shumica e të cilave nga ambasada amerikane në Tel Aviv.
Për më tepër, ai theksoi se disponon dokumente që tregojnë përfshirjen e Mossad-it në vrasjen e liderit të Hamasit, Mahmoud al-Mabhouh në Dubai, në janar.
Themeluesi i Wikileaks theksoi se nuk ka pasur ndonjë kontakt direkt ose indirekt me Izraelin, por u shpreh i sigurt se inteligjenca izraelite po e monitoronte Wikileaks-in nga afër.